Ndërlidhjet

Sulmi në Sony, çështje për sigurinë kombëtare të SHBA-së


Shtetet e Bashkuara e kanë vlerësuar sulmin kibernetik ndaj kompanisë filmike Sony Pictures, si “çështje serioze” për sigurinë kombëtare.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, ka thënë se Uashingtoni beson se sulmi ka qenë vepër e një “aktori të sofistikuar”, por nuk ka pranuar të thotë se Koreja e Veriut është përgjegjëse.

Sony ka anuluar publikimin e filmit “The Interview”, një komedi për liderin verikorean, pas kërcënimeve nga hakerët.

Duke iu referuar sulmeve të 11 Shtatorit, hakerët kanë thënë se bota do të jetë e mbërthyer nga frika, nëse filmi publikohet. Hakerët tashmë kanë publikuar informacione të ndjeshme të ruajtuara në kompjuterët Sony.

Senatori republikan i Shteteve të Bashkuara, John McCain, ka thënë se Uashingtoni duhet të miratojë ligjin që trajton sulmet kibernetike.

“Duhet të jetë zile alarmi që një vend si Koreja e Veriut ka këtë aftësi. Imagjinoni aftësinë që ata kanë për të prishur aspektet e tjera të jetës së amerikanëve”, ka thënë McCain.

Filmi “The Interview”, i bërë nga Sony Pictures, trajton një komplot të imagjinuar për vrasjen e liderit verikorean, Kim Jong-un.

Kritikët e filmit kanë thënë se ndalimi i tij është sulm mbi lirinë e shprehjes.

“Mendoj se është një ditë vërtet e errët jo vetëm për industrinë e filmit, por edhe për Amerikën që të dorëzohet kështu”, ka thënë Richard Roeper, kritik i filmit në Çikago.

Edhe eksperti i sigurisë kibernetike nga Los Angelos, Kevin Mitnick, ka kritikuar vendimin e Sonyt për të ndaluar filmin.

“Fakti që Sony është tërhequr përballë këtyre njerëzve të këqij dhe ka tërhequr filmin ‘The Interview’ nga çdo kinema në botë, tregon se hakerët kanë aftësi për të kontrolluar kompani dhe ndoshta qeveri. Mendoj se ka qenë një ide shumë e keqe e Sony-t”, ka thënë Mitnick.

Në muajin nëntor, sulmi i hakerëve ka gjymtuar kompjuterët e Sony-t dhe ka bërë që shumë skenarë të filmave të rinj dhe të dhëna personale të punëtorëve të rrjedhin online.

Hakerët kanë publikuar detaje të pagave dhe numra të sigurisë sociale për mijëra punëtorë të Sony-t.

Koreja e Veriut ka mohuar se qëndron prapa sulmit, por ka thënë se ai ka qenë një “veprim i drejtë”.

Në një artikull të agjencisë shtetërore të lajmeve në Korenë e Veriut, KCNA, Sony Pictures është akuzuar për “nxitje të sulmit terrorist” dhe për “dëmtimin e dinjitetit të udhëheqjes supreme verikoreane”, me anë të filmit “The Interview”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG