Ndërlidhjet

BE konfirmon politikën e zgjerimit


Bruksel
Bruksel

Në Bruksel ka përfunduar takimi i ministrave të Bashkimit Evropian në kuadër të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, në të cilin janë miratuar edhe konkluzat për procesin e zgjerimit dhe për procesin e stabilizim-asociimit.

Ministrat kanë shprehur përkushtimin e BE-së për të vazhduar procesin e zgjerimit, të cilin e konsiderojnë si kyç në përpjekjet për ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, të stabilitetit dhe të prosperitetit në tërë kontinentin e Evropës.

Kështu, vendet e Ballkanit Perëndimor janë porositur se mund të vazhdojnë përafrimin e tyre me BE-në, por gjithmonë duke respektuar kushtet që i parashtron BE-ja dhe procesi i integrimit.

Sa i përket Kosovës, ministrat, në këto konkluza, kanë përshëndetur krijimin e institucioneve të reja dhe u kanë bërë ftesë atyre që të vazhdojnë reformat e administratës publike, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe sigurimin e pavarësisë së gjyqësorit.

Po ashtu nga autoritetet e Kosovës është kërkuar që të zbatojnë obligimet e tyre politike për të miratuar të gjitha ligjet e nevojshme që do të mundësonin krijimin e një gjykate speciale, e cila do të merrej me rastet që do të ngriteshin sipas hetimeve të Task-Forcës Speciale Hetuese.

Edhe nga Kosova, edhe nga Serbia është kërkuar që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialog.

Të dyja këto vende janë rikujtuar se normalizimi i raporteve mes tyre është kyç për vazhdimin e përafrimit me BE-në, në mënyrë që asnjëra palë të mos mund ta pengojë tjetrën në këtë proces.

Edhe pse ka pasur përpjekje të mëdha të presidentes italiane të Bashkimit Evropian për të nisur negociatat për kapitujt e parë, në procesin e bisedimeve të anëtarësimit me Serbinë, brenda BE-së nuk ka pasur konsensus që kjo të ndodhë.

Disa shtete kanë insistuar që së pari duhet të hapet kapitulli i 35-të, që në rastin e Serbisë përfshin procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën.

Sa i përket Maqedonisë, është përsëritur edhe një herë se ky shtet duhet të zgjidhë kontestin me emrin me Greqinë, nëse do që të plotësojë kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Ministrat u kanë bërë thirrje edhe partive politike në Shqipëri që dialogun dhe debatin politik ta zhvillojnë në institucione, pra duke i bërë ftesë opozitës që të kthehet në parlament.

E njëjta thirrje u është bërë edhe deputetëve opozitarë të Parlamentit të Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG