Ndërlidhjet

Korrupsioni nuk raportohet


Drejtori i USAID-it në Shkup, James Stein konsideron se shteti duhet të ndajë më shumë mjete për të përforcuar kapacitet e organeve të pavarura të cilat janë përgjegjëse për të luftuar korrupsionin, siç është Komisioni Shtetëror për anti-korrupsion.

“Dëshirojmë të shohim që komisioni për anti-korrupsion si organ i pavarur të disponojë resurse të mjaftueshme dhe personel të kualifikuar që të mundet në mënyrë aktivisht të realizojë mandatin që ka, përkatësisht të jetë i suksesshëm në luftën kundër korrupsionit”, thotë për Radion Evropa e Lirë zoti Stein.

Ai njëherësh ka theksuar se gjatë 22 vjetëve të fundit, qeveria amerikane në Maqedoni ka investuar më shumë se 23 milionë dollarë për realizimin e reformave, përkatësisht elektronizimin e sistemit gjyqësorë, në mënyrë që të rritet efikasiteti i gjykatave.

Një pjesë e mjeteve janë destinuar për eliminim e problemeve gjatë procesimit të lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsionin.

Stein gjithashtu ka ngritur shqetësimin se një numër i madh i lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsionin të cilat janë denoncuar në prokurori, nuk procesohen në organet gjyqësore, si rrjedhojë e mungesës së fakteve të mjaftueshme.

Ndërkohë, hulumtimi i Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar ka nxjerrë në pah se qytetarët e Maqedonisë, edhe pse korrupsionin si problem e radhisin pas problemeve me varfërinë dhe papunësinë, konsiderojnë se korrupsioni është më i pranishëm në administratën publike.

Emina Nuredinovska, përgjegjëse e projektit për luftë kundër korrupsionit, në kuadër të Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, thotë se qytetarët konsiderojnë se korrupsioni në masë të madhe është i pranishëm në administratën publike.

Ajo për Radion Evropa e Lirë bën të ditur se një numër i madh i qytetarëve, përkatësisht 2 të tretat ose 63% e tyre vlerësojnë se punonjësit në administratën shtetërore janë të korruptuar.

“Qytetarët janë të vetëdijshëm se ka korrupsion, veçanërisht në administratë, qoftë ajo në pushtetin qendror apo atë lokal, me atë që ata përballen me forma të ndryshme të dhënies së ryshfetit kur dëshirojnë të realizojnë një të drejtë të caktuar”, thekson Nuredinovska.

Ajo po ashtu, thekoson se shihet një rënie e dukshme e qytetarëve të cilët denoncojnë korrupsionin në organet përkatëse të cilat janë të obliguara të luftojnë këtë dukuri të shëmtuar të shoqërisë.

Përderisa njohësit e çështjeve juridike fajin për zvarritjen e proceseve gjyqësore që kanë të bëjnë aferat e ndryshe korruptive e fokusojnë në politizimin e skajshëm të sistemit gjyqësorë.

XS
SM
MD
LG