Ndërlidhjet

Dënime mizore nga “Gjykatat e Sheriatit”


Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara, ka thënë se të ashtuquajturat Gjykata të Sheriatit të militantëve të Shtetit Islamik, janë duke bërë dënime mizore dhe çnjerëzore kundër civilëve në territoret që kontrollojnë.

Ravina Shamdasani, zëdhënëse e Zyrës së Komisionarit të Lartë për të Drejta të Njeriut, u është referuar ekzekutimeve të fundit të disa burrave në Mosul, të cilët janë hedhur nga një ballkon i lartë, pasi janë akuzuar për akte homoseksuale.

Shamsadini ka thënë se ekzekutimet kanë qenë “vrasje të pamëshirshme” dhe “një tjetër shembull i tmerrshëm i mosrespektimit monstruoz të jetës së njeriut”.

Javën e kaluar, grupi i Shtetit Islamik ka publikuar disa fotografi të një burri, i cili shtyhet në vdekje nga maja e një ndërtese shumëkatëshe, me sa duket në Mosul.

Teksti që shoqëronte fotografitë, shpjegonte se burri është dënuar me “hadd”, që, sipas Kuranit, do të thotë ndëshkim për krimet që shkojnë kundër të drejtave të Zotit.

Shteti Islamik ka thënë po ashtu se ka ekzekutuar dy burra për “vjedhje”.

Shamdasani ka thënë se Kombet e Bashkuara kanë marrë raporte edhe për disa gra, të cilat janë ekzekutuar nga Shteti Islamik, pasi janë dënuar nga “Gjykatat e Sheriatit”.

“Gratë e arsimuara, profesioniste, sidomos gratë që kanë garuar si kandidate për poste publike, duket se janë veçanërisht në rrezik”, ka thënë Shamdasani.

Sipas saj, militantët e Shtetit Islamik kanë ekzekutuar tri avokate qysh në fillim të vitit 2015.

Në javët e fundit, grupi i Shtetit Islamik ka vrarë edhe katër mjekë në qendër të Mosulit, të cilët kanë refuzuar të trajtojnë militantët, kanë thënë Kombet e Bashkuara.

Grupi ekstremist ka vrarë edhe 15 civilë nga fisi sunit Jumaili, pranë Falluxhas, pasi militantët kanë dyshuar se ata kanë bashkëpunuar me forcat irakiane të sigurisë. Ata jën ekzekutuar duke u qëlluar për vdekje në një shesh publik.

Më 9 janar, xhihadistët kanë kryer një tjetër ekzekutim publik të 14 burrave në Dour, në veri të qytetit Tikrit. Viktimat kanë refuzuar të bëjnë aleancë me Shtetin Islamik, sipas Shamdasanit.

Nënsekretarja e Kombeve të Bashkuara për Çështje Humanitare, Valerie Amos, ka thënë më 15 dhjetor se raportet për fëmijë të vrarë, të ekzekutuar publikisht ose të qëlluar me gurë deri në vdekje, nga militantët e Shtetit Islamik, janë rritur në muajt e fundit.

Më 12 janar, persona të armatosur të Shtetit Islamik kanë ekzekutuar publikisht pesë irakianë në Mosul, pasi gratë e tyre nuk u janë përmbajtur urdhrave për të veshur shami të reja të stilit afgan.

Raportet për vrasje janë në kundërshtim të madh me përpjekjet e Shtetit Islamik për të paraqitur jetën në Mosul, përmes propagandave të tij, si krejt normale.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG