Ndërlidhjet

Maqedoni: Pakënaqësitë bllokojnë ndryshimet kushtetuese


Definimi i martesës vetëm si e drejtë mes burrit dhe gruas, riemërtimi i Bankës Popullore në Bankë të Maqedonisë, ndryshimi i përbërjes së këshillit gjyqësor, janë vetëm disa nga propozimet që parashihen me ndryshimet kushtetuese, të cilat janë bllokuar tani disa ditë pasi shumica parlamentare nuk ka arritur të sigurojë ende dy të tretat e votave, pa të cilat nuk mund të ketë ndryshime kushtetuese.

Në fakt, janë të paktën tre deputet të Bashkimit Demokratik për Integrim, të cilët kanë bërë me dije se nuk do të mbështesin ndryshimet e propozuara. Ata kanë refuzuar të flasin publikisht, por kundërshtimi i tyre ka të bëjë me çështjet e pazgjidhura që kanë të bëjnë me shqiptarët.

Ata vlerësojnë se ka shumë çështje që janë më parësore se ato që janë propozuar nga qeveria, ndërsa veçojnë problemet me përdorimin të gjuhës shqipe, të simboleve kombëtare dhe çështje tjera që kërkojnë zgjidhje.

Edhe nga opozita shqiptare kanë vazhduar me reagimet duke i quajtuar propozimet madje hipokrizi të qeverisë aktuale.

“Të mos preken çështjet që kanë të bëjnë me avancimin kualitativ të të drejtave të shqiptarëve, është një hipokrizi e llojit të vetë”, ka deklaruar Gazmend Aliu, deputeti i Partisë Dempkratike Shqiptare.

Nga Ministria e Drejtësisë, e cila është propozuese e ndryshimeve, thonë se më shumë bëhet fjalë për çështje procedurale se sa politike duke mos përjashtuar mundësinë që në një rast tjetër të ketë edhe ndryshime tjera.

Ekspertët për çështje kushtetuese thonë se reagimet janë të qëndrueshme pasi shumë çështje kanë mbetur pazull si pasojë e mosdefinimit të qartë me ligj apo zgjidhjeve të pjesshmë që janë miratuar, në veçanti ato që kanë të bëjnë me definimin e gjuhës dhe të simboleve, apo definimin e statusit të shqiptarëve si shtetëformues në Maqedoni.

“Kushtetuta e Maqedonisë mund të ndryshohet edhe në çështje tjera, por krahas kësaj, patjetër duhet që të rregullohen edhe çështjet madhore të këtij shteti që janë si kusht për funksionimin dhe vazhdimin e jetës së përbashkëve të dy popujve të mëdha".

"Pra, ato që kanë të bëjnë me jetësimin e plotë të të drejtave të shqiptarëve, apo të qenurit e tyre si element shtetëformues të Maqedonisë“, thotë Mersim Maskuti, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Ndërkohë, çështja që ka shkaktuar reagime është edhe ajo e definimit të martesës vetëm si e drejtë mes burrit dhe gruas.

“Mbrojtja kushtetuese dhe definimi i qartë i bashkëshortësisë do të mundësoj mbrojtjen dhe afirmimin më të mirë të fëmijëve, edukimin e tyre në një ambient familjar ku përgjegjësinë kryesore do ta kënë prindërit, përkatësisht nëna dhe babai“, ka deklaruar kohë më parë kryeministri, Nikolla Gruevski duke arsyetuar ndryshimet, në veçanti ato për definimin e martesës.

Por, nga sektori civil thonë se ndryshimet në këtë pjesë janë diskriminuese dhe të rrezikshme pasi vijnë në kohën kur janë shpeshtuar sulmet ndaj komunitetit LGBT.

Rrjeti Kombëtar kundër Homofobisë dhe Transfobisë, ka organizuar një protestë simbolike në kundërshtim të ndryshimeve.

“Qëllimi i protestës është që të ngrisim zërin për nevojën e sigurimit të drejtësisë për të gjithë qytetarët e Maqedonisëe pa marr parasysh dallimet mes tyre. Vlerësojmë se ndryshimet e propozuara forcojnë diskriminimin e një kategorie të caktuar të qytetarëve dhe si të tilla janë në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare e në veçanti me vërejtjet e Komisionit të Venedikut“, thotë përfaqësuesi i shoqatës, Pavlle Bogoevski.

Në 20 vitet e kaluara, kushtetuta e Maqedonisë ka pësuar shtatë ndryshime, por më të rëndësishmet janë bërë në vitin 2001, pas konfliktit të armatosur, kur u ndryshua edhe preambula e saj, por shumë çështje sipas ekspertëve, nuk janë definuiar si duhet andaj edhe shtrojnë nevojën e hartimit të një kushtetute krejt të re.

XS
SM
MD
LG