Ndërlidhjet

Normë e lartë e interesit, ankohen bizneset


Ilustrim
Ilustrim

Bizneset në Kosovë të cila financimin kryesisht e kërkojnë në bankat komerciale që operojnë në vend, tregojnë për kushtet e pafavorshme të financimit.

Ata flasin për norma të larta të interesit, të cilat sipas tyre, po ua dëmtojnë biznesin.

Pronari i Hotelit Sirius në Prishtinë, Sami Ahmeti për Radion Evropa e Lirë, flet për shumat që ai i paguan njërës nga bankat komerciale, ku ai ka marrë kredi.

Për afër 3 milion euro kredi me kohë zgjatje 10 vite, Ahmeti tregon që paguan 23 mijë euro në muaj vetëm interes.

"Kësti mujor është 40 mijë euro, 23 mijë euro janë vetëm interes, borxh kryesor mbetet pjesa tjetër që i bie 14 mijë euro”, sqaron Ahmeti.

Norma e lartë e interesit, tregon Ahmeti, ia ka pamundësuar atij që të rrisë edhe stafin e hotelit për të cilin ai thotë se ka nevojë.

Sipas tij, për investime të tilla që bën biznesi privat e i cili rrjedhimisht kontribuon në punësimin e qytetarëve të Kosovës, norma e interesit nuk do të duhej të ishte më shumë se 3 për qind.

“Për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik kreditë investive gjithsesi do të duhej të kishin norma më të favorshme të interesit dhe do të duhej të kishte edhe greis periudhë, ku një vit apo dy vite deri sa të mbyllet investimi dhe deri sa të starton biznesi të mos paguaj, ndërkaq kthimi i borxhit të fillojë pas fillimit të biznesit”, vlerëson Ahmeti.

Ai kritikon autoritetet kompetente që nuk kanë arritur të krijojnë politika të favorshme fiskale, për bizneset private të cilat janë bartëse të zhvillimit ekonomik të vendit.

Normat efektive të interesit për kredi, sipas raporteve të Bankës Qendrore të Kosovës fillojnë nga 10.8 për qind, por kjo varet nga banka dhe lloji i kredisë.

Shuma e përgjithshme e kredive që qytetarët kanë në bankat komerciale ka arritur në 1.85 miliard euro, kreditë për ndërmarrje vazhdojnë të kenë përqindjen më të lartë, pasuar nga kreditë për ekonomitë familjare.

Normat e larta të interesit janë kritikuar vazhdimisht nga përfaqësues të bizneseve në Kosovë edhe ekspertë të çështjeve bankare.

Milazim Abazi, ekspert i çështjeve bankare në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se normat e larta të interesit kanë ngufatur bizneset në Kosovë. Shumë biznese nuk kanë arritur të zhvillohen për shkak të qasjes së vështirë dhe të shtrenjtënë financa.

“Bizneset kosovare vazhdojnë të paguajnë interesat më të larta në Evropa, për atë edhe ka hezitim të kosovarëve që të investojnë, pasi që çmimi i kapitalit është shumë i lartë”, shprehet Abazi.

Qasja në financa për bizneset në Kosovë , shton Abazi nuk ka pasur ndonjë përmirësim, përkundrazi ka pasur përkeqësim . Sipas tij, më shpjet janë rritur depozitat në banka sesa kredidhënia, që do të thotë se bankat kanë hezituar të japin kredi për bizneset.

Ndryshe, në raporte të shumta si vendore ashtu edhe ndërkombëtare ishte vlerësuar se mungesa e politikave zhvillimore dhe qasja e kufizuar në financa, janë disa nga barrierat që çojnë në vështirësi të mëdha bizneset dhe të cilat mund të jenë si faktorë kontribuues në falimentimin e shumë ndërmarrjeve.

XS
SM
MD
LG