Ndërlidhjet

Mos konstituimi i institucioneve, shqetësues


Është e pakuptueshme zvarritja e konstituimit të tërësishëm të Kuvendit të Kosovës, si dhe i formimit të qeverisë së re, edhe 2 javë pas marrëveshjes së arritur për koalicion qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë vlerësuar përfaqësuesit e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).

Fakt shqetësues, parësor, sipas tyre është mbetja e më pak se një muaj kohë për miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm dhe koha e mbetur siç kanë vlerësuar ata është e pamjaftueshme që të shqyrtohet, debatohet dhe miratohet buxheti.

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka theksuar se investimetkapitale kanë ngecur si pasojë e mos-rishikimit të buxhetit të këtij viti, si dhe agjencitë e pavarura me rëndësi kyçe për rregullimin dhe ekzekutimin e ligjeve të dikastereve të ndryshëm vazhdojnë të jenë jo-funksionale.

“Krejt këto, kanë ndikuar që besimi i qytetarëve të Kosovës të bie ose të ketë një trend të madh të rënies. Kjo, me gjasë, ka ngjallur edhe tendenca të migrimit jolegal të shumë të rinjve, të cilët ikin nga Kosova. KDI e konsideron si papërgjegjësi politike dhe institucionale, shtyrjen e vazhdimit të seancës plenare për datën 8 dhjetor. Ndërkohë që ne urojmë që kjo kulturë e keqe e papërgjegjësisë politike të mos bartet edhe në punën e koalicionit të ardhëm qeveritar”, tha Selmanaj.

Instituti Demokratik i Kosovës ka bërë thirrje që pa asnjë vonesë të mëtutjeshme, këtë javë të konstituohet Kuvendi i Kosovës , të konsolidohen institucionet dhe trupat parlamentare kyçe, si dhe të zgjidhet kabineti qeveritar.

“Qytetarët presin që Kuvendi të punojë me një dinamikë të shtuar për të përmbushur vakuumin institucional dhe për të realizuar edhe premtimet, të cilat i kanë dhënë edhe në kohën e fushatës parazgjedhore”, tha Selmanaj.

Ndryshe, Instituti Demokratik i Kosovës, ka rekomanduar që pas formimit të institucioneve, Kuvendit dhe Qeverisë, në agjendën e tyre ato të kenë prioritet procedimin e Projektligjit për Buxhetin e vitit të ardhshëm, si dhe zgjedhjen e anëtarëve të Bordeve të Agjencive të pavarura, duke filluar nga ato më tërëndësishmet.

Gjithashtu është kërkuar që si prioritet të jenë: ndryshimet legjislative dhe kushtetuese për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, si dhe miratimin e Rregullores së re të Punës së Kuvendit, të domosdoshme për shmangien e paqartësive që përcollën konsolidimin e institucioneve.

Jetmir Bakija, po ashtu nga Institutit Demokratik të Kosovës ka theksuar se një numër i çështjeve që duhet të jenë prioritet i institucioneve të reja, janë edhe kritere për integrimet evropiane.

“Po ashtu, t’i adresojnë seriozisht problemet me korrupsionin dhe krimin e organizuar, gjë që është shtjelluar mirë edhe në Raportin e progresit, si dhe të iniciojnë konsultimin për strategjinë e zhvillimit ekonomik, me theks të veçantë krijimin e vendeve të punës”, tha Bakija.

Kjo e fundit, sipas zotit Bakija ka qenë edhe premtim i dy partive, tashmë në koalicion qeveritar.

Por, Petar Miletiq, ish-nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga bashkësia etnike serbe, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se problemet me të cilat në gjashtë muajt e fundit është ballafaquar Kosova, janë normale për një vend me demokraci të re.

“Disa nga vërejtjet që janë thënë, qëndrojnë, por disa janë mjaft të ashpra ndaj Kuvendit të Kosovës. Fakti që disa agjenci të pavarura, për shembull, nuk kanë borde drejtuese, për këtë nuk është fajtore gjithmonë vetëm Kuvendi. Kjo vërtetë është një situatë e pakëndshme, por mund të zgjidhet dhe më duket se do të zgjidhet pas vendosjes së shumicës së re parlamentare”, tha Miletiq.

Në mënyrë që institucionet të garantojnë mirëqeverisje dhe integritet, Institutit Demokratik të Kosovës ka thënë se pret nga subjektet politike parlamentare që të jenë racionalë dhe të zvogëlojnë numrin e ministrive dhe stafit politik, si dhe të zgjedhin njerëz të përgjegjshëm, profesional me profil të pastër.

XS
SM
MD
LG