Ndërlidhjet

Maqedoni: Gazetarët protestojnë para Gjykatës së Apelit


Gazetarët e Maqedonisë të premten kanë protestuar para Gjykatës së Apelit kundër vendimit të kësaj gjykate, për dënimin e gazetarit maqedonas Tomislav Kezharovski me 2 vjet burg.

Kryetari i Shoqatës së gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani, me këtë rast ka theksuar se gjykatës fillimisht ka hequr dënimin prej 4 vitesh e gjysmë burg dhe ka vendosur të lirojë gazetarin tashmë që po vuan dënimin, por ka shqiptuar sërish një vendim me burgim tani prej dy vitesh, duke krijuar kështu përshtypjen se gjykata ka mëshiruar gazetarin me uljen e dënimit.

“Vendimi ka për qëllim të tregojë se gjykata mëshiron. Kjo për ne është e papranueshme dhe dëmtim i rëndë i lirisë së fjalës”, është shprehur Naser Selmani.

Ndërkohë, sipas kryetares së Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve, Tamara Çausidis, pushteti duke patur ndikim ndaj gjykatave, duke verifikuar dënimet për gazetarët, tenton t`i frikësojë të gjithë ata që shprehin mendim ndryshe nga pushteti.

“Me dënimin e gazetarit Tomisllav Kezharovski, dënohet në përgjithësi gazetaria në Maqedoni. Unë në emër të sindikatës së gazetarëve dhe organizatave të ndryshme, i ftoj të gjithë qyetarët të solidarizohen me ne në luftën për një gazetari profesionale, kritikuese e cila e mbron njeriun e thjeshtë dhe zhvesh pushtetin”, është shpehur Çausidis.

Por, Sefer Tahiri nga fakulteti i shkencave të komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, konsideron se pushteti nuk do t`i merr parasyshë këkesat e shoqatës së gazetarëve, duke theksuar se protestat do të mund të kenë jehonë tek opinioni i përgjithshëm si dhe komuniteti ndërkombëtar.

“Vlerësoj se gjendja e mediave në përgjithësi, është shumë e vështirë. Asnjëhërë më parë nuk ka pasur presion politik dhe gjyqësor kaq të thellë nga ana e pushtetit, dhe vendimi i gjykatave konsideroj se paraqet një tentim për të ngufatur fjalën e lirë dhe njëhërit ngushtuar hapësirën e lirisë së shprehjes”, thekson Sefer Tahiri.

Ndryshe, gazetari Tomislav Kezharovski, sipas vendimit të Apelit, do të vuajë dënimin me 2 vite burg, nga 4 vite e gjysmë sa i është shqiptuar dënim nga gjykata e shkallës së parë nën akuzën se ka publikuar të dhëna rreth dëshmitarit të mbrojtur, në një proces gjyqësor.

Gjatë procesit gjyqësor, Kezharovski është mbrojtur duke theksuar se në kohën kur shkrimet ishin botuar, personi nuk gëzonte status të dëshmitarit të mbrojtur.

XS
SM
MD
LG