Ndërlidhjet

Turqia hyn në Siri për të evakuuar varrin e Suleyman Shahut


Pjesëtarë të ushtrisë turke
Pjesëtarë të ushtrisë turke

Qindra trupa turke me automjete të blinduara kanë hyrë në Kobani të Sirisë dhe kanë evakuuar një varr historik osman dhe ushtarët që e ruanin atë.

Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, ka thënë se operacioni ka qenë i suksesshëm dhe se eshtrat e Suleyman Shahut, gjyshit të themeluesit të Perandorisë Osmane, do të zhvendosen diku tjetër në Siri.

“Trupat turke kanë hyrë në Siri me rreth 100 automjete – 39 tanke dhe 57 automjete të blinduara – dhe me 572 ushtarë. Rreth orës 3 të mëngjesit, trupat tona kanë arritur te varri i Sulejman Shahut. Ata kanë përfunduar misionin e tyre shpejt dhe, po ashtu, është mbajtur një ceremoni fetare për zhvendosjen e eshtrave”, ka thënë Davutoglu.

Ai, po ashtu, ka thënë se trupat e tij kanë shkatërruar varrin, me sa duket për të ndaluar përdorimin e tij nga militantët e Shtetit Islamik.

Davutoglu ka thënë se Turqia nuk ka kërkuar leje ose ndihmë për misionin, porse ka informuar aleatët e koalicionit ndërkombëtar kundër grupit të Shtetit Islamik, pasi ka nisur operacionin.

Turqia e konsideron vendin e shenjtë si territor sovran, por Siria e ka cilësuar ndërhyrjen si “agresion flagrant”.

Në një deklaratë të lexuar në televizionin shtetëror, Siria ka thënë se Turqia ka informuar konsullatën e saj në Stamboll në lidhje me operacionin, porse nuk ka pritur për miratimin e Sirisë.

Varri i Suleyman Shahut ka qenë e vetmja enklavë turke jashtë vendit, në përputhje me një marrëveshje të nënshkruar në vitin 1921.

Turqia ka qenë vazhdimisht e shqetësuar me forcimin e militantëve të Shtetit Islamik në këtë zonë. Në mars të vitit 2014, Shteti Islamik ka kërcënuar se do të sulmojë varrin nëse trupat turke që e ruajnë atë, nuk tërhiqen brenda tre ditësh. Por, një sulm i tillë, megjithatë, nuk ka ndodhur.

Në gusht të vitit 2012, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në atë kohë kryeministër, kishte paralajmëruar se çdo akt kundër varrit do të konsiderohet si “sulm në territorin tonë dhe në tokën e NATO-s”.

Duke folur të dielën në televizion, Davutoglu ka thënë se operacioni është kryer “për të mbrojtur vlerat tona shpirtërore dhe sigurinë e forcave tona të armatosura”.

Ai ka thënë se eshtrat e Suleyman Shahut janë zhvendosur në Turqi, porse, së shpejti, do të rivarrosen në një zonë të Sirisë, më afër kufirit me Turqinë dhe nën kontrollin e ushtrisë turke.

Davutoglu ka thënë se nuk ka pasur përleshje me militantët e Shtetit Islamik gjatë operacionit, porse një ushtar ka vdekur në një aksident.

Kobani ka qenë në fokus të sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara, derisa forcat kurde kanë luftuar militantët e Shtetit Islamik, të cilët kontrollojnë një të tretën e Irakut dhe disa territore në Siri. (v.tela)

XS
SM
MD
LG