Ndërlidhjet

Ekonomia, në dorë të sektorit privat


Ilustrim
Ilustrim

Deklaratat e shumta të bëra nga Qeveria e re e Kosovës për fuqizim të sektorit privat, ka ngritur shpresat e këtyre të fundit se bizneset e tyre do të mund të zhvillohen. Megjithatë, ata kërkojnë që deklaratat e tilla të konkretizohen në përmirësimin e politikave fiskale.

Kompania “Frutex” nga Suhareka, është një ndër kompanitë më të mëdha për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjetike. Kjo kompani ka të punësuar mbi 60 punëtorë.

Pronari i saj, Shaqir Palushi, thotë për Radion Evropa e Lirë se deri më tani politikat e pafavorshme fiskale kanë dëmtuar ata, dhe se tani presin përmirësim të tyre. Ai rikujton se gati çdo vit flitet për fuqizim të sektorit privat, mirëpo nuk merren masa konkrete.

“Të shpresojmë se po ndërmerret diçka, ka vite e vite që këto çështje janë prolonguar. Është folur mjaft shumë për lehtësi fiskale, lirime nga taksat për lëndën e parë. Mosmarrja e masave nga autoritetet e Kosovës e ka penguar zhvillimin e bizneseve. Lehtësitë fiskale që po premtohen të bëhen për bizneset, vendet e rajonit tashmë i kanë zbatuar”, thotë Palushi.

Gjatë kësaj jave, vetë ministri i Financave, Avdullah Hoti, në një takim që ka pasur me përfaqësuesit e bizneseve, ka theksuar se Qeveria e Kosovës do t’iu mundësojë bizneseve në Kosovë lehtësira fiskale.

Ai ka theksuar se në mesin e përpjekjeve aktuale të Ministrisë së Financave do të diskutohet për uljen e pragut të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, luftimin e ekonomisë joformale, si dhe për pushimet tatimore.

Po ashtu, Hoti ka premtuar se do të shikohet mundësia e zgjerimit të listës së produkteve të liruara nga detyrimet doganore, më konkretisht të lëndëve të para, të cilat nuk prodhohen në Kosovë.

E, pronari kompanisë “Frutex”, Shaqir Plaushi, vlerëson se marrja e këtyre masave dhe zbatimi i tyre do të ndihmonte bizneset, të cilat rrjedhimisht më pas do të kontribuonin në zhvillimin ekonomik të vendit, në veçanti hapjen e vendeve të reja të punës.

“Lirimi nga taksat për lëndë të parë, si dhe lirimi nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për lëndë të parë, janë elemente kyçe që do të ndihmonin biznesin vendor. Mënyra më e mirë do të ishte që Tatimi mbi Vlerën e Shtuar të mos paguhet në doganë, por e njëjta të paguhet kur produkti është final dhe del në shitje”, shton Palushi

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Odës ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë pati deklaruar se ajo çka do të mund të bënin institucionet e vendit për zhvillimin e sektorit privat, i cili është shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të vendit, është të krijojnë kushte, nëpërmjet së cilave sektori privat do të fuqizohej.

“Kushtet e tilla kanë munguar në këto vitet e pas shpalljes së pavarësisë, nuk ka pasur lehtësi, të cilat do të mundësonin rritjen e sektorit privat. Të gjitha vendimet apo ligjet që janë krijuar kanë qenë në fokus afatshkurtër në vjeljen e sa më shumë të hyrave nga sektori privat”, ka thënë Zeka.

Se situata e sektorit privat është në gjendje të rëndë, është thënë edhe në hulumtimin e fundit të Institutit “Riinvest”.

Sipas këtij hulumtimi, janë identifikuar 23 barriera në të bërit biznes në Kosovë, duke filluar nga kostoja e lartë e financimit të bizneseve, niveli i lartë i korrupsionit, mungesa e përkrahjes shtetërore si dhe konkurrenca jo e drejtë e shkaktuar nga evazioni fiskal dhe ekonomia joligjore.

XS
SM
MD
LG