Ndërlidhjet

Maqedoni: Afera e përgjimeve do të shkaktojë dridhje politike


Ilustrim
Ilustrim

Ekspertë juridikë konsiderojnë se Maqedonia ka kapacitet të mjaftueshëm për t`i zbardhur rastet korruptive, për të cilat ka folur Zoran Zaev, lider i opozitës maqedonase. Zaev ka theksuar se pos audio-incizimeve disponon dhe me dëshmi të dokumentuara. E, sipas ekspertëve, problemi qëndron në mungesën e vullnetit politik.

Osman Kadriu, njohës i çështjeve juridike, thotë se nëse institucionet punojnë në formë të pavarur, dhe njëkohësisht veprojnë konform ligjeve dhe kompetencave të tyre, s’do mend se nuk do të mungojë zgjidhja ligjore me kusht që të mos përzihet politika.

“Është më se evidente se në veprat penale për përgjimet, të involvuara janë vetë organet shtetërore. Meqenëse bëhet fjalë për organet shtetërore dhe gjyqësori është një nga organet e shtetit, i cili duhet ta zbërthejë çështjen në fjalë".

"Dhe, nëse edhe kësaj radhe ndaj gjyqësorit ushtrohet trysni politike, atëherë do të kemi sërish një dështim të theksuar në aspektin juridik dhe gjyqësor që të mos zbardhet rasti dhe të mos e marrë atë epilogun e duhur e tërë procedura, e cila ka të bëjë me përgjimet”, thotë Kadriu.

Sipas tij, me vetë faktin se përgjime në ish- regjimin bëheshin me urdhër të shtetit dhe ato përdoreshin më pas si dëshmi ndaj personave, të cilët ndiqeshin politikisht, “vazhdimi i këtij fenomeni edhe në kohën e sotme është non-sens” për një vend që mendon të jetë demokratik, madje dhe pjesë e Bashkimit Evropian.

Tani dëshmohet sërish, se gjendemi para një situate të njëjtë kur si në sistemin monist, organet e shtetit me kompetenca konkrete, duke keqpërdorur pozitën e tyre, bëjnë përgjimin e personave fizik, për të cilët kanë qenë të interesuar, që të hartojnë dosje që do t’u shërbejnë për hakmarrje politike”, vlerëson Kadriu.

Ndërkaq, Vlladimir Pivovarov, ish- punonjës në shërbimet sekrete, shprehet skeptik se aferat e mëdha korruptive, madje edhe kjo e fundit “Puçi” do të arrijë të zbardhet tërësisht.

Ai thekson se në Maqedoni më shumë raste, të cilat kanë qenë raste të pastra krimi, hetimet janë stërzgjatur aq sa është harruar rasti.

“Duke marrë parasysh partizimin e skajshëm të institucioneve, të cilat janë përgjegjëse për të ndjekur dhe zbardhur veprimet kriminogjene, pavarësisht nga kush ndërmerren ato, nuk kam shumë shpresa se institucionet do të ndërmarrin hapa konkret që do të çonin kah zbardhja e tërësishme e aferës së përgjimeve. Por, ajo që mund ta them me siguri është se në aspektin politik kjo aferë do të shkaktojë dridhje serioze”, thekson Pivovarov.

Nga ana tjetër, Stojan Andov, thotë se përvoja e gjatë politike e ka mësuar se aktorët politikë mund të mbledhin forca për t’i dhënë kahe procesit gjyqësor, me qëllim të zbardhet tërësisht afera e përgjimeve.

“Është e pakontestueshme se mbi 25 mijë qytetarë janë përgjuar, kjo paraqet arsye të mjaftueshme që së paku ministri i Punëve të Brendshme ‘të bjerë’, nëse do të ishim vend vërtet demokratik.Por, ne shohim se as numri një i dikasterit të policisë, e as kryeministri s’e kanë ndërmend të japin dorëheqje”, vlerëson Stojan Andov, kryetar i përbërjes së parë parlamentare në fillim të viteve ’90.

XS
SM
MD
LG