Ndërlidhjet

Maqedoni: “Kërcënimet” e politikanëve për interesa partiake


Kërcënime për largim nga qeveria, për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, për hyrje në qeveri qoftë edhe me një deputet pavarësisht rezultateve zgjedhore, për skenar të ngjashëm me Ukrainën, për sulme me “bomba”, janë vetëm disa nga deklaratat që janë dhënë nga liderë të partive politike gjatë këtij viti, kërcënime këto që kanë mbetur vetëm verbale pa ndonjë efekt serioz në skenën politike.

Madje, deklaratat e tilla shpesh janë bërë objekt talljeje nëpër forume të ndryshme sociale.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, para zgjedhjeve parlamentare të prillit kishte deklaruar se në rast se deri në vjeshtë nuk zhbllokohet procesi integrues, Maqedonia do të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme, kërcënim ky që nuk është realizuar, ndërkohë që kërcënimi i radhës nga ana e tij vjen me mesazhin e fundvitit se Maqedoninë e pret skenari i Ukrainës, nëse Maqedonia nuk anëtarësohet në NATO.

“Anëtarësimi në NATO jo vetëm që prodhon marrëdhënie të mira ndëretnike, por edhe ndër-fqinjësore, dhe në tërë rajonin e Ballkanit perëndimor, sepse nuk është larg Ukraina, që në çdo kohë duhet ta kujtojmë se çfarë ngjarje dhe çfarë zhvillime ndodhin në Ukrainë. Deri më tani rreth 5 mijë njerëz janë vrarë”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Për dallim nga Ahmeti, në opinion ende janë të freskëta premtimet e liderit të Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, për gjatë gjithë fushatës zgjedhore se partia e tij do të bëhet pjesë e qeverisë pavarësisht se fiton ose jo në zgjedhje. Madje edhe sot anëtarë të kësaj partie shpresojnë se ajo mund të përfshihet në qeveri.

“Po, po ne do të jemi pjesë e qeverisë dhe ju duhet vetëm të jeni të qetë”, kishte premtuar para elektoratit, kryetari i PDSH-së, Thaçi.

Ndërkohë lideri tjetër i opozitës maqedonase vazhdon me kërcënimet për aktivizimin e “bombës” si i quan ai dëshmitë të cilat pretendon se i posedon për veprimtaritë kriminale të pushtetit aktual.

“Kjo kur të fillojë, nuk do të ndalet.“Bomba” e parë do mjaftojë që ky pushtet të largohet, e dyta do të jetë më e fuqishme se e para, ndërsa për disa ditë do të ndodhë edhe “bomba” e tretë që është më e fuqishme se e dyta dhe për 3-4 ditë ndodhë e katërta që është më e fuqishme se e treta dhe nuk do të ndalemi deri sa e keqja të largohet”, ka deklaruar, Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Duke komentuar kërcënimet e tilla, njohësit e çështjeve politike thonë se ato nuk janë aspak serioze, por më tepër populiste që do të jenë të dëmshme për vet ata.

Ramadan Ramadani, analist dhe drejtues i institutit “Nisma“, thotë se kërcënime të tilla janë dëgjuar shumë herë, por që asnjëherë nuk janë marr seriozisht edhe nga njerëzit e rëndomtë ndërsa ndalet në veçanit tek kërcënimet e BDI-së në pushtet.

“Janë fjalë që thuhen vend e pa vend pasi kërcënime të tilla duhet të thuhen në ekzekutiv apo në Kuvend, e jo në forume partiake. Fakti se ato thuhen nga një parti që është pjesë e pushtetit, siç është BDI-ja e Ali Ahmetit, pa kurrfarë afatesh dhe pasojash që mund të kenë për Maqedoninë, mendoj se janë thjesht kërcënime të paqëndrueshme dhe që shpejt i merr era. Janë mesazhe që i drejtohen opinionit, por me deklarata të tilla ata vetëm sa humbin kredibilitetin e tyre pasi edhe serioziteti i tyre harxhohet“, thotë Ramadani,

Edhe Zdravko Savevski, njohës i çështjeve politike, thotë se kërcënimet e tilla bëhen për politikë ditore.

“Nuk është hera e parë që dëgjojmë deklarata të tillë nga VMRO-ja dhe BDI-ja si partnerë të koalicionit. Ato tani gjashtë vite veprojnë sipas një skeme të hartuar nga ana e tyre për gjoja tensione ndërkohë që partneriteti i tyre është stabil".

"Edhe gjithë kjo është vetëm se aktrim para opinionit. Deklarata të tillë kërcënuese kishim që nga viti 2008 se nëse nuk anëtarësohemi në NATO do të shpërthej lufta, kishin kërcënime edhe në fillim të vitit se do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme nëse në vjeshtë nuk anëtarësohemi në NATO, tani kemi sërish deklarata të tilla se do të përsëritet Ukraina, e kështu me radhë, apo se aktivizimi i “bombave“ do ta detyroj qeverinë për tre ditë të dorëheiqet. Pra, e gjithë kjo është aktrim, por aktorëve maskat do t'i bien gjatë vitit 2015“, thotë Zdravko Savevski.

XS
SM
MD
LG