Ndërlidhjet

Hipotekat në Kosovë, nuk shiten


Për të marrë ndonjë vlerë të caktuar të kredisë, klientët e bankave komerciale në Kosovë, si peng duhet futur hipotekë, shtëpinë, dyqanet, veturat, tokat deri te pajisjet elektronike të shtëpisë, vlera e së cilës duhet të jetë dy herë më e lartë se e kredisë së miratuar.

Nëse kredimarrësit nuk arrijnë t'i paguajnë këstet e kredisë bankave, këta të fundit patundshmërinë e nxjerrin në shitje përmes ankandit publik.

Ekspertë për çështje financiare, e konsiderojnë të lartë vlerën e nevojshme të lënë si hipotekë, pasi sipas tyre, kjo në masë të madhe po dëmton bizneset.

Flamur Keqa, udhëheqës i Institutit për Banka dhe Financa, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se bankat komerciale po zhvlerësojnë tej mase vlerën e patundshmërisë të lënë si hipotekë apo kolateral, në rast të marrjes së kredive.

E kjo, sipas tij, në masë të madhe po dëmton bizneset pasi po pamundëson aplikimin apo realizimin e kredive të reja.

“Vendosja e hipotekave nga ana e huamarrësve te bankave kanë një përqindje mjaft të madhe më shumën që kreditohen dhe kjo paraqet ngarkesë për bizneset. Bizneset gjatë aktiviteteve të tyre biznesore nuk kanë vetëm një kredi nëpër banka, por mund të marrin më tepër kredi dhe kjo ngarkesë sa i përket hipotekës e pamundëson marrjen e kredive të tjera“, thekson Keqa.

Hipoteka i siguron bankës të drejtën për të arkëtuar borxhin e kredisë nga pasuria e patundshme e lënë peng, në rastin kur dështohet në shlyerjen e kredisë me kohë.

Pavarësisht kësaj, kur bankat shpallin në ankand publik shitje të hipotekave, interesimi i palëve për të blerë prona të cilat janë objekt i shitjeve gjyqësore është shumë i vogël.

Lidhur më këtë, profesori në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, thotë se në shumicën e rasteve shitja e pasurisë së patundshme dështon në viset rurale, kurse në viset urbane tashmë ka raste kur persona blejnë edhe hipotekë.

“Duke marrë parasysh mentalitetin patriarkal dhe shumë gjëra tjera që lidhen me personalitetin e njerëzve rural, ata hezitojnë të blejnë pasuri të patundshme. Mirëpo kur është në pyetje te pasuritë e paluajtshme, nëpër qytete ka pasur raste se janë realizuar dhe pa probleme të mëdha”, tha Ramosaj për Radion Evropa e Lirë.

Kurse Flamur Keqa, pajtohet se ekziston kultura e qytetarëve se prona private nuk duhet blerë nga pala e tretë, por megjithatë ai thotë se qytetarët duhet të vetëdijësohen se kjo çështje është ligjore.

“Në aspektin ligjor, mundësia e blerjes është reale, është shumë e kapshme, por them se ekziston aspekti moral i cili pak a shumë pengon njerëzit që të blejnë hipotekat që lënë peng në bankat komerciale”, shprehet Keqa.

Sipas ekspertëve, mungesa e funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe kulturës për të blerë këto prona, por edhe kërcënimet eventuale nga debitorët, janë arsye pse qytetarët nuk dëshirojnë të blejnë pronat në ankande publike.

XS
SM
MD
LG