Ndërlidhjet

Maqedoni: Pak denoncime për dhunën në familje


Ilustrim(©Shutterstock)
Ilustrim(©Shutterstock)

Në Maqedoni gjatë gjashtë vjetëve të fundit 16 gra kanë humbur jetën si pasojë e dhunës familjare, kanë alarmuar organizatat joqeveritare të cilat në fokus kanë të drejtat e grave.

Ata theksuan se me vetë faktin se vrasjet kryesisht i kanë kryer partnerët e tyre, tregon qartë se institucionet kompetente nuk veprojnë me seriozitetin dhe përgjegjësinë e duhur.

Elena Dimushevska, nga rrjeti nacional kundër dhunës ndaj grave, thekson se në pjesën më të madhe të rasteve këto gra kishin denoncuar para organeve kompetente dhunën familjare mes bashkëshortëve, gjë që siç thekson ajo, ky fakt paraqet alarm që tregon jo-funksionalitetin e sistemit për mbrojtjen e viktimave të dhunës familjare.

“Pyesim ministrin e e Punës dhe Politikës Sociale, ku janë bërë lëshimet, nëse mundej që të parandalohej vrasja e këtyre grave që paraqet tragjedi familjare, nëse dikush nga organet shtetërore do të duhet të bart përgjegjësi”, është shprehur Dimushevska.

Nga ana tjetër, Leunora Kaliqi nga organizata joqeveritare e grave - AJO, thotë se problemi në pjesën më të madhe qëndron në mungesën e vetëdijes së grave për ta denoncuar dhunën, si pasojë e mentalitetit, por mbi të gjitha edhe mungesës së informacionit.

“Gjatë aktiviteteve tona, shumica e qytetarëve shtrojnë pyetje shumë elementare, ku ndodhen qendrat sociale, apo ku mund të gjendet numri i telefonit në të cilin mund të paraqiten viktimat e dhunës. Pra nevojitet që aktivistët e të drejtave të grave, por edhe organet kompetente të punojnë në informimin e qytetarëve se ku mund të paraqiten rastet e dhunës në familje por gjithsesi dhe në këtë drejtim nevojitet dhe ofrimi i ndihmës juridike dhe psikike”, thekson Kaliqi.

Ajo shton se edhe kundrejt miratimit të ligjeve që rregullojnë këtë çështje konfrom rregullativës evropiane, organet kompetente në vend jo rrallë herë janë treguar të ngathëta kur bëhet fjalë për mbrojtjen e viktimave, si obligim ligjor si dhe ndërmarrjen e masave kundër atyre që kryejnë dhunë ndaj grave, kjo dhe i ka bërë institucionet e pabesueshme kur bëhet fjalë për kërkimin e ndihmës.

“Shumica e femrave, veçanërisht ato shqiptare, duke u bazuar në mentalitetin dhe patriarkalizmin i cili vështirë mund të çrrënjoset në familjet tona, hezitojnë ose do të thosha kanë frikë të denoncojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre ngase ata nuk ndjehen të sigurta nga trajtimi i mëtejmë i institucioneve kompetente”, nënvizon Kaliqi.

Ndërkohë, Savka Todoroska, kryetare e Këshillit nacional për barazi gjinore, konsideron se dhuna ndaj gruas nuk paraqet problem personal për atë, ose familjen e saj, por duhet kuptuar se dhuna e shfaqur në familje paraqet problem për shoqërinë në tërësi.

“Nëse dhuna arrin të trajtohet si problem i përgjithshëm i shoqërisë mund të presim rezultate pozitive për ta çrrënjosur këtë dukuri dhe jo me miratimin e ligjeve të mira por të cilat nuk arrijnë të zbatohen”, shprehet Todoroska.

Nga ana tjetër, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka promovuar një varg masash në aspektin e harmonizimit të rregullativës ligjore konform standardeve evropiane për të penguar dhunën në familje, për të ndihmuar të gjithë ata të cilët paraqiten si viktima të dhunës në familje me atë që pos që parashihen dënime për të gjithë ata të cilët janë dëshmitarë të dhunës në familje , dikasteri i punës dhe politikës sociale siguron vendqëndrim dh ndihmë juridike për viktimat e dhunës në familje.

Ndryshe në Maqedoni nga kjo javë ka filluar fushata 16 ditëshe kundër dhunës ndaj grave me ç'rast synohet sensibilizimi I opinionit në detektimin dhe parandalimin e shkaqeve që çojnë në dhunë ndaj grave.

XS
SM
MD
LG