Ndërlidhjet

Specializantët pa paga qe dy muaj


Në vitin 2013 specializantët kanë filluar të mbështeten financiarisht, duke ua mundësuar që specializimet t’u paguhen në formë page për çdo muaj.

Specializantëve vullnetarë, para këtij vendimi, iu është dashur të paguajnë çdo vit nga 1 mijë euro, e që sipas tyre, ka qenë një ngarkesë mjaft e madhe.

Por, qe dy muaj spacializantët nuk kanë marrë paga.

Besa Krasniqi, ka kryer fakultetin e stomatologjisë. Ajo është duke specializuar për sëmundjet e dhëmbit.

Zonja Krasniqi thotë se po qe se Ministria e Shëndetësisë nuk i mban premtimet për pagesën e specialziantëve, këta të fundit do të protestojnë.

"Unë jam specializante e vitit të tretë dhe qe dy muaj nuk marrë pagë. Kemi bërë ankesë dhe përgjigjen që e kemi marrë nga Ministria e Shëndetësisë, ka qenë vonesa e ndarjes së buxhetit. Ne po presim".

"Kemi pasur premtim që pagat do të ndahen. Po qe se nuk e mbajnë premtimin, atëherë spacializantët e pakënaqur do të mbajnë edhe protestë", ka shtuar ajo.

Ndërkaq Izet Sadiku, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mos pagesa e spacializantëve në formë page, është çështje teknike, derisa ka shtuar se pagesat do të vazhdojnë.

"Do të vazhdojë përkrahja e pagesës së specializantëve nga fondi i ndarë për ta. Por për shkak të vonimit të alokimit të buxhetit, i cili edhe tash ende nuk është alokuar, janë bërë vonesat për dhënien e pagave për specializantët. Shpresoj që në fund të janarit do tu konpenzohen pagat për dy muaj".

Ndërkaq se a do të vazhdojë pagesa edhe për gjeneratat e tjera sipas zotit Sadiku, ende nuk është marrë ndonjë vendim.

"Ne nuk vendosim. Ne kemi bordin për specializimin që merret me ndarjen e specializimit dhe mënyrat e financimit të tyre".

Ndërkaq Drita Kutllovci Zogaj, nga bordi për specializime, ka thënë se pagesat e specializantëve janë politika të Ministrisë së Shëndetësisë, dhe nuk ka dijeni nëse do të vazhdojnë edhe më tej ose jo.

"Ne nuk kemi informata se çka bëhet me pagat e specializantëve. Ne merremi me shkollimin e tyre, plan programet e tyre si dhe daljet e tyre në provime. Pagesat e specialziantëve janë politika të Ministrisë së Shëndetësisë", ka shtuar ajo.

XS
SM
MD
LG