Ndërlidhjet

Vendimet që thellojnë hendekun e ndasive


Ilustrim
Ilustrim

Miratimi i vendimeve pa konsultime të gjëra, në veçanti i atyre që kanë të bëjnë me raportet ndërentike, nuk i kontribuon rritjes së besimit mes bashkësive entike, përkundrazi, nxit tensione të cilat thellojnë edhe më shumë hendekun e dallimeve ndëretnike në shtet.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike duke komentuar propozimin e qeverisë për stemën e re, me luanin në të, që vlerësohet të jetë më shumë simbol i VMRO-së, se sa element që bashkon popujt e Maqedonisë, siç pretendohet në arsyetimin e qeverisë.

“Tentimi që stema e shtetit të bëhet një simbol partiak, është i rrezikshëm edhe për demokracinë edhe për shtetin për faktin se VMRO-ja në këtë mënyrë tenton krejtësisht të privatizoj shtetin. Ajo mendon se me antikvizimin ka përfunduar dhe tani duhet të bëhet një shtet i VMRO-së".

"Mirëpo nga ana tjetër kjo hap edhe jo-legjitimitetin e këtij akti si dhe shpërqëndrimin e vëmendjes së opinionit rreth një problemi të madh, ndoshta në pyetje është “bomba“e Zaevit apo ndonjë siklet tjetër, andaj populli duhet të merret me stemën dhe jo me problemet serioze që janë apo ato që pritet të pasojnë”, tha Alajdin Demiri, njohës i çështjeve politike.

Analisti maqedon, Zdravko Savevski thotë se fakti që ministrat e BDI-së, nuk kanë kundërshtuar stemën e re që sipas tij është një etnike dëshmon se për partitë në pushtet më me rëndësi është shpërqëndrimi i vëmendjes së opinionit nga problemet reale, qoftë me nxitjen edhe të çështjeve që kanë të bëjnë me raportet ndërentike.

Savevski beson se protestat e paralajmëruara për dy ditë më vonë nga studentët, paralajmërimi i publikimit të aferave të ndryshme nga ana e opozitës për punën e qeverisë, mund të jenë disa nga shkaqet që partitë në pushtet të kenë zgjedhur momentin e tanishëm për nxjerrjen e propozimit për stemën e re.

“E tërë situata me stemën ka si qëllim shpërqëndrimin e vëmendjes së opinionit nga problemet reale. Kështu nuk përjashtoj as sfidën e qeverisë me protestën studentore që nuk ka pritur të jetë aq masive. Ministrat e BDI-së, të cilët duhej të jenë të pakënaqur për karakterin mono-etnik të stemës, nuk reaguan pasi së bashku me VMRO DPMNE-në, ndajnë problemin e përbashkët, pakënaqësinë e madhe të popullit kundër qeverisë".

"Prandaj ato dolën me propozimin për të tërhequr vëmendjen e opinionit nga problemet reale ndërkohë që nuk janë të vëtëdijshme dhe me akte të tilla, vazhdojnë të shkaktojnë probleme tjera, në veçanti në planin ndëretnik. Bëhet fjalë për projekte të mëdha që kërkojnë konsultime të gjithanshme”, deklaroi analisti Zdravko Savevski.

Ndryshe, stema e re pritet të zëvendësojë stemën me elemente të ish regjimit komunist, e cila gjatë peridhës së deritshme të demokracisë ka pësuar vetëm se një ndryshim, atë të heqjes së yllit mbi të.

Stema e re pavarësisht se nga BDI-ja është prezantaur si e pranishme edhe për shqiptarët me arsyetimin se disa principata shqiptare e qytete kishin luanë në stemat e tyre, vazhdon të kundërshtohet nga historianët dhe intelekatualët e sferave të ndryshme. Ata thonë se stema e propozuar nuk ka asgjë të përbashkët me shqiptarët.

Kundër propozimit kanë dalë edhe ish deputetët e përbërjes së parë parlamentare të pluralizimit, duke thënë se ata që atë kohë kishin refuzuar një propozim të tillë, me arsyetimin se është monoentike, por është edhe partiak, apo simbol i partisë VMRO-DPMNE, e kryeministrit Nikolla Gruevski.

XS
SM
MD
LG