Ndërlidhjet

Shtohen pakënaqësitë për stemën e re të Maqedonisë


Pakënaqësi në radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim lidhur me draftin për stemën e re të Maqedonisë, e cila fillimisht kishte kaluar në një nga mbledhjet e qeverisë, por propozimi, ka nxitur reagime të shumta në opinion.

Çështja është ngritur për debat edhe në mbledhjen e kryesisë së BDI-së, me vlerësimin se stema me një luan të kuq në një sfond në verdhë, nuk ka asgjë të përbashkët me shqiptarët dhe si e tillë nuk reflekton karakterin e shtetit shumetnik.

Nga partia zyrtarisht nuk flasin për kundërshtime edhe pse kërkojnë konsultime të gjera në opinion, përkundër faktit se ajo fillimisht ishte pranuar nga ministrat shqiptarë në mbledhjen e qeverisë.

“Kryesia qendrore në përbërje të zgjeruar ka konstatuar nevojën për ndryshim të stemës aktuale, që do të paraqiste shkëputje përfundimtare nga e kaluara komuniste dhe nga ndikimi sovjetik në simbolet e shtetit, si dhe do të reflektojë orientimin tonë perëndimor në përputhje me përcaktimet tona strategjike për integrim euroatlantik. Me këtë rast, u theksua nevoja për konsultim më të gjerë me përfshirje të ekspertëve të fushës heraldike dhe historisë”, thuhet në komunikatën e BDI-së.

Por, jo zyrtarisht, disa nga deputetët e kësaj partie janë shprehur kundër propozimit ndërsa janë kërcënuar edhe më dorëheqje, përfshirë edhe ministren e Drejtësisë nga radhët e kësaj partie, e cila edhe do të propozojë stemën që duhet të miratohet në Kuvend.

Pakënaqësitë, siç bëhet e ditur, e të cilat i transmetojnë edhe mediat vendore, kanë të bëjnë me faktin se për propozimin nuk është diskutuar më parë në kryesi, por se për të janë marrë vesh liderët e koalicionit qeverisës, Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së dhe Nikolla Gruevski, kryeministër dhe kryetar i VMRO-DPMEN-së.

Njohësit e çështjeve politike, thonë se pikërisht marrëveshjet e tilla mes liderëve tregojnë për mungesën e demokracisë që ekziston te partitë në Maqedoni.

“Fakti që kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka arritur një marrëveshje me kryeministrin Nikolla Gruevski, d.m.th se që të dy veprojnë në mënyrë diktatoriale pasi mendojnë se mjafton që ata të dy të merren vesh dhe procedura të ecë. Mirëpo, mbledhja e fundit e kryesisë së partisë hapi edhe dilemën se si funksionon kjo parti".

"Nëse deri tani në mënyrë servile të gjitha e kanë dëgjuar zotin Ahmeti për çdo gjë që ka bërë, tani si duket ka ardhur edhe momentin për kthjellim. Gjithë kjo tregon se politika në Maqedoni është diktatoriale edhe atë falë liderëve të tyre dhe kjo besoj se do të hapë edhe procedurën e demokratizimit të brendshëm të partive politike“, thotë Alajdin Demiri, njohës i çështjeve politike.

Ndërkohë, vlerësime të ndryshme për stemën ka edhe në mesin e historianëve. Ata maqedonas kundërshtojnë pretendimet se stema ka të bëjë me të kaluarën historike të Bullgarisë, apo se është simbol partiak i VMRO-DPMNE-së.

“Luani ka jetuar në territorin e Maqedonisë që nga koha antike dhe këtë e vërtetojnë burimet historike, me paraqitjen e organizatës revolucionare maqedonase, në veçanti në periudhën e Ilindenit. Mendoj se nuk ekziston flamur kryengritjeje në të cilën nuk gjendet në njërën anë vajza që simbolizon Maqedoninë ndërsa në anën tjetër luani”, vlerëson Millan Boshkovski, nga Instituti i historisë maqedonase.

Por, Alajdin Demiri, thotë se nuk mund të kontestohet fakti se stema e propozuar është thuajse e ngjashme me atë të VMRO-së dhe me stemën e Bullgarisë, që, sipas tij, do të nxis tensione edhe me këtë shtet fqinj përveç atij me Greqinë për çështjen e emrit.

Demiri thotë se nuk ka dilema që kjo stemë nuk ka asgjë të përbashkët me shqiptarët.

"Zgjedhja e stemës është simbol partiak por edhe problematik. VMRO-DPMNE-ja e kryeministrit Gruevski zgjodhi një stemë e cila është problematike për të gjithë fqinjët dhe qytetarët e tjerë që jetojnë këtu, por jo edhe për këtë parti politike. Pra, me këtë stemë problematizohen raportet me Bullgarinë ndërsa hapen edhe dilema se çfarë do të ndodhë në Maqedoni“, thotë Demiri.

Stema e re duhet të miratohet në Kuvend me dy të tretat e votave si dhe me parimin e Badenterit, do të thotë, me shumicën e votave të deputetëve që i takojnë pjesëtarëve të bashkësive etnike.

Shumica parlamentare aktualisht ka këtë shumicë, por stema mund të dështoj nëse deputetët e pakënaqur të BDI-së votojnë kundër saj.

XS
SM
MD
LG