Ndërlidhjet

Vriten të dyshuarit për sulmet terroriste në Paris


Dy situata peng-marrjeje në Paris
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:34 0:00

Mediat franceze raportojnë se dy të dyshuarit për vrasjen e 12 vetëve në selinë e revistës satirike franceze, Charlie Hebdo, janë vrarë gjatë një sulmi nga forcat e sigurisë së Francës, në qytetin Dammartin-en-Goelem, që është në verilindje të Parisit.

Më herët të premten, ishte raportuar se janë dëgjuar të shtëna dhe eksplodime në një ndërtesë industriale, ku dy vëllezër, të ndërlidhur me al-Kaidën, e të dyshuar për vrasjet në revistën Charlie Hebdo, ishin strehuar.

Të dyshuarit ishin vëllezërit, Said dhe Cherif Kouachi.

Po ashtu, raportohet se një person që i mbante të rrëmbyer disa vetë në një dyqan në pjesën lindore të Parisit, është vrarë gjatë ndërhyrjes së forcave të sigurisë.

Të dy aksionet policiore kishin filluar pothuajse në të njejtën kohë.

Agjencitë e lajmeve raportojnë se disa nga personat e rrëmbyer në Dammartin-en-Goele dhe në një dyqan në Paris, kanë shpëtuar, por ka raporte se disa janë vrarë.

Gjatë aksioneve, është plagosur një polic.

Policia franceze, gjatë ditës së premte ka konfirmuar vdekjen e dy personave dhe marrjen peng të së paku pesë të tjerëve në një dyqan ushqimor në lindje të Parisit.

Pengmarrja e dytë në Paris u raportua në kohën kur policia i kishte rrethuar dy sulmuesit e dyshuar për vrasjen e 12 personave të mërkurën në Paris, gjatë sulmit terrorist në lokalet e revistës satirike, Charlie Hebdo.

Siç kanë njoftuar familjarët e pengjeve të marra në dyqan, në mesin e pesë personave të marrë peng është edhe një fëmijë katër vjeçar dhe një tjetër gjashtë muajsh.

Dy të dyshuarit ndërkaq për sulmin në Charlie Hebdo, besohet të kenë marrë peng një person.

Policia i ka lidhur të dyja këto dy raste me vrasjen e djeshme të një policeje franceze në jug të Parisit.

Policia ka njoftuar se sulmuesi i dyshuar në dyqan është anëtar i grupit të njëjtë islamik, grup të cilit i takojnë edhe të dyshuarit për sulmin në Charlie Hebdo.

Hayat Boumeddiene dhe Amedy Coulibaly
Hayat Boumeddiene dhe Amedy Coulibaly

Dy të dyshuarit për pengmarrjet dhe vrasjet në dyqanin ushqimor janë 32 vjeçari Amedy Coulibaly dhe 26 vjeçarja Hayat Boumeddiene.

Coulibaly besohet se ka lidhje me të dyshuarin për sulmin në Charlie Hebdo, Cherif Kouachi. I dyshuari tjetër për këtë sulm është i vëllai i Cherifit, Said.

Kouachi dhe Coulibaly janë parë së bashku në vitin 2010 duke e vizituar xhihadistin tjetër Djamel Beghal, organizator i një komploti të parealizuar në një burg.

Policia i ka publikuar fotografitë e dy të dyshuarve për vrasjet dhe pengmarrjet, ndërsa ka njoftuar se të dy personat janë të armatosur dhe të rrezikshëm.

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Francës tha se “është gati e sigurt” se të dyshuarit, vëllezërit Kouachi, gjenden në një ndërtesë industriale dhe janë të rrethuar nga policia.

Agjencia e lajmeve AP ka raportuar se autoritetet kanë mbyllur dy pista në Aeroportin Ndërkombëtar, Charles de Gaulle, afër vendit të bllokuar nga policia.

Shkollat në këtë hapësirë janë mbyllur dhe banorëve u është rekomanduar të mbeten në shtëpi dhe të mos i ndezin dritat.

Revista Charlie Hebdo, kishte marrë kërcënime nga grupi militant al-Qaeda për karikaturat e Profetit Muhamed.

Sulmuesit thanë se kishin dëshiruar “hakmarrje për Profetin” gjatë sulmit kundër revistës.

Dëshmitarët thanë se sulmuesit kishin pretenduar se janë pjesëtarë të al-Qaedas në Jemen.

Kryeministri i Francës, Manuel Valls, ka deklaruar se Parisi është në “luftë” me terrorizmin, por “jo në luftë kundër religjionit”.

“Pa dyshim se do të jetë e domosdoshme të ndërmerren masa” për t'u ballafaquar me “kërcënimin” terrorist, tha Valls.

Duke folur para gazetarëve në Paris, presidenti i Francës, Francois Hollande, tha:

“Ne, po ashtu, duhet të përpiqemi ta forcojmë edhe më tepër parandalimin kundër përsëritjes së mundshme të ngjarjeve, të cilat tash po i përjetojmë. E dimë se kjo përsëritje mund të ndodhë".

"Gjatë dhjetorit ne kemi parë incidente veçanërisht serioze dhe ne jemi të vetëdijshëm për mundësinë se disa individë e shfrytëzojnë situatën konfuze për të provokuar shkatërrim”, tha Francois Hollande.

Të dy vëllezërit Kouachi janë në listën e ndalimit të fluturimeve për terroristët e dyshuar të Shteteve të Bashkuara.

Grupi militant, Shteti Islamik, e ka lavdëruar sulmin vdekjeprurës kundër revistës, Charlie Hebdo, dhe vëllezërit Kouachi i quajti “hero xhihadistë”.

Presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, tha se samiti i ardhshëm i BE-së më 12 shkurt, do të diskutojë edhe për përpjekjet anti-terror, pas sulmit në Paris.(f.bujupi)

XS
SM
MD
LG