Ndërlidhjet

Komploti për aneksimin e Krimesë


Harta e Krimesë
Harta e Krimesë

Në fillim të vitit 2014, bota është kapur në befasi me ngjarjet e njëpasnjëshme në Ukrainë, që kanë kulmuar me aneksimin e Gadishullit të Krimesë nga Rusia.

Moska po ashtu ka thënë se është zënë ngushtë nga ngjarjet përtej kontrollit të saj.

Më 13 mars, vetëm tetë ditë para aneksimit, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë në një takim në Moskë se nuk mund të injorohet situata që po zhvillohet rreth Ukrainës dhe Krimesë.

“Natyrisht nuk mund të injorojmë situatën rreth Ukrainës, Krimesë dhe gjithçkaje që ka të bëjë me këtë problem kompleks. Dua të theksoj se kjo nuk është krizë që e kemi shkaktuar ne. Megjithatë, në një mënyrë ose tjetër, ne po tërhiqemi në të”, ka thënë Putin.

Por, një vit më vonë, informacione të reja, edhe nga vetë Putini, kanë ndryshuar këtë rrëfim të Kremlinit, por edhe aspekte të tjera.

klipin promovues të një dokumentari të ri, që do të transmetohet nga televizioni shtetëror rus në ditët e ardhshme, Putin thotë: “Kur ne po ndaheshim, unë u kam thënë të gjithë kolegëve të mi se jemi të detyruar të nisim punën për ta sjellë Krimenë përsëri në Rusi”.

Duke thënë “të nisim punën”, Putin ka lënë të kuptohet se nuk ka pasur përgatitje për këtë rastisje. Megjithatë, dëshmi të tjera sugjerojnë se ka pasur plane të detajuara dhe se urdhëri i Putinit “për të nisur punën” më shumë ka nënkuptuar nisjen e procesit të zbatimit të atyre planeve.

Analisti rus i sigurisë, Andrei Soldatov, i ka thënë gazetës “The Moscow Times” në mars të vitit 2014, se “Kremlini ka pasur gjithmonë disa plane, për çështje të ndryshme, që nuk kanë mundur të përdoren për disa vite”.

“…por, kur disa aktivitete shfaqen, Putin kërkon që planet të vihen në veprim. Andaj, operacioni në Krime mund të jetë përgatitur kohë më parë, ndërsa vendimi për të është marrë shumë shpejt”, ka thënë Soldatov.

Dekorata që ushtria ruse i ka dhënë personelit shërbyes thotë se operacioni “për rikthimin e Krimesë“ ka nisur më 20 shkurt të vitit 2014. Këshilltari i Putinit, Vladislav Surkov, ka qenë në Krime javën e 14 shkurtit dhe protestat e para pro-ruse në gadishull janë realizuar më 21 shkurt.

Edhe gazeta liberale ruse “Novaya Gazeta” ka publikuar një strategji për Ukrainën, e cila është hartuar nën kujdesjen e oligarkut rus, Konstantin Malofeyev dhe është diskutuar në Kremlin në shkurt të 2014-ës, para se presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovych, është larguar nga Kievi. Gazeta siguron vërtetësinë e dokumentit, edhe pse Malofeyev mohon çdo lidhje me të dhe ka kërcënuar me padi.

Po ashtu në janar, studiuesi rus, Aleksandr Sytin, ka publikuar një blog për punën e Institutit Rus për Kërkime Strategjike, i cili është i ndikuar nga presidenti rus.

Sytin ka argumentuar se ky institut, qysh në vitin 2009, është bërë gjithnjë e më i interesuar për ringjalljen e Perandorisë ruse dhe për thellimin e rolit të Kishës Ortodokse Ruse. Sipas Sytinit, instituti ka bashkuar forcat me Malofeyevin dhe oligarkët e tjerë në nëntor të vitit 2013 për të apeluar te Putini, që të miratojë një ndryshim kushtetues për statusin e ortodoksisë.

Udhëheqësia e Institutit Rus për Kërkime Strategjike ka zhvlerësuar pavarësinë e të gjitha shteteve ish-sovjetike dhe ka argumentuar se sovraniteti i tyre “nuk meriton vëmendje serioze”.

“Shumica dërrmuese e ukrainasve kujtojnë historinë tonë të përbashkët dhe Luftën e Madhe Patriotike dhe ëndërrojnë për rilindjen e një strukture të përbashkët shtetërore”, është thënë në një analizë të institutit.

Sytin thotë se instituti në fjalë ka argumentuar gjatë gjithë 2013-ës se agjencitë perëndimore të sigurisë kanë minuar interesat e Rusisë në Ukrainë dhe se ka qenë e domosdoshme që të sillet Krimeja në Federatën Ruse.

Dokumenti i supozuar i Malofeyevit po ashtu tregon se Rusia ka zhvilluar plane për ndjekjen e qëllimeve ekonomike dhe gjeopolitike në Ukrainë. Dokumenti mbron përfshirjen e Rusisë në Krime dhe pjesë të mëdha të Ukrainës lindore, përfshirë kryesisht zonën e Karkivit.

Në dokument po ashtu thuhet se nëse Rusia humb kontrollin mbi rrjetin e transportit të gazit natyror në Ukrainë, një gjë e tillë do të sillte dëme të mëdha për ekonominë e vendit.

Dokumenti thekson edhe nevojën për të ruajtur integritetin e kompleksit ushtarako-industrial të Rusisë, pjesë të të cilit janë të vendosura në lindje të Ukrainës. (v.tela)

XS
SM
MD
LG