Ndërlidhjet

Stoltenberg: Terrorizmi, kërcënim për të gjithë


Jens Stoltenberg
Jens Stoltenberg

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike, Jens Stoltenberg, ka thënë sot në Prishtinë se terrorizmi është kërcënim për të gjithë, dhe si i tillë, nuk njeh kufi dhe nuk i përket vetëm një feje apo besimi të caktuar.

Në një takim të përbashkët me gazetarët, me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, zoti Stoltenberg e ka veçuar si problematike, çështjen e atyre që njihen si “luftëtarë të huaj”, duke iu referuar kryesisht shtetasve të vendeve evropiane që i'u bashkohen organizatave të njohura ndërkombëtarisht si terroriste në Irak dhe Siri.

“Në veçanti, kthimi i luftëtarëve të huaj po paraqet kërcënim ndaj të gjithë neve; shteteve në rajon dhe shteteve në Evropë”, ka thënë zoti Stoltenberg, duke bërë thirrje për angazhim të përbashkët në luftën kundër terrorit, pavarësisht nga, siç ka thënë ai, llojit të tij.

Shefi i NATO-s ka folur edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe synimet që kjo Forcë të shndërrohet në ushtri.

“Nuk i takon NATO-s për të vendosur se si do të zhvillohet FSK-ja, ajo çfarë ne po bëjmë është ndërtimi i kapaciteteve për FSK-në, në kuadër të mandatit aktual që ka”, ka thënë zoti Stoltenberg, duke bërë thirrje që çdo vendim në këtë drejtim, të jetë në frymën e përparimit dhe të mos dëmtimit të përpjekjeve për stabilitet dhe pajtueshmëri ndëretnike.

Zoti Mustafa është zotuar se institucionet e Kosovës do të përpiqen që “çdo institucion, të ketë shtrirje në çdo pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”, duke arritur fillimisht pajtueshmërinë e brendshme për një gjë të këtillë, përfshirë këtu edhe atë të komunitetit serb që jeton në Kosovë.

Kryeministri iu referua në këtë kuadër mundësisë së shndërrimit të FSK-së në ushtri dhe shtrirjes së saj në veriun e banuar me shumicë serbe në Kosovë, i cili vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës dhe institucionet që ndërlidhet me shtetësinë e saj.

Gjatë vizitës së sotme në Kosovë, shefi i NATO-s fillimisht është pritur nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe është takuar edhe me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Hashim Thaçi.

Në kuadër të forcave paqeruajtëse KFOR, Aleanca Veriatlantike vazhdon të ketë një prani prej mbi 5 mijë trupash në Kosovë dhe zoti Stoltenberg ka nënvizuar se vazhdimësinë e këtij misioni në Kosovë e përcaktojnë rrethanat, dhe jo kalendaret.

Ish-kryeministrin i Norvegjisë, Jens Stoltenberg, në pozitën e sekretarit të NATO-s është emëruar në mars të vitit të kaluar, ndërsa e ka marrë përsipër detyrën nga 1 tetori.

Stoltenberg është sekretari i 13-të i përgjithshëm i NATO-s dhe vizita e sotme në Kosovë është e para në këtë cilësi.

XS
SM
MD
LG