Ndërlidhjet

Obama: Fjalimi i Netanyahut në Kongres, gabim


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se Irani duhet të pajtohet së paku për një dekadë të ngrirjes së aktivitetit të vet atomik, në mënyrë që të arrihet marrëveshja bazë, për të cilën po zhvillohen negociata ndërkombëtare.

Gjatë një interviste për agjencinë Reuters, në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama e ka mbrojtur marrëveshjen e mundshme me Iranin, para fjalimit të planifikuar të kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i cili, në anën tjetër, e kundërshton fuqishëm marrëveshjen atomike me Iranin.

“Në fakt, Irani ka gatishmëri për tu pajtuar për një periudhë vjetore dyshifrore për ta mbajtur programin e vet aty ku e ka tash dhe kthimi i elementeve të saj, që aktualisht ekzistojnë, me ç’rast ne ia dolëm të kemi mënyrë për verifikimin e saj, atëherë do të krijonte situatë që ne nuk mund të ndërmarrim hapa të tjerë për të na dhënë siguri se ata nuk kanë armatim bërthamor”, tha Barack Obama.

Qëllimi Shteteve të Bashkuara është që të sigurohet se “ekziston së paku një vit ndërmjet neve duke i parë ata në përpjekje që të kenë armatim bërthamor dhe ata, aktualisht duke qenë në gjendje ta kenë atë”, ka shpjeguar presidenti Obama, dhe ka sugjeruar se ka pasur pak ndryshim në vlerësimin e tij se ka më pak se 50% gjasë që negociatat të prodhojnë sukses.

Shtetet e Bashkuara së bashku me Britaninë, Kinën, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë, po synojnë arritjen e marrëveshjes me Iranin, me të cilën do të kufizohej programi atomik i Iranit në këmbim për zbutje të sanksioneve ndërkombëtare.

Gjashtë fuqitë botërore dhe Irani e kanë caktuar fundin e muajit mars si afat për arritjen e marrëveshjes kornizë, ndërsa 30 qershori është afat i i fundit për arritjen e marrëveshjes së plotë.

Zyrtarët e lartë të Izraelit thonë se çfarëdo marrëveshje që lejon që Irani të mbetet me industri funksionale atomike, është shumë e rrezikshme.

Pak para fjalimit të tij në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i cili ka shkaktuar polarizim në Uashington, kryeministri Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se marrëveshja atomike me Iranin “mund ta kërcënoj mbijetesën e Izraelit”.

Duke folur në konferencën e Komitetit amerikano-izraelit për çështje publike në Uashington, zoti Netanyahu tha se “e ka obligim moral për të folur hapur për këto rreziqe, derisa ende ka kohë për shmangien e tyre”.

Por, Obama i ka hedhur poshtë shqetësimet e zyrtarëve të lartë të Izraelit, duke thënë në intervistën e përmendur me agjencinë Reuters se kryeministri i Izraelit kishte gabuar më parë për Iranin, kur vitin e kaluar e kishte kundërshtuar një marrëveshje të përkohshme.

Megjithatë, zyrtarët e lartë kanë lëvizur kah ulja e tensioneve.

“Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara pajtohen se Irani nuk duhet të ketë armatim atomik, por ne nuk pajtohemi për mënyrën më të mirë për ta parandaluar Iranin nga zhvillimi i armatimeve të këtilla”, tha Benjamin Netanyahu.

Ai ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara janë “më të fuqishme se kurrë më parë dhe nuk janë në krizë” dhe ka insistuar se ai nuk po qëndron për vizitë në Uashington në shenjë të “mosrespektit” për presidentin amerikan.

Presidenti Obama, i cili ka refuzuar të takohet me Netanyahun gjatë vizitës së tij, ka thënë se dallimet e tilla në pikëpamje nuk do të jenë “shkatërruese në mënyrë të përhershme” për lidhjet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Lidhur me vizitën e Netanyahut në Uashington, zoti Obama, theksoi se është gabim të mbahet fjalim në Kongres pak para zgjedhjeve.

“Si çështje e politikës, ne mendojmë se është gabim që kryeministri i çfarëdo vendit të vijë për të mbajtur fjalim para Kongresit, pak javë para se ata të kenë zgjedhje. Kjo bënë të duket se ne anojmë për dikë”, tha Barack Obama.

Përgatiti: Fatmir Bujupi​
XS
SM
MD
LG