Ndërlidhjet

Rasti "Stojanoviq" të mos injorohet!


Faqja e Interpolit
Faqja e Interpolit

Fletë-arresti i Interpolit në kërkim të deputetit në Kuvendin e Serbisë, Momir Stojanoviq, është lëshuar me kërkesën e një prokurori ndërkombëtar të Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX, në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Stojanoviq është në mesin e 17 personave të kërkuar për krime lufte në Kosovë.

Kërkesa për arrestimin e tyre është dërguar në kuadër të një lënde, e cila është subjekt hetimesh pesë vjeçare, e që kanë të bëjnë me periudhën kur Stojanoviq ishte shef i sigurimit në korpusin e dikurshëm të Ushtrisë Jugosllave në Prishtinë.

Stojanoviq sot është deputet i Partisë Përparimtare të Serbisë, e cila udhëhiqet nga kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq. Ai është gjithashtu kryetar i komisionit parlamentar për çështje sigurie.

Ndryshe, organizatat që mbrojnë të drejtat e njeriut në Kosovë thonë se kërkimi dhe arrestimi i personave që dyshohet se kanë kryer kime është shumë i rëndësishëm.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, thotë se përpjekjet për arrestimin e Momir Stojanoviqit dhe shumë personave të tjerë që dyshohet se kanë bërë krime janë përpjekje të mira për drejtësinë.

“Nëse arrestohen ata persona që janë në listë, është mirë. Po ashtu nëse gjykohen, është mirë për viktimat, për drejtësinë. Por, prej asaj që është bërë publike, deri të ekzekutimi i atyre akuzave, është një rrugë e gjatë dhe mendoj që nuk do të shkojë me një rritëm të përshpejtuar, por ndoshta as nuk do të arrestohen të gjithë ata të cilët janë në listën e kërkimit”, tha Shala.

Natasha Kandiq, e cila ka themeluar Fondin për të Drejtën Humanitare, për rastin në fjalë, thirret në dëshminë e dëshmitarit Nik Peraj, ish komandant i Ushtrisë Jugosllave.

Zonja Kandiq kujton se Peraj, në dëshminë e dhënë më 2002 gjatë procesit gjyqësor në Tribunalin e Hagës kundër ish presidentit serb, Slobodan Millosheviq, pati folur për "operacionin Meja" në prill të vitit 1999 në komunën e Gjakovës dhe pati cituar Momir Stojanoviqin të ketë thënë se po përgatiten vrasje në numër të shqiptarëve.

Trupat e pajetë të shqiptarëve të vrarë në këtë lokacion në komunën e Gjakovës janë zbuluar në varrezën masive në Batajnicë, afër Beogradit.

Sipas Perajt, Kandiq thotë se shkak për "operacionin Meja" ka qenë vrasja e një polici serb atëbotë, Millutin Prashçeviq.

Drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë, Bekim Blakaj, shprehet se futja e emrit të Momir Stojanoviqit në listën e personave të kërkuar nga Interpoli, jep shpresë se ai do të arrestohet dhe drejtësia do të vihet në vend.

“Ky është një hap shumë pozitiv e sidomos për shkak se i njëjti ka pasur një gradë goxha të lartë në hierarkinë ushtarake serbe deri tani vonë. Të gjithë kemi pasur dyshime se ndoshta kurrë nuk do të nxirren para drejtësisë, sidomos ata që kanë pasur përgjegjësi komanduese. Prandaj unë e shoh si një hap goxha pozitiv”, tha Blakaj.

Blakaj thotë po ashtu se praktikat e deritanishme kanë treguar se autoritetet në Serbi nuk kanë bashkëpunuar me drejtësinë, por tani kur bëhet fjalë për Interpolin ndoshta gjërat do të ndryshojnë.

“Besoj se megjithatë autoritetet serbe do të vihen në një pozitë ku do te jenë të shtyrë të bashkëpunojnë me drejtësinë. Mendoj që ketë rast thjesht nuk mund ta injorojnë dhe duhet t’i përgjigjen Interpolit”, tha Blakaj.

Lidhur me ketë çështje, në një përgjigje me shkrim përmes postes elektronike, Ministria e Drejtësisë në qeverinë e Kosovës ka thënë se “Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, pranë Ministrisë së Drejtësisë, në të gjitha rastet që është duke u zhvilluar procedurë penale para organeve tona gjyqësore ose është nxjerr vendim për kryerjen e ndonjë vepre penale dhe për të gjitha rastet që është kërkuar lëshimi i Letërreshtimit ndërkombëtar, Ministria e Drejtësisë do të kërkoj ekstradimin e tyre”.

Interpoli është organizata më e madhe ndërkombëtare policore në botë.

Pjesë e kësaj organizate janë 190 shtete. Kosova ende nuk është pjesë e këtij mekanizmi.

XS
SM
MD
LG