Ndërlidhjet

Nuk ka azil për qytetarët e Kosovës


Autoritetet në Kosovë dhe përfaqësues të ambasadave të vendeve evropiane iu kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos migrojnë në mënyrë të paligjshme, pasi që përpjekjet e tyre janë të kushtueshme dhe të kota.

Ata kanë ritheksuar se vendet e Evropës nuk pranojnë më azilkërkues nga Kosova.

Në një konferencë për media, ministri i Punëve të Brendshme në qeverinë e Kosovës, Skender Hyseni ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës që të mos bien pre e grupeve kriminale të cilët në mënyrë të paligjshme po mundohen të dërgojnë qytetarët jashtë vendit.

“Qytetarët e Kosovës po paguajnë para të majme, po shesin prona për ta futur veten në telashe. Unë iu bëjë thirrje që të mos e bëjnë këtë sepse 99. 9 për qind e rasteve asnjëri prej tyre nuk do t’i garantohet azil në vendet ku po arrijnë, të gjithë do të kthehen dhe më të varfër sesa që kanë shkuar”, ka shtuar Hyseni.

Hyseni ka theksuar se grupet që po mundësojnë migrimin e paligjshëm të qytetarëve të Kosovës do të kenë punë me rendin dhe ligjin në Kosovë dhe se nuk do të lejojnë të pasurohet askush mbi kurrizin dhe fatkeqësinë e qytetarëve të vendit.

Hyseni ka bërë të ditur se janë ngritur mbi 230 kallëzime penale dhe janë duke u zhvilluar hetime të gjithanshme, të agjencioneve, të individëve dhe grupeve të organizuara që janë përfshirë, siç tha ai, në mashtrime ordinere që po iu bëjnë qytetarëve të Kosovës.

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets pas takimit me ministrin Hyseni, ka bërë të ditur se në muajin e fundit ka pasur një rritje të kërkesave të qytetarëve të Kosovës për azil në Gjermani, por që 100 për qind e kërkesave për azil të qytetarëve të Kosovës refuzohen.

“Kosova nuk është vend në të cilin zakonisht ka arsye për dhënie të drejtës për azil, siç është për shembull përndjekja. Ai i cili është në një situatë të rendë ekonomike nuk ka të drejtë që të bëjë kërkesë për azil, kështu që kosovarët të cilët vinë te ne kanë shumë pak shpresa për të fituar në mënyrë të suksesshme të drejtën e azilit”, ka shtuar Viets.

Në takim më ministrin e Punëve të Brendshme Skender Hyseni, ku është diskutuar për migrimin e paligjshëm, ka qenë edhe ambasadori i Austrisë në Kosovë Johann Brieger, i cili po ashtu ka bërë të ditur se edhe Austria nuk ofron azil për qytetarët e Kosovës.

Sipas tij, të vetmit përfitues nga migrimi i paligjshëm janë bandat e trafikantëve të cilët po iu premtojnë qytetarëve të Kosovës diçka që nuk mund ta realizojnë.

“Në vitin 2009 Austria ka kategorizuar Kosovën një vend të sigurt dhe edhe në Austri është një situatë e tillë ku pranohen kërkesat për azil për kosovarët”, ka theksuar Brieger, duke shtuar se çdo qëndrim ilegal në shtetet e Bashkimit Evropiane dënohet edhe më gjoba deri në 7,500 euro.

Ambasadorët e të dy shteteve i kanë bërë të ditur qytetarëve të Kosovës se migrimi i paligjshëm është një dukuri që po e vështirëson edhe procesin e liberalizmit të vizave.

Ata kanë kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të krijojnë kushte më të mira ekonomike dhe sociale për qytetarët, në mënyrë që të ndalohet migrimi i paligjshëm.

Ndërkohë, përmes një komunikate për media të lëshuar nga Ministria e Integrimeve Evropiane është rikonfirmuar se edhe në Belgjikë shanset janë shumë të ulëta se kërkesat për azil të kosovarëve do të miratohen, pasi që Kosova është në listën e vendeve të sigurta.

Ndryshe, sipas disa hulumtimeve të bëra nga organizatat joqeveritare është theksuar se trendi në rritje i migrimit të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve perëndimore është shkaktuar nga niveli i lartë i papunësisë te të rinjtë.

XS
SM
MD
LG