Ndërlidhjet

Kushtetuta, me fuqi të kufizuar territoriale


Përvjetori i shtatë i Kushtetutës së Kosovës
Përvjetori i shtatë i Kushtetutës së Kosovës

Akti më i lartë juridik i shtetit të Kosovës, Kushtetuta, edhe shtatë vjet pas miratimit, nuk po arrin të gjejë zbatim në gjithë territorin e saj.

Moszbatimi i Kushtetutës së Kosovës në veri, konsiderohet si një nga sfidat më kryesore të institucioneve të Kosovës.

Njeri nga anëtarët e Komisionit për hartimin e Kushtetutës, Arsim Bajrami, aktualisht Ministër i Arsimit në Qeverinë e Kosovës, thotë se moszbatimi i Kushtetutës në veri, ka të bëjë më shumë me aspektet politike.

"Ende në pjesën veriore të Kosovës, Kushtetuta jonë nuk vepron me gjithë fuqinë e saj. Shtatë vjet pas pavarësisë ende kemi struktura që nuk e pranojnë Kushtetutën. Kemi edhe qytetarë serbë që e mohojnë, bile edhe e luftojnë Kushtetutën tonë", tha Bajrami.

Eksperti i çështjeve juridike - kushtetuese, Mazllum Baraliu, profesor në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, lidhur me moszbatimin e Kushtetutës, tha se qytetarët serbë në anën veriore të Kosovës, janë shkelësit më të mëdhenj. Por, siç thotë ai, edhe politikanët dhe zyrtarët tjerë të institucioneve të Kosovës, nuk e respektojnë atë.

"Për çdo ditë cenohet sovraniteti i Kosovës, edhe në veri, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës. Kushtetutën e shkelin edhe qytetarët, edhe institucionet, dhe këto shkelje janë bërë pothuajse të rëndomta, e në anën tjetër me rastin e përvjetorit thuhet se kjo Kushtetutë duhet të ishte krenaria jonë, se shtrihet në gjithë shtetin", tha Baraliu.

Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Pjesa më e madhe e kësaj Kushtetute, rrjedh nga Plani i Marti Ahtisarit, mbi propozimin e të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës, duke u dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare.

Megjithatë, Baraliu thotë se Kushtetuta e Kosovës, duhet të ndryshojë dhe siç thotë ai, ato ndryshime duhet të jenë substanciale.

Sipas tij, në vend se Kushtetuta të shtyjë dhe ndihmojë proceset zhvillimore, ajo paraqitet si bllokuese dhe penguese e shumë çështjeve.

"Pakica në Kuvendin e Kosovës bllokon dhe ka mundësi të krijojë situata tiranike ndaj shumicës. Pastaj, keni situatën kur nuk lejohet referendumi për ligjet me interes vital, të cilat po ashtu miratohen me dy të tretat e dyfishta".

"Çfarë është ajo demokraci dhe çfarë është ajo Kushtetutë që pengon të drejtën më demokratike që njeh njerëzimi dhe civilizimi botëror për referendumin", tha Baraliu, duke përmendur një numër të madh ligjesh e nenesh që duhen ndryshuar, e që kanë të bëjnë me sovranitetin, me cenimin e tij, me marrëveshjet ndërkombëtare, e të tjera.

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami, derisa ka folur në një garë kombëtare me nxënës të shkollave të mesme të Kosovës, për Kushtetutën e Kosovës, ka deklaruar se "përveç disa ndryshimeve të nevojshme si ato për zgjedhjen e presidentit nga populli, Forcat e Armatosura dhe formimin e disa dhomave të veçanta për krime lufte, nuk duhet bërë ndryshime të tjera".

"Çfarëdo ideje, që të braktiset komplet modeli i Ahtisarit dhe të nxirret krejtësisht një Kushtetutë e re, do të thosha një Kushtetutë kombëtare, do ta izolonte Kosovën dhe do t’ia ndërprente rrugën drejt integrimeve evropiane dhe drejt NATO-s", tha Bajrami.

Kushtetuta e Kosovës është miratuar më 9 prill të vitit 2008, përderisa ajo kishte hyrë në fuqi më 15 qershor të po atij viti.

Kushtetuta, Kosovën e definon si një shtet demokratik dhe laik, me shoqëri multietnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera.

XS
SM
MD
LG