Ndërlidhjet

Nga dialogu, Gjykata Speciale, deri te FAK-u


Një varg detyrash dhe obligimesh shpalosen nga institucionet e Kosovës si prioritete të punës dhe angazhimeve të tyre gjatë vitit 2015.

Lista e prioriteteve është shumë e gjatë.

Ajo niset nga zhvillimi ekonomik, zbutja e papunësisë dhe hapja e vendeve të reja të punës, ndalja e migrimeve ilegale, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, integrimi i komuniteteve dhe relacionet ndër etnike e deri te reformat në ligjore, reformat në administratë, shëndetësi e arsim.

Por, krahas prioriteteve zhvillimore, Kosova ka marrë përsipër edhe obligime ndërkombëtare.

Vazhdimi i dialogut me Beogradin dhe zbatimi i marrëveshjeve si dhe themelimi i Gjykatës Speciale për krime lufte, theksohen si zotime që qeveria dhe institucionet e reja i kanë marrë përsipër para faktorit ndërkombëtar.

Kryeministri Isa Mustafa ka veçuar sidomos Gjykatën Speciale si një sfidë aspak të lehtë marrë parasysh karakterin e punës së saj.

“Mendoj se është sfidë, sepse nuk është çështje shumë e lehtë që të bëhet një gjë e tillë. Mirëpo unë mendoj që një pjesë të kësaj sfide ne e kemi kapërcyer në Kuvend në mandatin e kaluar sepse e kemi një pëlqim të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të themelohet Gjykata Speciale”, ka thënë Mustafa.

Ideja për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën që më vonë u quajt Gjykata e veçantë apo speciale, fillimisht ishte prezantuar se ka rrjedhë në bazë të hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës, që si bazë kishin dyshimet e supozuara të zviceranit Dick Marti, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Krahas ndriçimit të rasteve në të kaluarën, Kosova ka dëshmuar se ka probleme serioze me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ishte vet presidentja Atifete Jahjaga ajo që deklaroi se Kosova nuk e ka fituar luftën kundër këtyre dukurive.

Një problem tjetër që ka sfiduar rendin dhe ligjin ishte ballafaqimi me një problem që po merr përmasa globale, duke mos e lënë anash as Kosovën.

Fjala është për ekstremizmit fetar.

Presidentja Jahjaga ka kërkuar nga të gjitha organet përgjegjëse që ta kenë prioritet dhe luftojnë çdo lloj ekstremizmi apo terrorizmi dhe të mos lejojnë që Kosova të behët strehë apo çerdhe e këtyre grupeve dhe individëve.

“Jo! Kosova nuk mund dhe as që do të bëhet korridor dhe as vatër e asnjë veprimi qoftë ekstremist apo edhe terrorist. Edhe në periudhën e mosmarrëveshjeve politike, institucionet e sigurisë kanë treguar gatishmërinë për të mos lejuar veprime që destabilizojnë jo vetëm vendin, por gjithë rajonin e më gjerë”, ka thënë Jahjaga.

Nga aspektet e zhvillimeve të brendshme do të jetë interesante të shihen zhvillimet politike siç janë formimi i Asociacionit të Komunave Serbe dhe transformimi i Forcave të Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka potencuar se krijimi i Forcave të Armatosura do të jetë një nga detyrat parësore të institucioneve gjatë vitit 2015.

“Një ndër prioritetet e institucioneve është edhe zotimi për t'i kaluar të gjitha procedurat legale dhe juridike që FSK-ja të transformohet sa më shpejt në Forca të Armatosura të Kosovës”, ka deklaruar Thaçi.

Në vitin e parë të mandatit të saj, qeveria e Kosovës, sipas kryeministri Isa Mustafa, ka evidentuar katër fusha mbi të cilat do të bazohet programi qeverisës, që si pikësynim kryesor do të ketë zhvillimin e ekonomik.

"Programi Qeverisës i Qeverisë së Republikës së Kosovës përqendrohet në këto shtylla kryesore; Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, punësimi e mirëqenia, sundimi i ligjit dhe shteti ligjor, agjenda evropiane dhe politika e jashtme arsimi shkenca kultura dhe zhvillimi rinor dhe shëndetësia moderne", ka thënë Mustafa.

Në anën tjetër prioritetet e tri partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma janë potencuar se se janë angazhimet për t’i shkurtuar jetëgjatësinë qeverisë së dy partive më të mëdha.

Sipas kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, bashkimi i dy partive më të mëdha në koalicionin qeverisës është bërë për interesat e liderëve të tyre dhe jo për interesa të Kosovës.

Andaj, ai nuk pret që prioritet politike të këtij koalicioni do të zbatohen në të mirën dhe interesin e vendit.

“Gjendja e sotme institucionale, çfarë është në Kosovë, koalicioni i madh që po i thonë, i cili kuptohet se do ta thellojë kapjen e shtetit, nuk mund të ndryshohet nga një subjekt politik, i cili në të vërtetë nuk është vendosur në baza të qëndrueshme, i cili në të vërtetë nuk e ka marrë seriozisht rolin e vet në shoqëri”, ka theksuar Ramush Haradinaj.

Polarizimet janë të mëdha, kështu që pozita në disa raste pritet të ketë ballafaqime tejet serioze me opozitën në zbatimin e atyre që i ka cilësuar si prioritete të politikave të saj qeverisëse.

XS
SM
MD
LG