Ndërlidhjet

Vlerësim ndërkombëtar për arsimin


Ilustrim (Shutterstock)
Ilustrim (Shutterstock)

Kosova gjatë këtij viti për herë të parë do t’i nënshtrohet një vlerësimi ndërkombëtar për arsim.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë thonë se kanë filluar përgatitjet për këtë test.

Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve, i njohur me shkurtesën PISA, është një vlerësim ndërkombëtar për njohuritë e nxënësve 15-vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë.

Kushtrim Shkodra, këshilltar politik i ministrit të Arsimit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se ky vlerësim ndërkombëtar do t‘i vlerësojë nxënësit në çfarë mase mund të aplikojnë njohuritë e tyre dhe se në çfarë mase ata mund të marrin pjesë në shoqëri dhe ekonomi.

“Kosova në prill 2014 ka mbajtur testin e parë pilot, që nënkupton pjesëmarrjen e parë të Kosovës në programin për vlerësim PISA në vitin 2015. Agjencia gjermane GIZ është duke e përkrahur në vazhdimësi këtë proces, duke filluar nga planifikimi deri te zbatimi, përfshirë edhe raportin kombëtar të rezultateve që do të publikohet në vitin 2016”, bën të ditur Shkodra.

Pjesë e testitit vlerësues ndërkombëtar për arsim, PISA, janë 72 vende të botës dhe organizohet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Kosova ka aplikuar për t’u përfshirë në grupin e shteteve që aplikojnë këtë test në vitin 2012.

Ekspertë të çështjeve të arsimit në Kosovë nuk presin ndonjë rezultat të mirë nga ky vlerësim.

Dukagjin Popovci, ekspert i çështjeve të arsimit në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë thotë se cilësia e arsimit në Kosovë nuk është në nivelin e dëshiruar dhe, sipas tij, kjo tregon se nga ky test nuk mund të pritet shumë.

“Po nga ajo që shihet nga testet kombëtare, ku tregohen rezultate mjaft të dobëta, duke marrë parasysh edhe shkallën e lartë të kopjimit që ndodh, unë mendoj që Kosova nuk mund të pret ndonjë rezultat të mirë nga testi PISA. Në fakt, të gjitha vendet e Ballkanit kur kanë hyrë për herë të parë në këtë test, kanë treguar rezultate jashtëzakonisht të dobëta, pastaj disa prej tyre janë përmirësuar, ndërsa të tjera kanë mbetur nga fundi i listës, pra nuk kanë shënuar përmirësim”, thekson Popovci.

Kalueshmëria e provimit të maturës në Kosovë në vitin 2014 ishte 52.5 për qind, që ishte konsideruarnjë sukses nga zyrtarët e Ministrisë së Arsimit.

Megjithatë me këto rezultate, në atë kohë nuk ishin pajtuar njohës të çështjeve të arsimit.

Ata kishin theksuar se ka pasur shumë parregullsi gjatë mbajtjes së provimit të maturës dhe se nuk është rezultat real.

Sidoqoftë, Popovci thotë se testi vlerësues ndërkombëtar në arsim është një gjë e mirë, pasi që Kosova po fillon të krahasohet me vendet tjera.

“Deri më tani, në masë të madhe kemi qenë vetë referent, pra gjithkush i ka interpretuar rezultatet ashtu siç i ka pëlqyer, ose i ka parë sukseset aty ku nuk janë, ndërsa tani do të kemi një test të pranuar ndërkombëtarisht, ku ne si shtet, do të mund të krahasohemi me shtetet tjera dhe ta shohim se ku jemi”.

"Pastaj, nëse nuk dalim mirë, atëherë besoj se ky do të jetë një sinjal shumë i fuqishëm për gjithë shoqërinë se sistemi i arsimit duhet të përmirësohet dhe kur vjen PISA tjetër diku pas tre vjetëve, sigurisht se duhet të shihen edhe rezultatet e përmirësimit”, sqaron ai.

Sistemi i arsimit në Kosovë, edhe në raporte të shumta të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, ishte kritikuar se është në nivel jo të dëshiruar.

Ankesat më të mëdha, fillimisht, ishin bërë për mungesë të objekteve shkollore, mirëpo thuhet se kjo problematikë është zbutur deri më tani, derisa problemi që vazhdon ta rëndojë këtë fushë është cilësia.

XS
SM
MD
LG