Ndërlidhjet

Koordinim për kthimin e migrantëve nga Kosova


Pamje të qytetarëve të Kosovës gjatë kalimit ilegal të kufirit Serbi - Hungari...
Pamje të qytetarëve të Kosovës gjatë kalimit ilegal të kufirit Serbi - Hungari...

Zyrtarët e institucioneve të Kosovës, kanë paralajmëruar se nga fillimi i javës së ardhshme do të nisë kthimi i të gjithë atyre qytetarëve të Kosovës që ilegalisht kanë arritur në vendet e Bashkimit Evropian, shumica nga ta në Austri dhe Gjermani.

Në Ministrinë e Integrimit Evropian thonë se janë duke u koordinuar me të gjitha shtetet ku shqiptarë nga Kosova, kanë arritur ilegalisht dhe kanë kërkuar azil.

“Kthimi i qytetarëve tashmë ka filluar dhe jemi në koordinim me vendet ku janë qytetarët e Kosovës. Po koordinohemi për të aranzhuar dhe siguruar kthimin sa më të shpejtë të tyre. Në ditët dhe javët në vijimi do të shohim kthimet e organizuar të qytetarëve të Kosovës”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ramadan Ilazi, zëvendësministër i Integrimeve Evropiane.

Autoritetet austriake kanë njoftuar Qeverinë e Kosovës, se po përgatiten që të bëjnë kthimin e personave që migruan paligjshëm muajt dhe javët e fundit në Austri.

Ministrja Federale e Punëve të Brendshme të Republikës së Austrisë, Johanna Mikl-Leitner, ka qëndruar një ditë më parë në Prishtinë, me ç'rast është pritur nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa.

Ajo ka thënë se vetëm javët e fundit kishte 1800 kërkesa për azil. Ministrja Mikl-Leitner ka thënë se Kosova është një vend i sigurt, kështu që personave që kanë kërkuar azil, nuk do t'u njihet kjo e drejtë dhe ata do të kthehen në Kosovë.

Ndërkohë, përfaqësuesit e organizatave joqeveritare nga Kosova, kanë kërkuar nga institucionet e vendit që të ndërmerren veprime urgjente për rregullimin e klimës socio-ekonomike. Ata kanë thënë se është përgjegjësi ekskluzive e Qeverisë së Kosovës që ta ndryshojë gjendjen e vështirë ekonomike, me të cilën po përballen qytetarët.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni, ka deklaruar për Zërin e Amerikës se shqiptarët në Kosovë pas kthimit do t’i presë ajo që e kanë lënë para se të migrojnë ilegalisht.

“I pret ajo që e kanë lënë, asgjë me shumë në afat të shkurtër. Në afat të gjatë, Qeveria e Kosovës do të bëjë përpjekje, do të bëjë çdo gjë që është e mundshme që të krijojë kushte më të mira, që të krijoj mundësi për punësim. Por, duhet ta kemi të qartë që mrekullitë nuk mund të ndodhin në afat shumë të shkurtër”, ka deklaruar Hyseni

Ministri Hyseni ka shpjeguar se ka përpjekje serioze të Qeverisë që gjendja të ndryshojë esencialisht dhe në mënyrë radikale në një afat pak më të gjatë.

“Është projekt i Qeverisë që të përkrahë sektorin privat, si një gjenerator kyç dhe kryesor, në fund të fundit, i vendeve të reja të punës”, ka theksuar Hyseni.

Autoritetet në Prishtinë deklarojnë se nuk kanë të dhëna të sakta për numrin e qytetarëve që kanë migruar paligjshëm në dy muajt e fundit, por flitet për mijëra të tillë që kanë migruar ilegalisht në vendeve të Bashkimit Evropian, në kërkim të një jete më të mirë.

XS
SM
MD
LG