Ndërlidhjet

Kërkesa e parealizueshme e Listës Serbe


Kërkesa e Listës Serbe për anulimin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në mjediset me shumicë serbe në Kosovë, sipas zyrtarëve të këtij subjekti parlamentar, është një prej kushteve për përfshirjen e saj në partneritet qeverisës.

Lideri i Listës Serbe, Aleksandër Jabllanoviq, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se anulimin e privatizimit e kërkojnë për firmat, privatizimi i të cilave është në kundërshtim me interesat e bashkësisë lokale.

“Kërkojmë që ato firma serish t’iu kthehen bashkësive lokale, sepse është e papranueshme që të ndërtojmë një bashkësi, e cila ekonomikisht nuk është e qëndrueshme. Të gjitha ato forma, të cilat janë shitur në 6 apo 7 vjetët e kaluara, 90 për qind e atyre firmave sot nuk operojnë ose operojnë në ndonjë aktivitet, për të cilin nuk ishin dedikuar”, tha Jabllanoviq.

Në anën tjetër, zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, thonë se ky agjencion zbaton ligjet e miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe se nuk i komenton deklaratat politike.

Ylli Kaloshi, zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, tha për Radion Evropa e Lirë se AKP e ka ekskluzivitetin e privatizimit të pronës shoqërore në territorin e Kosovës, dhe ky mandat buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe nga Kuvendi i Kosovës, përmes Ligjit të AKP-së Nr. 04/L-034 të miratuar po nga ky Kuvend.

“AKP e zhvillon procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe asetet e tyre, sipas Ligjit të saj në gjithë territorin e Kosovës dhe e ka të shtrirë autoritetin e vet në gjithë territorin e Kosovës dhe përveç pesë zyreve të saja regjionale (në Prishtinë, Gjilan, Prizren, Pejë dhe Mitrovicë),ka të hapura dhe funksionale zyre satelitore edhe në vendbanime me shumicë serbë në Shtërpce, Leposaviç e Graçanicë”, u shpreh Kaloshi.

Kaloshi, ka shtuar se AKP ka privatizuar dhe privatizon ndërmarrje dhe asete të tyre edhe në vendbanime me shumicë serbe, dhe sipas tij, ka gjithnjë me shumë ofertues serbë që po marrin pjesë në procesin e privatizimit.

"Pra, në tenderët që i zhvillon AKP marrin pjesë blerës nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, përfshirë edhe komunitetin serbë dhe këtë të drejtë të pjesëmarrjes në tenderët për shitjen e ndërmarrjeve dhe aseteve të tyre e ka të garantuar çdo ofertues që dëshiron të jetë pjesëmarrës në proceset tenderues të AKP-së dhe që i plotëson kriteret e paracaktuara me Ligj e akte nënligjore”, u shpreh Kaloshi.

Ai ka shtuar se në bordin e agjencisë në vazhdimësi ka pasur përfaqësues serbë, ndërkaq që edhe në procesin e privatizimit, po ashtu në vazhdimësi, ka pasur ofertues serbë.

Gjithashtu, sipas tij, punëtorët e komunitetit serbë të angazhuar nëpër ndërmarrje shoqërore, ashtu sikurse të gjithë punëtorët tjerë, përfitojnë nga pjesa e 20 %, në rast se i plotësojnë kriteret e përcaktuara dhe këtë të drejtë, siç ka thënë ai, askush nuk ua ka mohuar dhe s’mund t’ua mohojë.

Ndryshe, kushti i Listës Serbe, për anulimin e privatizimit të ndërmarrjeve në mjediset me shumicë serbe,do të mund të jetësohej vetëm në rast se Kuvendi i Kosovës, në të ardhmen, eventualisht do të vendoste të miratojë ndryshime kushtetuese, lidhur me privatizimin.

Ligjet e reja, eventuale, do ta obligonin Agjencisë Kosovare të Privatizimit që t’i zbatojë ato.

Por, sa është i mundur një zhvillim i tillë?

Njohësi serb i zhvillimeve politike në Kosovë, Rangjel Nojkiq, vlerëson se kushti i Listës Serbe për anulimin e privatizimit nuk është fare real. Sipas tij, secili subjekt parlamentar ka të drejtë të propozoj ndryshime kushtetuese, nëse për një gjë të tillë ka argumente.

Por, në këtë rast, siç thotë ai duhet pasur parasysh nëse ai propozim ka bazë reale për tu miratuar.

“Kur flasim për privatizimin, situata është mjaft e qartë. Në këtë rast, nuk mund të vij deri te ndryshimi i Kushtetutës për shkak se një prej njerëzve që ka nënshkruar për privatizimin, tash është në Listën Serbe, si deputet. Si mund të kërkosh anulimin, para se të kërkosh përgjegjësinë nga ai që me nënshkrim të tij e ka miratuar atë. Sipas meje, është diçka e pa mend të kërkosh anulimin e privatizimit”, tha Nojkiq.

Ai ka vlerësuar se këmbëngulja eventuale e Listës Serbe në këtë kusht mund ta dëmtojë pozitën e këtij subjekti.

Gjithashtu, Nojkiq ka shprehur mendimin se kërkesa e Listës Serbe është më tepër për përdorimin e votuesve, siç i ka quajtur ai, naiv, të cilët, sipas tij, mendojnë se mund të ndryshohet gjithçka me gjithfarë veprimesh.

XS
SM
MD
LG