Ndërlidhjet

Sjellje të dhunshme mes nxënësve


Ilustrim
Ilustrim

Sjelljet e dhunshme në mes nxënëseve në shkollat e mesme janë përhapur mjaft shumë në mjediset edukativo-arsimore në Kosovë. Dhuna fizike në mes nxënësve manifestohet në masë më të madhe përmes shtyrjeve, shuplakave dhe goditjeve.

Këto konstatime kanë dalë nga faktet e gjetura në studimin “Dhuna në mesin e nxënësve në sistemin shkollor në Kosovë”, nga Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim.

Ky hulumtim ka përfshirë nxënës të shkollave të mesme të nivelit të ulët dhe të lartë në Kosovë.

Vigan Behluli hulumtues, thekson se është mjaft shqetësuese për shoqërinë në përgjithësi trendi i rritjes së dhunës në shkolla në mesin e nxënësve.

“Në të gjitha diskutimet që i kemi pasur, nxënësit raportojnë se janë dëshmitarë të dhunës nëpër ambientet shkollore, ata përveç dhunës fizike që është dominonte ka prezent të konsiderueshëm edhe të formave tjera të dhunës, siç është dhuna psikologjike që kryesisht manifestohet ndërmjet emrave denigrues”, tregon Behluli.

Hulumtimi vë në pah se në këto rrethana ka një tendencë që dhuna në shkollat e Kosovës të shndërrohet në sistematike, e heshtur dhe e pranuar në mënyrë të përgjithshme nga shoqëria, që në anën tjetër mund të shërbejë si potencial i fshehtë për të dhunuar integritetin e nxënësve dhe të gjithë shoqërisë.

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë e ka quajtur mjaft shqetësuese dhunën e shkaktuar në mes nxënëse në shkolla. Ai ka falur edhe për disa raste që ata i kanë trajtuar.

“Ne kemi takime të rregullta në shkolla, por edhe më fëmijë dhe unë personalisht kam pasur takime dhe i kemi dëgjuar shqetësimet dhe brengat tyre për gjendjen në shkolla. Kemi shumë shqetësime, qoftë për përfshirjen në akte të dhunës midis nxënësve, bartja e mjeteve që mund të kualifikohen si armë të ftohta, por edhe të nxehta”, thekson ai.

Dhuna psikologjike ndërkohë është rritur po ashtu edhe nga mësimdhënësit ndaj nxënësve, tregon hulumtuesi i studimit Vigan Behluli.

“Diçka që është raportuar shpesh është parë që një gjuhë jo korrekte është përdoruar edhe nga mësimdhënësit, terme që nuk do të duhej të përdoreshin prej tyre, dhe ajo shprehje shpesh qarkullon tek të fëmijët që praktikisht ata e kopjojnë atë shprehje”, tregon Behluli.

Për rastet e dhunës së mësimdhënësve ndaj nxënësve, tregon edhe Avokati i Popullit, Sami Kurteshi. Ai bën të ditur që kanë pasur edhe dy raste të dhunës së mësimdhënëse ndaj nxënësve të cilat janë adresuar.

“Kemi dhënë rekomandimet tona për përmirësimin e kësaj gjendje sepse kjo ka qenë shqetësuese dhe mbetet shqetësuese dhe rekomandimet e avokatit të popullitmbeten aktuale. Ne kemi kërkuar që të rritet numri i psikologëve dhe pedagogëve ose të jenë pjesë e personelit, orët e kujdestarisë detyrimisht të futen në programe shkollore të shtohet komunikimi mes mësimdhënësve dhe prindërve më qëllim të adresimit të këtyre problemeve në mënyrë konkrete”, thotë Kurteshi.

Dhuna në mes nxënësve thuhet të këtë pasur burim të përhapjes dështimin për të krijuar një bazë të qëndrueshme të komunikimit dhe të bashkëpunimit në mes autoriteteve shkollore, nxënësve dhe prindërve, mungesa e aftësive të mësimdhënësve si dhe pamundësia e mësimdhënësve që të trajtojnë menaxhimin e klasës pa përdorimin e dënimit fizik.

XS
SM
MD
LG