Ndërlidhjet

Rusia mbron rublën, por monedha vazhdon të bie


Rubla ruse
Rubla ruse

Banka Qendrore e Rusisë ka rritur normën e saj bazë të interesit në 17 për qind, nga 10.5 për qind. Kjo, për të nxitur rusët që të fusin rubla në bankat ruse, duke iu ofruar atyre më shumë interes në këmbim.

Kjo, nga ana tjetër, ka për qëllim edhe të reduktojë sasinë e rublave në qarkullim dhe në këtë mënyrë, ta bëjë më të shtrenjtë për tregtarët e monedhës që të blejnë rubla dhe t’i shesin ato në tregun e hapur.

Deri më tash, strategjia e Bankës Qendrore nuk duket se ka bërë punë. Rubla ka mbetur në rënie të lirë, duke arritur në afro 80 kundrejt dollarit.

Është ende herët të dihet nëse aksioni i Bankës Qendrore do ta stabilizojë monedhën në një afat më të gjatë.

Megjithatë, analistët kanë nisur të flasin për panik në tregun e monedhës, sepse përpjekjet e mëparshme të Bankës nuk kanë arritur ta frenojnë rënien e saj.

“Duket të jetë një krizë e pritshme e monedhës, sepse rubla ka vazhduar të dobësohet, pa marrë parasysh se çfarë ka bërë Banka Qendrore e Rusisë gjatë javëve të kaluara”, thotë Liza Ermolenko, specialiste e tregut në zhvillim, në Institutin e Ekonomisë Kapitale në Londër.

“Natyrisht, një nga faktorët kryesorë është rënia e çmimit të naftës, por as kjo nuk e shpjegon plotësisht se çfarë ka ndodhur me rublën. Kështu që është vetëm humbja e besimit në Bankën Qendrore Ruse dhe paniku i përgjithshëm në treg që kanë bërë që rubla të dobësohet kaq shumë”, shton Ermolenko.

Deri më tani, këtë vit, Rusia ka shpenzuar rreth 80 miliardë dollarë të rezervave të huaja monetare për të blerë rubla në tregjet e këmbimit dhe për të ngadalësuar rrëshqitjen e saj.

Banka Qendrore ka rritur normën e saj të kreditimit pesë herë këtë vit, por në sasi më të vogla.

A mund të bëjë ende punë rritja e normës së interesit? Drejtori i Bankës Qendrore të Rusisë thotë jo. Por, kryetarja Elvira Nabiullina ka thënë më 16 dhjetor se vlera e rublës nuk do të ndikohet menjëherë nga rritja e normës dhe se rublës do t’i duhet “ca kohë” para se të gjejë vlerën e drejtë.

Është e vërtetë se rritja dramatike e normës së interesit mund të forcojë monedhën, duke reduktuar në mënyrë efektive sasinë e parave në qarkullimin publik.

Por, fatkeqësisht për Rusinë, ky hap vjen në kohën kur ekonomia e saj është në agoni.

Ky është një dallim i rëndësishëm, sepse një ekonomi e dobët ushtron presion të vazhdueshëm në monedhë, duke inkurajuar qetetarët që të konvertojnë paratë e tyre në monedha më të forta, që mbështeten nga ekonomi më të forta.

Në anën tjetër, rritja tutje e normës së interesit do ta bënte të vështirë për bizneset dhe familjet që të marrin kredi me kosto të ulët të interesit dhe kreditë që u duhen, për të vazhduar prodhimin apo blerjen e produkteve të reja.

Ekonomia e Rusisë tashmë është ngadalësuar aq shumë, saqë ekonomistët parashohin se do të shkojë në recesion vitin e ardhshëm.

Banka Qendrore e Rusisë ka thënë se bruto prodhimi i brendshëm mund të tkurret për 4.7 për qind në vitin 2015, nëse çmimet e naftës mbesin në 60 dollarë për fuçi.

Tani, stresi nga normat e larta të interesit mund ta shpejtojë dhe thellojë procesin.

“Askush nuk duket se mendon se çfarë do të ndodhë me ekonominë, pasi prioritet është të ndalohet rënia e rublës”, thotë Slava Breusov, analiste në kompaninë e menaxhimit të investimeve Alliance Bernstein LP, me seli në Nju Jork.

Dhe, nëse rubla vazhdon të bie, hapat e mëtejmë janë pothuajse të sigurt.

Ermolenko mendon se zgjidhja më e mundshme për Rusinë do të ishte futja e disa kontrolleve të buta të kapitalit, që kufizojnë lëvizjen e lirë të parave përtej kufijve të saj.

Kontrollet e kapitalit largojnë presionin nga monedha, por ndërhyjnë drejtpërdrejt në funksionimin e tregut të lirë dhe dëmtojnë rëndë besimin e investitorëve të huaj në vend.

Sergei Markov, një analist politik që mbështet Kremlinin, ka shkruar së fundi në portalin Vzglyad.ru se “meqë arsyet e rënies së rublës janë politike, edhe përgjigjja duhet të jetë politike”.

Ai ka sugjeruar miratimin e një ligji që u ndalon kompanive ruse të shlyejnë borxhet ndaj partnerëve perëndimorë, nëse rubla bie nën pragje të specifikuara.

Por, çelësi për rimëkëmbjen e ekonomisë ruse mbetet te çmimi i naftës. Të ardhurat e energjisë përbëjnë rreth gjysmën e të ardhurave të buxhetit të qeverisë dhe rënia globale e çmimeve të naftës nën 60 dollarë për fuçi ka shkurtuar ashpër të ardhurat e Rusisë.

Rusia kërkon rreth 100 dollarë për fuçi të naftës, për të balancuar buxhetin e saj federal.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG