Ndërlidhjet

“Efekti” Tony Blair në Serbi


Beograd
Beograd

Bashkëpunimi i Qeverisë së Serbisë me kompaninë e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair, ka nxitur reagime të ndryshme në opinionin serb. Siç thuhet, kjo kompani duhet të ndihmojë për formimin e ekipeve të ekspertëve në kuadër të kabinetit të kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq.

Reagimet, kryesisht kanë të bëjnë për faktin se rreth 15 vjet më parë, gjatë intervenimit të NATO-s mbi caqet serbe, Vuçiq, si ministër i informimit në atë kohë, kishte sulmuar hapur ish-kryeministrin britanik, Blair.

Por, Erik Gordi, ekspert britanik për Evropën juglindore, thotë se tashmë kohërat kanë ndryshuar e me këtë edhe pozicionet e aktorëve.

“Blair me nuk është në pozicionin zyrtarë, ndërkaq as Vuçiq nuk e ka më pozitën e njëjtë, të cilën e ka pasur më parë”, tha Gordi.

Megjithatë, një pjesë e medieve në Serbi, por edhe ato perëndimore, nuk kanë mundur ta injorojnë faktin se Vuçiq dhe Blair, tashmë janë në të njëjtën anë, ndërkohë që 15 vjet më parë, Vuçiq ishte edhe recensent i librit të liderit radikal serb, Vojislav Sheshelj, libër ky me titull ofendues.

Analisti i çështjeve politike, Vladimir Goati, thotë se tashmë gjërat kanë ndryshuar.

“Vuçiq, që nga ajo kohë, ka ndryshuar mjaft nga ajo çfarë ka folur. Ai është bërë demokrat. Me siguri që dikush mund të thotë se është vonë për këtë. Unë them, më mirë vonë se kurrë”, tha Vladimir Goat.

Medieve në lindje, nuk u ka pëlqyer hapi i Vuçiqit. Televizioni i afërt me qeverinë ruse, “Russia today”, i'a ka kushtuar një kronikë, duke kritikuar Vuçiqin se po bashkëpunon ‘me njeriun që e bombardoi Serbinë'.

Në mbrojtje të Vuçiqit nga kritikat e medieve ruse, ka dalë ministri i punës i qeverisë serbe Aleksandar Vulin, duke thënë se vlerësimet e televizionit rus nuk janë edhe qëndrim i Kremlinit. Ai ka theksuar se Serbinë e udhëheq Vuçiqi nga Beogradi dhe ajo nuk udhëhiqet nga Washingtoni apo nga Moska.

“Të gjitha këshillat e Brukselit, Washingtonit dhe Moskës, dëgjohen me respekt, ashtu siç edhe e meritojnë miqtë, por vendimet janë kryekëput serbe”, tha Vulin.

Por, njohësit e zhvillimeve, vlerësojnë se ky sulm medial nuk ka qenë i rastësishëm, ndërkaq që pakënaqësia e Rusisë ndaj Serbisë është gjithnjë më e thellë se sa çështja e zgjedhjes së një këshilltari.

“Qeveria ruse, me siguri është e vetëdijshme se po rrezikon me humbjen e ndikimit në Serbi, kryesisht për shkak të dështimit të Rrjedhës së jugut. Kjo do të thotë se tashmë , më shumë luhet përmes kërcënimeve, akuzave dhe forcës, se sa në rast se do të kishte pasur sukses Rrjedha e jugut”, vlerësoi Erik Gordi.

Ndryshe, në muajt e fundit, Blair dhe ekipi i tij, disa herë kanë shkuar në Beograd, ndërkohë që fund të janarit, në Qeverinë e Serbisë ka mbajtur ligjëratë Alistair Campbell, ish-shef për shtypin në ‘Dawning streat’, i njohur për opinionin që nga koha e intervenimit të NATO-s mbi caqet serbe.

Erik Gordi, megjithatë vlerëson se emrat e njohur të ish-politikanëve profesionist, kanë edhe një rol tjetër.

“Qeveria e Serbisë po kërkon disa lidhje me qeveritë evropiane, në mënyrë që të kenë dikë që të loboj për ta”, theksoi Gordi.

Ndryshe, ish-kryeministri britanik, Tony Blair, aktualisht është edhe këshilltar i jashtëm i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ky i fundit, qysh në maj të vitit 2013 pati paralajmëruar përmes një shkrimi në rrjetin social Twitter, se ishte takuar me Tony Blair dhe se ishin pajtuar që pas zgjedhjeve të 23 qershorit të vitit 2013 në Shqipëri, Blair të angazhohej si këshilltar i tij.

“Një takim i shkëlqyer me Tony Blair. Ne ramë dakord që pas 23 qershorit, ai dhe ekipi i tij do punojnë me ne për një qeverisje të mirë”, pati shkruar Rama.

XS
SM
MD
LG