Ndërlidhjet

Merkel dhe Hollande me propozim të ri për arritjen e paqes në Ukrainë


Presidenti i Francës, Francois Hollande dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, po qëndrojnë sot në Kiev, ndërsa nesër do të zhvillojnë takime në Moskë, në kuadër të përpjekjeve për arritjen e paqes në lindje të Ukrainës.

Hollande ka thënë gjatë një konference për media në Paris, se ai dhe Merkel e kanë një “propozim të ri”, për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.

Këtë propozim, Hollande ka thënë se do ta diskutojnë gjatë ditës së sotme me presidentin ukrainas Petro Poroshenko, ndërsa gjatë ditës së nesërme me presidentin rus, Vladimir Putin.

Njoftimi për plan të ri vjen në kohën kur janë intensifikuar luftimet në lindje të Ukrainës në mes të forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë. Deri më tani, në këtë konflikt janë vrarë mbi 5 mijë e 350 persona.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka arritur sot në Kiev. Ai ka kërkuar nga Rusia që të “demonstrojë angazhimin e saj për ti dhënë fund gjakderdhjes në Ukrainë”, teksa ka shtuar se Moska duhet të heq dorë nga mbështetja e saj për seperatistët.

Duke e cilësuar si barrë të Moskës dhënien fund të luftës që deri më tani ka vrarë më shumë se 5 mijë e 350 njerëz, Kerry ka thënë se SHBA-të janë të interesuara për zgjidhje paqësore por, “ne nuk mund t'i mbyllim sytë teksa i shohim tanket ruse duke e kaluar kufirin”.

“Agresioni i vazhdueshëm i Rusisë në lindje”, sipas Kerryt, është kërcënim i rëndë me të cilin po përballet Ukraina sot.

Kerry pas takimit me presidentin, Petro Poroshenko, ka bërë thirrje për armëpushim, për tërheqjen e armëve të rënda dhe ka kërkuar nga Moska që ta respektojë kufirin ndërkombëtar.

Ndërkohë, në Bruksel po mbahet takimi i ministrave të mbrojtjes.

Para mbajtjes së takimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se lëvizjet që po bëhen për forcimin e krahurt lindor të Aleancës, janë përgjigje ndaj agresionit rus.

Jens Stoltenberg, nga Brukseli i ka bërë thirrje Moskës që të mos i mbështesë seperatistët në lindje të Ukrainës dhe të bëj presion tek rebelët, konform marrëveshjes së armëpushimit të arritur në Minsk.

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të ndalë mbështetjen e saj për seperatistët dhe ta respektojë marrëveshjen e arritur në Minsk, si dhe të përdorë të gjithë ndikimin e saj mbi separatistët në mënyrë që t’i bëjë ata që ta respektojnë armëpushimin”, ka thënë Stoltenberg, duke iu referuar marrëveshjes së 5 shtatorit të arritur në kryeqytetin e Bjellorusisë vjet.

Ministrat e jashtëm pritet të diskutojnë për ngritjen e një rrjeti me qendra të vogla të komandës, përmes të cilave në mënyrë të shpejtë mund të përforcohet siguria në rast të ndonjë kërcënimi nga Rusia.

Ministrat pritet të dakordohen edhe rreth zgjerimit të një shtabi ushtarak në Poloninë perëndimore.

Lëvizjet nga ana e NATO-s, sipas Stoltenbergut, janë “përgjigje e veprime agresive të Rusisë, e cila ka shkelur ligjin ndërkombëtar dhe e ka aneksuar Krimenë".

“Çdo gjë që ne bëjmë është një përgjigje ndaj asaj që kemi parë nga ana e Rusisë për një periudhë të gjatë kohore dhe është në përputhje me detyrimet tona ndërkombëtare. Pra, kjo është diçka që ne bëjmë si përgjigje ndaj veprimeve agresive që i kemi parë te Rusia, e cila e ka shkelur ligjin ndërkombëtar dhe e ka aneksuar Krimenë”, ka thënë ai.

Gadishulli ukrainas Krimeja, është aneksuar nga Rusia në muajin mars pas një referendumi, të mbajtur të cilin Perëndimi e ka cilësuar si të jashtëligjshëm.

Stoltenberg tha se “bashkëpunimi praktik” në mes të NATO-s dhe Rusisë, ende është i pezulluar, ndërsa sa i përket takimit të tij gjatë dy ditëve të ardhshme në Munich të Gjermanisë me Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, sipas Stoltenbergut, takimi do të zhvillohet në kuadër të përpjekjeve për t'i mbajtur të hapura “kanalet e dialogut”.

Planet e NATO-s, ka shtuar ai, janë për ta shtuar presionin perëndimor në Rusi, e cila nga Kievi dhe Aleanca akuzohen për armatosjen, trajnimin dhe ndihmën për rebelët, duke iu ofruar atyre këshilla dhe trupa për luftimin e trupave qeveritare.

Takimi në Kiev vjen në kohën kur Shtetet e Bashkuara nuk e kanë përjashtuar mundësinë e dërgimit të amëve vdekjeprurëse për forcat ukrainase, me qëllim që të luftohen rebelët pro-rusë në lindje të vendit.

Uashingtoni deri më tani ka ofruar vetëm ndihmë jovdekjeprurëse.

Sa i përket konfliktit në Ukrainë, Kievi dhe qeveritë perëndimore besojnë se qëllimi i Rusisë është që ta dobësojë Ukrainën në mënyrë që të pushtojë territore në lindje të Ukrainës.

Më 3 shkurt, një grup prej 15 senatorësh amerikanë, nga të dy partitë, i kanë bërë thirrje presidentit Obama dhe NATO-s që “sa më parë të ofrojnë ndihmë ushtarake për Ukrainën në mënyrë që të mbrohen kufijtë e saj dhe të mos përshkallëzohet agresioni rus”.

Pavarërisht sanksioneve të vendosura nga SHBA-të dhe BE-ja, senatorët thanë se “Putini duket të jetë i gatshëm ta rrezikojë ekonominë botërore dhe atë të vendit të tij”, duke e pushtuar në mënyrë të vazhdueshme një komb tjetër.

Aktiviteti i rebelëve në lindje të Ukrainës është rritur, ndërsa situata është përkeqësuar gjatë javëve të fundit.

Së paku katër persona janë vrarë gjatë ditës së mërkurë kur një predhë e ka goditur një spital në qytetin Donjeck që kontrollohet nga seperatistët.

Ushtria ukrainase ka njoftuar sot se pesë ushtarë të saj janë vrarë gjatë luftimeve të 24 orëve të fundit.

Luftimet kanë vazhduar edhe përreth qytetit që kontrollohet nga forcat qeveritare Debaltseve i cili gjendet në verilindje të Donjeckut.

Përgatiti: Selvije Bajrami
XS
SM
MD
LG