Ndërlidhjet

Kosova ende pa ligj për të drejtat e fëmijëve


Kosova nuk ka ligj për mbrojtjen e fëmijëve. Gjatë vitit 2013, ka filluar të hartohet Ligji për mbrojtjen e fëmijëve, i cili vazhdon të jetë në proces.

Autoritetet e rendit kanë deklaruar se numri i rasteve me fëmijë të abuzuar, të cilët raportohen gjatë një viti, është rreth 200 .

Naser Lajçi, menaxher i programit për të drejtat e fëmijëve në organizatën ‘’Syri i vizionit’’, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se sa i përket mangësive ligjore në fushën për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, ka mungesë të ligjit bazik për të drejtat e fëmijëve.

"Institutcionet nuk kanë plane konkrete vepruese dhe buxhet të vecantë për fëmijët, akoma fëmijët nuk janë pjesë e politikave të agjendave të tyre ditore dhe vjetore. Të drejtat e fëmijëve shkelen në shumë fusha, si në aspektin e edukimit, mirqenies sociale, të drejtës në vendimmarrje . Kanë dalë rekomandime në nivel komune, ku do të duhej të bëhet plotësim ndryshimi i disa ligjeve, si ai i asistencës sociale që prek fëmijët dhe arsimin parauniversitar".

"Gjithashtu një shqetësim që është identifikuar, është mosha penale për të mitur të zbritet nga 14 në moshën 12 , e që mendojmë që do t'i ndalonte shumë dukuri dhe do t'i mundësonte institutcionet të punojnë me ata fëmijë që binë në kundështim me ligjin".

Zoti Lajci gjithashtu ka shtuar se raportet ndër institutcionale duhet të rregullohen.

"Gjithashtu mungesa e komunikimit dhe koordinimit të mirëfillt në nivel komunal dhe qëndror, po ndikon që të mos zbatohen ligjet ashtu si duhet, të mos kemi mekanizma funksional dhe gjithë kjo reflekton në shkeljen e të drejtave të fëmijëve"

Nazim Cakolli, nga Qendra për Punë dhe Mirëqenie Sociale, ka deklaruar se institutcioni në fjalë bën mbrojtjen e fëmijëve kryesisht pa përkujdesje prindërore, duke ndarë edhe një shumë të caktuar parash.

"Në mënyrë të veçant i kushtojmë rëndësi mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Ne bëjmë mbrojtjen e fëmijëve përmes kujdestarisë, strehihimit familjar, strehimit residencial dhe adoptimit. Me përpikmëri bën përpjekje që tu vihet në ndihmë fëmijëve".

"Ekzistojnë edhe burime financiare të veçanta për kujdesjen e fëmijëve pa përkujdesje prindërore që në mënyrë të vazhdueshme bën mbrojtjen e fëmijëve përkatësisht familjarëve që i kanë në mbikqyrje këta fëmijë.Shuma e cila ndahet për fëmijët nën përkujdeje familjare është 75 euro, derisa për fëmijët të cilët kujdestaria u besohet jashtë farefisit, është 150 euro".

Edhe Armend Mustafa, ekspert i fushës së të drejtave të fëmijëve, ka përmendur disa fusha ku sipas tij mendohet se ka diskriminim dhe u shkelen të drejtat fëmijëve.

"Disa nga problemet që hasen në nivel lokal është dhuna në shkolla, pastaj mënyra se si të merremi me ta, braktisja e shkollës, pastaj kërkim lëmosha e që kërkojnë një zgjidhje".

"Gjithashtu nuk ka ndarje të buxhetit për shërbime për fëmijë, një ndër problemet kyce. Një ndër rekomandimet tona është të nxjerret ligji sa më shpejtë, dhe të adresohet për mbrojtjen e fëmijëve".

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve që merren me të drejtat e fëmijëve, ngecje në realizimin e të drejtave të fëmijëve, kanë sidomos grupet e margjinalizuara si fëmijët me aftësi të kufizuara, komunitetet RAE, si dhe komuniteteve të tjera që janë në disavantazh në krahasim me fëmijët tjerë, dhe duhet investohet më shumë në avancimin e kushteve që të jenë pjesë e barabartë me fëmijët të tjerë.

XS
SM
MD
LG