Ndërlidhjet

CIA “duhet të ndalojë” rekrutimin e gazetarëve


Në muajt e fundit, Azerbajxhani është akuzuar për ushtrim të presionit mbi gazetarët dhe aktivistët që kritikojnë qeverinë për shkelje të të drejtave të njeriut dhe arrestim të protestuesve.

Gazetarja hulumtuese, Khadija Ismayilova, njëherësh kontribuese e Radios Evropa e Lirë, është arrestuar më 5 dhjetor, ndërsa zyra e Radios, e cila financohet nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, është bastisur më 26 dhjetor.

Ismayilova ka qenë gazetarja që ka publikuar të dhëna për kontrollin e presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, mbi industrinë e naftës.

Autoritetet e Azerbajxhanit kanë thënë se ajo punon si spiune e CIA-s, por në vend të akuzave për spiunazh, e kanë paditur për nxitje të një personi në vetëvrasje.

Në një shkrim për gazetën Boston Globe, autorët Martha Bayles dhe Jeffrey Gedmin kujtojnë se “Radio Evropa e Lirë, kur është themeluar në vitin 1949, ka pasur për qëllim të thyjë monopolin e informimit të regjimeve komuniste në Evropën Lindore dhe Bashkimin Sovjetik dhe se financimi i saj ka ardhur fshehurazi nga CIA”.

“Në vitin 1967, ky zbulim i fshehtë është ekspozuar (nga gazetarët hulumtues) dhe më 1971 është ndërprerë. Në vitin 1972, Kongresi ka votuar për financimin e hapur të Radios Evropa e Lirë si një kompani e pavarur mediatike, nën mbikëqyrjen e Bordit të Transmetuesve Ndërkombëtarë”, thuhet në artikull.

Por, tani shtrohet pyetja se a rekruton CIA gazetarë?

Në artikullin e gazetës Boston Globe thuhet se praktika e rekrutimit të gazetarëve dhe e vënies së agjentëve të inteligjencës nën mbulesën e gazetarëve ka ndaluar në vitin 1977.

Por, dy dekada më vonë, më 1996, drejtori i CIA-s i presidentit Clinton, John Deutch, ka zbuluar se CIA “ka mbajtur të drejtën e përdorimit të gazetarëve si spiunë dhe të paraqitjes së spiunëve si gazetarë”.

Autorët e shkrimit, Bayles dhe Gedmin, thonë se CIA duhet të ndalojë përfundimisht rekrutimin e gazetarëve. Sipas tyre, ka dy arsye për këtë: praktika e tillë e vë në rrezik gazetarinë e sinqertë dhe justifikimi kryesor për lirinë e fjalës është lejimi i shtypit të lirë dhe konkurrues.

Shtetet e Bashkuara kanë dënuar arrestimin e Ismayilovas dhe bastisjet e byrosë në Baku të Radios Evropa e Lirë, duke thënë se veprimet e tilla rrezikojnë marrëdhëniet SHBA-Azerbajxhan.

Bashkimi Evropian ka thënë se “mbyllja e Radios Evropa e Lirë ngre sërish shqetësime për lirinë e shprehjes në Azerbajxhan”.

Rreth 15 gazetarë dhe blogerë janë aktualisht pas hekurave në Azerbajxhan - në mesin e tyre edhe drejtorja e Institutit për Paqe dhe Demokraci, Leyla Yunusin, e cila ka qenë kritike e zëshme e shkeljeve të të drejtave të njeriut nga ana e autoriteteve.

Zyrat e Institutit për Liri dhe Siguri të Gazetarëve, Instituti për të Drejtat e Mediave dhe Bordi i Kërkimeve dhe Shkëmbimeve Ndërkombëtare po ashtu janë bastisur dhe mbyllur në muajin gusht.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG