Ndërlidhjet

Maqedoni: Kriza s’zgjidhet pa faktorin ndërkombëtar


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Raportet e Maqedonisë me bashkësinë ndërkombëtare janë prishur si asnjëherë më parë, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike dhe ata të ekonomisë duke komentuar pasojat nga ajo që njihet si “aferë e përgjimeve”, e cila ka përfshirë edhe diplomatët perëndimorë dhe kompani të huaja gjatë kontraktimit të marrëveshjeve për shërbime të ndryshme me institucionet vendore.

Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike dhe profesor i së Drejtës Ndërkombëtare, thotë se diplomatët e huaj kanë heshtur, por nuk kanë harruar përgjimin e bisedave të diplomatëve të huaj dhe akuzat e partisë së kryeministrit Nikolla Gruevski se incizimi i telefonave të zyrtarëve është kryer nga shërbime sekrete të shteteve të caktuara.

Në këtë kuadër, ai kujton notën e protestës së ambasadorit të BE-së, Aivo Orav, i cili në një bisedë të publikuar të një zyrtari të lartë ishte etiketuar si “kopil dhe njeri i frustruar”.

Ai thotë se kriza, në të cilën ndodhet vendi është shumë e rëndë dhe kërkon ndihmën serioze të komunitetit ndërkombëtare dhe jo acarim të mëtejmë të raporteve me qendrat e vendosjes, pasi e kaluara ka dëshmuar se pa ndihmën nga jashtë, problemet vështirë se zgjidhen.

“Në Maqedoni kemi një mendësi dhe kjo e ka izoluar vendin. Mjafton që shohim se kush vjen në Maqedoni apo ku shkojnë zyrtarët tanë jashtë vendit dhe kush i pret atje, kemi vizita në disa vende të Azisë, nëpër vende të bllokut të tretë apo vende që nuk kanë lidhje me demokracinë. Kështu që Maqedonia është vend i izoluar, do të jetë e izoluar deri në momentin që do të kemi një mendësi të tillë”.

“Në një botë demokratike sikur të kishte ndodhur, jo një telefonatë, por vetëm një presje lidhur me abuzimin e pushtetit, ka rënie të qeverisë, ka dorëheqje, por duke marrë parasysh se në politikën maqedonase morali është humbur, kjo është normale”, thotë Sinani.

Sipas tij, përveç në aspektin politik, kriza ka izoluar vendin edhe në atë ekonomik, pavarësisht deklarimeve të qeverisë për ekonomi të qëndrueshme.

Investitorët që janë këtu, do të mundohen t’i ruajnë pozicionet e tyre, ndërsa ata që kanë pasur në plan të investojnë, do të presin të zgjidhet kriza pasi askush nuk i investon paratë e veta në diçka që mund të jetë e pasigurt, domethënë askush nuk dëshiron të investojë në një shtet siç e kemi”, vlerëson Sinani.

Edhe Sasho Arsov, njohës i çështjeve të ekonomisë, thotë se kriza e tanishme ka prishur si asnjëherë më parë imazhin ndërkombëtar të Maqedonisë.

Vlerësoj se i gjithë ambienti ekonomik është rrënuar dhe këtë e kanë të qartë investitorët e huaj. Kemi një situatë kur opozita bojkoton Kuvendin, kemi aferën e përgjimeve që edhe më shumë e ka ndërlikuara situatën”.

“Ndërsa, së fundi janë paraqitur edhe incizime se si zyrtarët e lartë janë përfshirë në tenderë ndërkombëtarë, duke përfituar provizione të majme për atë që investojnë këto. Kjo i vë në një situatë shumë të rëndë kompanitë e huaja, pasi ato e kanë të qartë se pa ndarë përqindje të kapitalit të tyre për zyrtarët, vështirë se mund të arrijnë të shtrijnë kapitalin e tyre në Maqedoni”, thotë Arsov.

Edhe Arsov, e dhe Sinani vlerësojnë se institucionet duhet të pranojnë realitetin, në të cilin ndodhet vendi dhe të kërkojnë ndihmë nga jashtë për dalje nga kriza, e cila e cila mund të kapërcehet, vetëm përmes krijimit të një ambient të volitshëm për zgjedhje të lira dhe demokratike.

XS
SM
MD
LG