Ndërlidhjet

Maqedoni: Qëndrime të kundërta për testimin shtetëror


Ilustrim
Ilustrim

Ministri i Arsimit në Maqedoni, Abdilaqim Ademi është i vendosur se dikasteri që drejton ai, edhe kundrejt reagimit të studentëve përmes protestave, nuk do të zmbrapset nga vendimi për zbatimin e provimit ekstern në arsimin e lartë.

Ai ka nënvizuar se në kuadër të propozimin përfundimtar për aplikimin e provimit shtetëror dy herë gjatë studimeve në fund të vitit të dytë dhe në fund të studime do të përshihen sugjerimet që dalin nga debati publik për këtë çështje, me qëllim që zgjidhja të jetë e pranueshme për të gjitha palët.

“Ne kemi pasur edhe prononcime të tilla që mund të lënë të kuptosh se ne jemi tërhequr nga kjo ide, por më duhet të theksoj se nuk është ashtu sepse qëllimi kryesor është që të hapet një debat dhe nga debati të merren propozimet konstruktive, pikërisht atë po bëjmë ne po i pranojmë disa nga sugjerimet e dala nga këto debate”, thekson për Radion Evropa e Lirë, zoti Ademi.

Ai thekson se provimi shtetëror shihet si mekanizëm i rëndësishëm që do të ndikojë në ngritjen e cilësisë në fakultete, përkatësisht diplomat mos paraqesin vetëm letër, por të njëjtat të jenë konkurruese në tregun e punës jo vetëm në vend por edhe më gjerë.

“Edhe kur e promovuam idenë e aplikimit të promovimit shtetëror theksuam se qëllimi kryesorë është ngritja e cilësisë së arsimit sipërorë, njëherësh për të ndërtuar mekanizma juridik që me diplomë universitare të pajisen vetëm studentët që e meritojnë, përkatësisht studentët që realisht studiojnë".

"Parimet kryesore nga të cilat ne udhëhiqemi është që me testimin shtetëror të mos cenohet autonomia e universiteteve, të mos cenohet procesi i Bolonjës dhe sigurisht provimi shtetëror mos paraqet ngarkesë për vet universitetet”, sqaron ministri Ademi.

Ndërkohë, Stefan Vitkoski nga plenumi studentor i Universitetit të Shkupit thotë se testimi ekstern për studentët është i papranueshëm, sepse përmes testimit shtetëror synohet kontrolli i shtetit ndaj universiteteve.

“Ministria e Arsimit dhe Qeveria duhet të kuptojnë se me 'epitetin shtetëror' atyre nuk u lejohet kontroll i dhunshëm ndaj punës së universiteteve përmes testimeve të imponuara nga jashtë, por shteti duhet të fokusohet në ofrimin e ndihmës gjatë realizimit të dispozitave ligjore që vlejnë për arsimin e lartë, dhe njëherësh të vlerësojë se problemet të cilat janë evidente në arsimin e lartë a mund të zgjidhen përmes sistemit të evoluimit të brendshëm të universiteteve, konform sistemit të Bolonjës”, thekson Vitkoski.

Ndërkaq profesorët universitarë thonë se janë politikat e gabuara të qeverisë lidhur me arsimin e lartë, përfshi këtu disperzimin e fakulteteve në më shumë qytete të vendit, si dhe pranimi studentëve pa provim pranues në universitete, me theks të veçantë ndërhyrja e pushtetit në arsimin e lartë.

“Testimi ekstern nuk është i nevojshëm aspak, sepse Qeveria në këtë mënyrë dëshiron të sanojë pasojat që ka shkaktuar vetë me hapjen e fakulteteve thënë me gjuhën e popullit në çdo katund. Në fakt nëse duam të shkojmë në Evropë, atëherë duhet të shikojmë përkatësisht të krahasojmë sistemin evropian si funksionon atje, sa i përket arsimit të lartë".

"Në fakt atje shkollimi i mesëm është ai që profilizon kandidatët a janë ose nuk janë për studime, dhe i orienton në drejtime të caktuara ku mund të jenë më të suksesshëm, siç janë shkollat profesionale, përkatësisht zanatet”, thekson Dervish Alimi, profesor universitar.

Ai thotë se se përmes testimit shtetëror që duhet t'i nënshtrohen studentët, sulmohet liria akademike edhe e vetë profesorëve.

“Po përmes testimit ekstern për studentët krijohet dyshimi se ne si profesorë universitarë nuk e bëjmë mirë punën tonë dhe dikush duhet të na kontrollojë. Aq më tepër se kjo mund të marrë dhe konotacion politik ngase dikush nga profesorët i cili është më i zëshëm ndaj zhvillimeve të caktuara politike mund të kontrollohet politikisht duke ballafaquar me rezultate të dobëta nga testimi”, thekson Alimi.

Ndryshe, Ministria e Shkencës dhe Arsimit ka sqaruar se aplikimi i provimit shtetëror është zbatuar në vendet të cilat së fundmi janë kyçur në familjen evropiane si Çekia, Polonia dhe Hungaria, vende këto ku ka rezultuar si mekanizëm efikas për ngritjen e cilësisë së arsimit përkatësisht ngritjen e vetëdijes së qytetarëve se pajisja me dije është më e rëndësishme sesa pajisja me një diplomë.

XS
SM
MD
LG