Ndërlidhjet

Putin premton rimëkëmbje të ekonomisë ruse


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka akuzuar Perëndimin për ngritjen e një Muri “virtual” të Berlinit dhe ka premtuar se ekonomia ruse do të rimëkëmbet brenda dy vjetësh.

Ai ka mbajtur të enjten konferencën vjetore për media. Duke folur para qindra gazetarëve në Kremlin, Putin ka thënë se ngushticat financiare të Rusisë janë provokuar nga faktorë kryesisht të jashtëm.

“Natyrisht, situta e tanishme është provokuar kryesisht nga faktorë të jashtëm. Megjithatë, e dimë se shumëçka prej asaj që është planifikuar për zgjerimin e ekonomisë sonë gjatë 20 vjetëve të fundit, nuk është zbatuar”, ka thënë Putin.

Për shkak të rënies globale të çmimeve të naftës dhe sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të rolit të saj në konfliktin në Ukrainë, rubla ruse ka rënë në nivele rekorde kundër dollarit dhe euros.

Rrëshqitja e saj ka shkaktuar frikë për rënien në recesion të ekonomisë ruse.

“Besoj se edhe Banka Qendrore, edhe qeveria janë duke ndërmarrë hapa adekuatë, marrë parasysh situatën aktuale”, ka thënë Putin.

“Ekonomia jonë do të dalë nga kjo krizë. Për sa kohë? Ndoshta dy vjet, por pas kësaj, rritja është e pashmangshme”, ka shtuar Putin.

Duke përdorur gjuhë luftarake, Putin e ka portretizuar Kievin si keqbërës në konfliktin në Ukrainë dhe Shetet e Bashkuara e Bashkimin Evropian si agresorë në konfrontimin midis Moskës dhe Perëndimit.

“Ne nuk jemi duke sulmuar askënd në kuptimin politik, ne jemi duke mbrojtur interesat tanë. Partnerët perëndimorë, sidomos amerikanët, nuk e pëlqejnë këtë”, ka thënë Putin.

Sipas tij, Kievi po kryen “operacion ndëshkues” në lindje të Ukrainës, ku mbi 4,700 njerëz janë vrarë prejse ka nisur konflikti midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë në muajin prill.

Putin ka thënë se Rusia do që Ukraina të mbetet një njësi e vetme politike, porse fundi i konfliktit “varet nga të tjerët”. Ai ka shtuar se presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, do zgjidhje paqësore, por të tjerët duan “të luftojnë derisa të fitojnë” dhe dëmtojnë përpjekjet për paqe.

Putin ka përmendur zgjerimin lindor të NATO-s pas rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991 dhe zhvillimin e mburojes antiraketore nga Shtetet e Bashkuara si dëshmi të përpjekjeve për të ndërtuar një pengesë të re në Evropë dhe ka thënë se pozicioni i Rusisë ndaj Ukrainës duhet të jetë sinjal për Perëndimin që të ndalojë.

Ai ka thënë se Perëndimi u ka ofruar ndihmë direkte terroristëve në Kaukazin Verior dhe ka shtuar se SHBA-ja dhe BE-ja nuk do t’i ndalin kurrë përpjekjet për ta zmbrapsur Rusinë.

Putin, prejse ka marrë pushtetin më 1999, qoftë si president apo kryeministër, ka përdorur fjalimin vjetor për të arsyetuar qëndrimet e tij brenda vendit dhe për të dërguar sinjale te Perëndimi.

Fjalimi i sivjetmë ka ardhur në kohën kur Rusia ndodhet në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për shkak të konfliktit në Ukrainë dhe rënies së rublës.

Rusia ka aneksuar Krimenë në muajin mars, pasi protestuesit kanë rrëzuar nga pushteti presidentin e Ukrainës, Viktor Yanukovych, i cili është tërhequr nga përafrimi me BE-në, në favor të lidhjeve më të afërta me Rusinë.

Qeveria e re pro-perëndimore e Kievit dhe NATO-ja akuzojnë Moskën për dërgimin e armëve dhe të trupave në Ukrainë, për t’iu ndihmuar rebelëve pro-rusë, të cilët kanë marrë nën kontroll disa rajone lindore.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG