Ndërlidhjet

Pacientët së shpejti me zyrë për ankesa


Ilustrim
Ilustrim

Në Kosovë rreth 55 për qind e pacientëve nuk kanë njohuri për të drejtat e tyre. Zyrtarë që merren me këtë çështje, thonë se mungesa e informacioneve e pamundëson qasjen e qytetarëve në të drejtat e tyre.

Besim Kodra, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve, thotë për Radion Evropa e Lirë,se është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mes organizatës që ai drejton dhe drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, që të hapet një zyrë e posaçme ku pacientët do të mund të marrin informata mbi të drejtat e tyre.

"Ne do ta vendosim një zyre për ankesa në QKUK,dhe një zyre në spitalin rajonal të Prizrenit, ku pacientët do të marrin informata rreth sistemit shëndetësorë, të drejtave të tyre, por edhe mundësisë së ankimimit, apo edhe lavdëratave", tha ai.

Zoti Kodra thotë se deri tash ankesat kanë qenë të pakta, pikërisht si mungesë e informatave që u kanë munguar qytetarëve.

"Pacientët nuk janë të informuar dhe fakti se nuk janë të informuar as nuk ankohen. Qëllimi i marrëveshjes, është që të promovohen të drejtat e pacientëve në mënyrë që ata ti kërkojnë të drejtat e tyre".

"Ankesa ka pasur fare pak, madje ajo që më habiti nuk ka as formular të ankesave. Pacientët shkruajnë në letra të thjeshta e që ndonjëherë trajtohen e ndonjëherë jo", ka shtuar Kodra.

Derisa Shpend Fazliu, zëdhënës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka thënë se deri më tani janë shfytëzuar kutitë e ankesave brenda Qendrës Klinike Universitare nga pacientët, por nuk e mohon faktin se ankesa ka pasur pak.

"Me nënshkrimin e marrëveshjes, shpresojmë që e dhe pacientët do ta kenë më të lehtë që shqetësimet e tyre që kanë gjatë marrjes së shërbimeve, do ta kenë adresën e saktë se ku ti drejtojnë ato, dhe do ta kenë besimin më të madh pa inkuadrimin direkt të menaxhmentit të shërbimit spitalor klinik universitar të Kosovës".

"Deri tash janë shfrytëzuar kutitë e ankesave dhe numri i ankesave ka qenë tejet i vogël . Ndoshta ka munguar besimi i pacientëve,që do të merret menaxhmenti me to. Por tash e tutje do të jetë shumë më e lehtë, dhe pacientët do ta shfrytëzojnë zyrën që do të hapet për të drejtat e tyre".

Edhe vetë pacientët japin mendimin e tyre, për atë se sa u respektohen të drejtat.

" Unë për shkak të përvojës sime personale po flas, në QKUK nuk respektohen të drejtat e pacientëve , dhe nuk e kam parë asnjë rast që janë respektu të drejtat. Ndërkaq nëse po më pyet se si trajtohen pacientët brenda QKUK-së, them se janë në gjendje të mjerueshme, po flas për shkak të përvojës sime personale‘’, thotë Minire Gashi, paciente.

Sidoqoftë marrëveshja mes drejtorit ekzekutiv të Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve, Besim Kodra dhe drejtorit gjeneral të QKUK-së Curr Gjocaj, ka për qëllim krijimin e kushteve të mjaftueshme për zbatimin e projektit i cili quhet "Protektori për Pacientin".

XS
SM
MD
LG