Ndërlidhjet

Ndërmjetësim ndërkombëtar për krizën në Maqedoni?


Kyçja e faktorit ndërkombëtar në zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni është e domosdoshme, por kjo vështirë se do të ndodhë pa shterrjen e të gjithë mekanizmave të brendshëm politik e institucional për dalje nga gjendja e krijuar pas aferës së përgjimeve, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike duke komentuar kërkesat për ndërmjetësim nga jashtë.

Sipas tyre, kërkesat e tilla janë edhe më të palogjikshme nëse vijnë nga partitë në pushtet, siç ishte rasti me letrën e një ditë më parë të Bashkimit Demokratik për Integrim, drejtuar komisionerit për zgjerim, Johanes Hahn.

Analisti Ibrahim Mehmeti, thotë se BDI-ja mund të parashtronte një kërkesë të tillë, por vetëm sikur më parë të largohej nga qeveria.

“Kur vet përfaqësuesit e institucioneve kërkojnë kyçjen e faktorëve të jashtëm, është pak diskutabile sepse në këtë rast shtrohet pyetja se a e kanë kryer ata punën që duhet ta kenë kryer për rendin në një shtet dhe zgjidhjen e problemeve dhe vetëm pastaj të shihet se çfarë mund të bëj faktori ndërkombëtar".

"Kur kërkohet në mënyrë direkte kyçja e faktorit ndërkombëtar pa u shqyrtuar paraprakisht mundësia që kjo të zgjidhet nga subjektet politike në qeveri, atëherë vërtetë mund të themi se bëhet fjalë për një anashkalim, apo ikje nga përgjegjësia vetjake”, thotë Mehmeti

Ndryshe nga ai, profesori i së drejtës ndërkombëtare, Denko Maleski, vlerëson se faktori ndërkombëtar vështirë se do të përfshihet në zgjidhjen e krizës së rëndë politike në të cilën ndodhet vendi.

Ai thotë se deklaratat e deritanishme të përfaqësuesve ndërkombëtarë, len të kuptohet se ndërhyrja e tyre vështirë se do të ndodhë, pasi haptazi kërkojnë që kriza duhet të zgjidhjet nga vet partitë politike në kuadër të institucioneve.

“Ne, praktikisht jemi lënë që vet të kërkojmë dalje nga kjo krizë politike, e ndoshta kjo edhe është variant më i mirë pasi në fund të fundit edhe politikanët edhe populli duhet një herë të mësojnë leksionin e demokracisë, e kjo parasegjithash vlen për elitat politike”, thotë Maleski.

Por, sa është e mundur që kriza të zgjidhet nga vet partitë politike, kur madje edhe një nga partitë qeverisëse, Bashkimi Demokratik për Integrim, ka dal me qëndrimin se institucionet e vendit ndodhen para një sfide serioze pasi kapacitetet demokratike tashmë kanë humbur kredibilitetin në zgjidhjen e krizës.

Se kriza ka marrë përmasa shqetësuese dhe se institucionet kanë humbur besimin, sipas analistëve, flet edhe anulimi i takimit mes kryeministrit, Nikolla Gruevskit dhe Presidentit të Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker.

Në fakt, Komisioni Evropian, ditë më parë bëri të ditur se për shkak të krizës në të cilën ndodhet vendi, nuk e sheh të favorshme realizimin e vizitës së Gruevskit në Bruksel, e paraparë për ditën e enjte.

“Është e qartë se Bashkimi Evropian jep sinjale të qarta se nuk i kënaqur me zhvillimet në Maqedoni, apo se si praktikohet pushteti. Kjo është theksuar edhe gjatë vizitës së fundit të komisionerit, Hahn por edhe më parë, në raportet e progresit”, thotë analisti Ibrahim Mehmeti.

Ndryshe, anulimi i takimit mes kryeministrit Gruevskit dhe kreut të Komisionit Evropian, ka nxitur edhe më shumë përplasjet mes partive politike.

“Kryeministri Nikolla Gruevski është izoluar politikisht nga Bashkësia Ndërkombëtare. Porosia e fundit e fuqishme erdhi nga presidenti i Komisionit Europian Junker, i cili e anuloi takimin me Gruevskin. Është e qartë se heshtja e Gruevskit dhe bashkëpunëtorëve të tij, pas përgjimeve skandaloze, është tmerruese jo vetëm për opinionin vendas, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare”, ka deklaruar Zëdhënësi I Lidhjes Social-demokrate të opozitës, Petre Shilegov.

Nga ana tjetër, partia në pushtet, VMRO-DPMNE-ja e kryeministrit, Nikolla Gruevski edhe kësaj radhe, reagimin e saj e ka përqëndruar në akuzat drejtuar opozitës se qëllimin e vetëm e ka që përmes shantazheve e komploteve me shërbimet e huaja sekrete, të rrëzoj pushtetin e zgjedhur në mënyrë demokratike.

Nga VMRO-ja nuk kanë komentuar anulimin e vizitës së Gruevskit në Bruksel, por edhe kërkesën e BDI-së, partnerit të saj qeverisës, për ndërhyrje nga jashtë për zgjidhjen e krizës politike.

XS
SM
MD
LG