Ndërlidhjet

Koalicioni i shumicës do të dominojë Kuvendin


Lideri i PDK-së Hashim Thaçi dhe lideri i LDK-së Isa Mustafa
Lideri i PDK-së Hashim Thaçi dhe lideri i LDK-së Isa Mustafa

Kuvendi Kosovës nuk mund të ketë probleme në funksionimin e tij pasi që përbërja e koalicioni ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike ka numrat e mjaftueshëm për vendime, kështu të paktën konsiderojnë analistët politike në Prishtinë.

Analisti nga Instituti Demokratike i Kosovës, Driton Selmanaj thotë se marrëveshja politike PDK-LDK dhe numri i deputetëve të tyre në Kuvend do të bëjë që vendimmarrjet të mos kenë probleme.

“Duket që Kuvendi i Kosovës për herë të parë ndoshta mund të ketë një shumicë jashtëzakonisht të madhe të deputetëve, të cilët janë pjesë e një koalicioni qeverisës dhe shumë lehtë mund të ndikojnë që të shtyjnë të gjitha agjendat, të gjitha obligimet që ka Kosova në rrafshin e brendshëm, por edhe në rrafshin e jashtëm”, tha Selmanaj.

Edhe analisti politik Halil Matoshti thotë se partitë e mëdha që e përbejnë shumicën në Kuvendin e Kosovës, nuk do të kenë problem sa i takon çështjes së votave apo numrave.

Megjithatë Matoshi mendon se në legjislaturën e pestë të Kuvendit të Kosovës do të ketë një debat të ashpër.

“Ky koalicion dhe krejt marrëveshja konsiston në faktin për të marrë pushtete personale njerëzit e fuqishëm të Kosovës, ndërkaq që nuk është një pushtet që e ka derivuar votat e 8 qershorit dhe shoqëria kosovare përgjithësisht”, tha Matoshti.

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratike i Kosovës, institut ky që bën monitorimin e punës së Kuvendit, thotë se përveç kryetarit të ri të Kuvendit, përbërja tjetër është një përsëritje.

“Për kryetarin e Kuvendit mund të them se ai është një figurë e cila në biografinë e tij ngjallë shumë pikëpyetje por mbetet të shihet në të ardhmen se si mund të sqarohet biografia e tij, sepse në opinion nuk duket krejtësisht e pastër. Pra them se është një kryesi e cila është një përsëritje e së kaluarës”, tha Selmanaj.

Për zgjedhjen e Kadri Veselit në krye të Kuvendit të Kosovës, Matoshi thotë se ai vjen nga ish struktura e Shërbimit Informativ të Kosovës, për të cilat struktura sipas Matoshti, Kuvendi i Kosovës nuk din asgjë.

“Dikush do të kërkojë në Kuvendin e Kosovës që edhe çështja e SHIK-ut të sqarohet”, tha Matoshti.

Sidoqoftë, përfaqësuesit e organizatave joqeveritar që kanë monitoruar punën e Kuvendit, thonë se është e rëndësishme që tashmë Kuvendi i Kosovës ka një udhëheqje, pasi që sipas tyre, shumë çështje kanë mbetur pa u përfunduar

XS
SM
MD
LG