Ndërlidhjet

Kosova pa mundësi pune për të rinjtë


Ilustrim
Ilustrim

Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, të rinjtë vazhdojnë të flasin për problemet, me të cilat përballen çdo ditë.

Ata thonë se Kosova po vazhdon të jetë një vend, i cili nuk po ofron mundësi për të rinj.

Blerta Binaku, studente në Fakultetin Filologjik në Prishtinë, thotë se ajo, sikurse dhe shumë të rinj, po përballet me problemin e mungesës së vendeve të punës.

Ajo tregon se shumë të rinj që kanë përfunduar studimet janë të papunë.

“Siç po shihet, Kosova nuk po tregohet që është një vend i mundësive për të rinjtë. Prandaj, edhe po kemi probleme të shumta si në shkollim, po ashtu edhe në punësim. Mendoj se është koha e fundit që institucionet apo shteti të bëjë diçka për gjeneratat e ardhshme”, shprehet Blerta.

Rron Kasapolli nga Prizreni, i cili kishte ardhur në Prishtinë për një shëtitje bashkë me shokët e tij, thotë se punësimi për të rinj është problemi kryesor.

“Nuk kemi shumë mundësi për aktivitete të ndryshme sportive kur kemi kohë të lirë. Studimet, punësimi një problem tjetër, po ashtu. Ka shumë fakultete, shumë të interesuar, por pas përfundimit të studimeve, vendet e punës janë shumë të limituara. Për një vend pune kërkohet kualifikim eksperiencë”, thotë Rroni.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:57 0:00

I riu Qëndrim Krasniqi nga Prizreni, thotë se aktualisht nuk ka ndonjë problem pasi që për të kujdeset dhe e financon familja.

Ai konsideron se veç problemit të papunësisë, disa të rinj janë duke shkuar edhe në drejtime të disa rrugëve që në të ardhmen mund të jetë problem i konsiderueshëm.

“Mendoj se problemet më të mëdha te të rinjtë janë përdorimi i substancave narkotike. Shteti duhet të veprojë diçka në këtë drejtim. Ky problem është edhe në vendet e tjera, po Kosova, edhe në këtë drejtim duhet të forcohet dhe të mos lejoj të rritet kjo dukuri”, thekson Qëndrimi.

Genta Berisha, 18 vjeçe, nxënëse e shkollës së mesme, thotë se papunësia është problem për të dhe të rinjtë në Kosovë:

“Do të ishte një përparësi shumë e madhe, jo vetëm për mua, po edhe për prindërit e mi që edhe të punoj ngapak, por edhe të studioj në të njëjtën kohë. Do të ishim mësuar shumë për të ardhmen, për sfidat që do të mund t’i kemi më vonë. Problemet që më shumë i kanë të rinjtë janë ato që lidhen me kushtet socio- ekonomike”.

Edhe Fabijan Tomiqi mendon ngjashëm:

“Mendoj se studentëve iu nevojitet një punë, në mënyrë që të kenë mundësi t’i vetë-financojnë studimet. Edhe studentët duhet të jenë më aktivë sa i takon kërkimit të vendeve të punës”.

Kurse, Amar Hoxha tregon për problemet e tij...

“Problemi që kemi aktualisht është dilema se në cilin fakultet të regjistrohemi. Nuk kemi ndonjë referim se ku, në cilin fakultet të shkojmë, pasi që nuk e dimë se a do të mund të sigurojmë ndonjë vend pune në të ardhmen”.

Shtatë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, papunësia sipas shifrave zyrtare, ka shënuar rënie, kurse në realitet sipas ekspertëve për çështje ekonomike, shkalla e papunësisë pothuajse vetëm është thelluar.

Në tregun e punës në Kosovë, sipas të dhënave të zyrtare, çdo vit hyjnë 25 deri në 30 mijë të rinj, të cilët konsiderohen të aftë për punë, derisa ky treg absorbon jo më shumë se 6 mijë persona.

XS
SM
MD
LG