Ndërlidhjet

Energjia elektrike, barriera kryesore në të bërit biznes


Furnizimi jo stabil me energji elektrike, kostoja e lartë e energjisë, korrupsioni dhe kostoja e kredive financiare, janë disa nga problemet thelbësore që bizneset i kanë deklaruar si pengesa për zhvillimin e biznesit në Kosovë.

Hulumtimi mbi identifikimin e vështirësive të të bërit biznes, i titulluar “Bottleneck”, është publikuar të premten nga Oda Ekonomike në Kosovë.

Ky studim ka treguar se bizneseve në Kosovë nuk iu është krijuar një ambient i përshtatshëm afarist.

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, gjatë prezantimit të këtij raporti ka theksuar se Kosova duhet të investojë në sistemin energjetik, pasi që siç thekson ai, bizneset kanë nevojë për stabilitet të energjisë elektrike.

“Kur jemi te qëndrueshmëria me energji elektrike, kemi një rast tek një investitorë holandez i cili e kishte planifikuar çmimin e energjisë në planin e biznesit, ka llogaritur investimet në rrjet dhe të gjitha investimet tjera, por në fund del që kjo nuk është e mjaftueshme dhe i rriten kostot për shkak të jo stabilitetit me energji elektrike”, tregon Rukiqi.

Sipas këtij hulumtimi, janë identifikuar edhe disa barriera në të bërit biznes në Kosovë, siç është mungesa e përkrahjes shtetërore si dhe konkurrenca jo e drejtë e shkaktuar nga evazioni fiskal dhe ekonomia joligjore.

Hulumtimi rekomandon që të përmirësohet ambienti afarist në Kosovë, kërkohet ulja e normave të interesit, në veçanti për bizneset prodhuese si dhe luftimi i ekonomisë jo formale.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka theksuar se duke pasur parasysh këtë gjendje, është koha kur prioritet i prioriteteve në Kosovë, të vendoset zhvillimi ekonomik dhe ekonomia të orientohet drejt sektorit privat.

“Është koha kur duhet krahas fuqizimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të jemi të orientuar në sektorin prodhues, pasi që vetëm në këtë mënyrë Kosova mund të arrijë stabilitet politik, Kosova mund të arrijë stabilitet social dhe mund t’i përshpejtojë proceset integruese”, thekson Gërxhaliu.

Në anën tjetër, zëvendës ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Mathias Kiesler, e ka vlerësuar si mjaft të rëndësishëm këtë studim, i cili pasqyron vështirësitë që kanë bizneset në Kosovë.

Kosova ka shtuar ai, ka nevoja për investime të reja të në rrjetin e energjisë elektrike.

Kiesler ka folur edhe për migrimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani. Ai ka theksuar se qytetarëve të cilët po migrojnë për një të ardhme më të mirë në vendet tjera, duhet të iu krijohen mundësi më të mira në Kosovë.

“Këta njerëz shpresojnë se mund të gjejnë të ardhme më të mirë në Gjermani, prandaj është e rëndësishme që këtyre njerëzve të ju sigurohet një e ardhme këtu në vendin e tyre. Atyre ju duhen më shumë vende të punës, rritje ekonomike dhe një stabilitet ekonomik. Qeveria dhe sektori privat duhet të punojnë së bashku që të gjithë qytetarët e Kosovës të kenë një të ardhme më të mirë”, ka theksuar Kiseler

Hulumtimi mbi identifikimin e vështirësive të të bërit biznes, “Bottleneck”, i është dorëzuar kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa.

XS
SM
MD
LG