Ndërlidhjet

Jahjaga: Qytetarët po ikin, ne kemi përgjegjësi


Kosova ka një demokraci të brishtë dhe mbetet ende larg realizimit të vizionit të saj për një shtet demokratik, ka deklaruar Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Këto komente, Jahjaga i ka bërë gjatë adresimit të saj vjetor para Kuvendit të Kosovës.

Për ngecjet dhe dështimet, Jahjaga ka thënë se fajtori nuk duhet kërkuar te faktori ndërkombëtar, duke mos i kursyer nga kritikat partitë politike dhe institucionet vendore.

Fillimisht, Presidentja ka folur për procesin e stërzgjatur rreth formimit të institucioneve të reja.

Ajo ka thënë se ka vërejtur jo vetëm probleme e paqartësi kushtetuese, por edhe pengesa që vinin nga interesat personale të politikanëve.

"Bllokada politike që e përshkoi procesin e konstituimit të këtij Kuvendi dhe të kësaj qeverie, u detyrova shpesh të bëj thirrje për të lënë anash interesat e ngushta individuale dhe partiake, armiqësitë që ishin më shumë personale sesa konceptuale. Ishte rol i vështirë në një situatë të nderë, të polarizimit të skajshëm të skenës politike, plot tension dhe acarim", ka thënë Jahjaga.

Një theks të veçantë, Jahjaga ia ka kushtuar edhe dukurisë së largimit të qytetarëve të Kosovës jashtë vendit.

Ajo i ka paralajmëruar deputetët se pamjet e sotme të qyteteve ku të rinjtë e papunë sillen vërdallë, mund të kthehen në pamje të qyteteve fantazmë, kur të rinjtë do të bredhin jashtë vendit.

"Skenat e të rinjve të papunë, që bredhin shesheve të qyteteve tona, qytete këto që gradualisht rrezikojnë të shndërrohen në qytete-fantazmë, apo skenat e radhëve të gjata për të blerë bileta një-drejtimëshe drejt adresave fiktive dhe të paqena të shpëtimit, duhet të na e trazojnë shpirtin, të na lënë pa gjumë. Ne bartim përgjegjësi për ëndrrat e parealizuara dhe zhgënjimin e qytetarëve me shtetin e Kosovës'', është shprehur Jahjaga.

Përderisa Kosova mbetet vendi më i izoluar në Evropë, Jahjaga i ka rikujtuar si institucionet ashtu edhe partitë politike për dështimet që po e mbajnë peng liberalizimin e vizave.

"Është e pakuptimtë që Kosova të jetë vendi më i izoluar në Evropë dhe lëvizja e qytetarëve të saj sot të mbetet peng i një sërë detajesh – për shembull të zbatimin e ligjit për financimin e partive politike, pajisjen me internet nëpër pikat kufitare, e deri te emërimet në Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës – që lehtë mund të përmbushen", ka deklaruar Presidentja.

Presidentja Jahjaga edhe këtë herë ka qenë mjaftë kategorike në kërkesën e saj për luftimin e grupeve ekstremiste, duke theksuar se Kosova nuk mund të jetë strehë e as çerdhe e terrorizmit dhe ekstremizmit.

"Kemi vepruar pa hezitim, sepse Kosova kurrë nuk do të bëhet vatër e ekstremizmit dhe strehë e terroristëve. Janë marrë masat që pengojnë aktivitetet terroriste, të cilat rrezikojnë sigurinë e qytetarëve të Kosovës dhe do të vazhdojmë të jemi të përkushtuar që Kosova të mos bëhet çerdhe e këtyre forcave të errëta regresive të cilat po tentojnë t’i lëshojnë rrënjët në shtetin e Kosovës", ka theksuar Jahjaga.

Në pjesën e fundit të adresimit të saj, Jahjaga e ka rikujtuar qeverinë dhe përbërjen e re të Kuvendit se do të ballafaqohen me dy sfida që nuk mund të shmangen.

Vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve, si dhe formimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës.

"Kosova duhet të qëndrojë stoike edhe përballë sprovës së radhës që ndërlidhet me të kaluarën tonë të dhimbshme. Kuvendi i Kosovës ka mbështetur krijimin e Gjykatës Speciale, e cila do t’i adresojë akuzat për krime lufte që dalin nga raporti i Këshillit të Evropës të vitit 2010 dhe duhet sa më shpejt të përmbushë obligimin e vet për themelimin e saj si dëshmi që jemi shtet i ndërtuar mbi parimin e drejtësisë për të gjithë", ka thënë Presidentja e Kosovës.

Fjalimi i presidentes është bojkotuar nga opozita.

Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Jahjaga ishte treguar e njëanshme në ndërmjetësimin e saj për formimin e qeverisë së re të Kosovës, duke favorizuar koalicionin PDK-LDK.

“Ne dolëm prej salle kur presidentja filloi adresimin. Këtë e bëmë në shenjë proteste për punën e saj gjatë këtij viti, gjatë të cilit ajo e ka luajtur një rol jashtëzakonisht negativ, në kohën kur themeloheshin institucionet dhe në kohën kur PDK e bllokonte seancën e Kuvendit dhe përmes Gjykatës Kushtetuese e bllokonte plotësisht formimin e institucioneve dhe bllokonte realizimin e vullnetit të shumicës së votuesve", ka thënë Ymeri.

Ndërkohë, edhe dy partitë tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma e kanë fajësuar Jahjagën për qasje të njëanshme dhe jo korrektësi në procesin e ndërmjetësimit të saj për qeverinë e re.

XS
SM
MD
LG