Ndërlidhjet

Kosova do të aplikojë në UEFA


Federata e Futbollit të Kosovës po i bën të gjitha përpjekjet që ta avancoj çështjen e pranimit të futbollit të Kosovës në organizatat evropiane dhe botërore të këtij sporti, por edhe të gjen kundërshtarë për takime miqësore përgatitore me përfaqësuesen e Kosovës në futboll.

Zyrtarët e kësaj federate thonë se tashmë kanë aranzhuar dy takime, me dy klubet e njohura të ligave Gjermane të futbollit, Eintracht (Aintraht) dhe Werder, të cilat pritet të zhvillohen në pjesën e tretë të muajit mars.

Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur zyrtarët e federatës së Futbollit të Kosovës për herë të parë u takuan me kryetarin e Federatës Evropiane të Futbollit -UEFA, Michael Platini, Kosovën e kanë vizituar edhe dy delegacione të UEFA-s.

Në fund të janarit të këtij viti, Kosovën e kishte vizituar David Petriashvili, përgjegjës i UEFA-s për Ballkan, për çështje të infrastrukturës. Ndërkaq, në mes të muajit shkurt të këtij viti, Kosovën e ka vizituar edhe Theodor Theodoritis, zëvendës i sekretarit gjeneral të UEFA-s dhe kryetar i Asociaconit të federatave evropiane.

Salihu thotë se Federata e Futbollit të Kosovës po përpiqet t’ia arrijë që të jetë pjesëmarrëse në garat për kampionat botëror.

“Së pari, kemi takime me datat 24 dhe 27 mars. Do të luajmë me dy ekipe të Bundesligës gjermane. Është në interes të kombëtares që dalëngadalë të fillohet të bëhet bërthama e atyre që do të mbajnë peshën në kampionatin e radhës, për arsye se shpresojmë që vitin e ardhshëm të marrim pjesë në kualifikime".

"Qëllimi kryesor ligjor që i paraprinë kësaj është që të hyjmë në short, i cili mbahet në korrik, për kampionatin botëror 2018. Ditëve në vijim, besoj që do të kemi takim për t’i paraprirë mbledhjes të Komitetit ekzekutiv dhe Kongresit, sepse ne mëtojmë të aplikojmë zyrtarisht në UEFA”.

Ndeshjet me ekipet e Bundesligës, sipas Salihut, tash për tash kanë qenë më të mundshmet.

“Edhe pse do të ishte më mirë ndoshta që të kemi përfaqësuese më të forta, por qëllimi ka qenë që të lidhen dy ndeshje dhe për këtë moment kjo ka qenë më e mundshmja. Janë ndeshje miqësore përgatitore”.

Ndryshe, Salihu ka theksuar se ndërkohë që Federata e Futbollit të Kosovës do t’i shfrytëzojë maksimalisht edhe oraret tjera të Federatës Botërore të Futbollit -FIFA, për të zhvilluar ndeshje miqësore me përfaqësuese të vendeve tjera.

Por, në cilin stad gjendet përfaqësuesja e Kosovës, pas zhvillimit të 5 ndeshjeve miqësore ndërkombëtare, gjatë vitit të kaluar, me lejen e FIFA-s?

Përzgjedhësi i ekipit të përfaqësueses së Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, thotë për Radion Evropa e Lirë se përfaqësuesja e Kosovës po zhvillohet me dinamikë më të shpejtë se që ishte planifikuar.

“Në aspektet sportive, sipas mendimit tonë, të Shtabit Teknik, jemi afërsisht një vjet më shpejt se që kemi menduar, duke i'u falënderuar dy çështjeve. Çështja e parë ka qenë se kemi luajtur 5 lojë vitin e kaluar, ato na kanë shërbyer shumë në testimin e lojtareve dhe të idesë sonë".

"Por, njëkohësisht, kemi arritur t’u ofrojmë disa lojtarë, të cilët kemi menduar se ndoshta nuk do të ofroheshin kaq herët. Është fjala për lojtarë, të cilët vijnë nga kampionatet e mira, kanë me vete një bagazh internacional dhe kjo është në shërbim të lojtarëve që janë potencial për të ardhmen”.

Bunjaki gjithashtu ka paralajmëruar se gjatë këtij viti Federata e Futbollit të Kosovës dhe përfaqësuesja e futbollit e Kosovës, do të komunikojnë edhe lojtarë të tjerë të Kosovës, por që janë pjesë e reprezentacioneve tjera, në mënyrë që në rast të pranimit të Kosovës në UEFA, t’iu ofrohet mundësia dhe e drejta për të luajtur në përfaqësuesen e Kosovës.

XS
SM
MD
LG