Ndërlidhjet

Hetime për 45 gjyqtarë e prokurorë


Zyra e Prokurorit Disiplinor në Kosovë, është duke i hetuar mbi 45 raste të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilët dyshohen se gjatë punës së tyre në sistemin e drejtësisë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.

Zyrtarë nga zyra e Prokurorit Disiplinor, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se gjyqtarët dhe prokurorët që po hetohen, dyshohen se kanë bërë shkelje dhe kanë kryer vepra të ndryshme penale.

Arianit Salihu, inspektor i lartë gjyqësor, pohoi se për "disa nga gjyqtarët e prokurorët, të cilët nuk kanë treguar profesionalizëm gjatë ushtrimit të mandatit të tyre, kanë nisur hetimet".

"Në vitin 2015, zyra e Prokurorit Disiplinor ka bartur gjithsej 30 lëndë të trashëguara nga viti 2014. Ndërsa në tremujorin e parë të vitit 2015, përfshirë muajin janar, shkurt dhe mars, në zyrën e Prokurorit Disiplinor janë paraqitur gjithsej 16 parashtresa, kundër prokurorëve të prokurorive të niveleve të ndryshme në Kosovë. Gjashtë prej tyre janë hapur si hetime disiplinore, ndërsa dy raste janë dërguar me raport përfundimtar në Komisionin Disiplinor të Këshillit Prokurorial të Kosovës", tha Salihu.

Lidhur me hetimet që po zhvillohen, Zyra e Prokurorit Disiplinor, bën të ditur se "ka raste kur pretendohet se prokurorët kanë vepruar në konflikt interesi, si dhe po ashtu, ka raste për vepër të mundshme penale dhe neglizhencë në ushtrimin e funksionit gjyqësor ose prokurorial".

Nga ana tjetër, prokurorja e shtetit, Laura Pula, njëherësh koordinatore nacionale kundër korrupsionit, duke mos dashur të flasë shumë lidhur me punën e Zyrës së Prokurorit Disiplinor dhe hetimet që bëhen, tha se mund të ketë raste të cilat hetohen edhe për moskryerjen e lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsion, por ajo thotë se nuk vërehet ndonjë vonesë në ketë drejtim.

"Lëndët janë në Komision Disiplinor, por si do të përfundojë procedura, për ne ende është e panjohur. Pavarësisht faktit që janë në Komisionin Disiplinor, sa i përket punës së përmbushjes se planit të veprimit, deri më tani nuk është vërejtur ndonjë mangësi", tha Pula.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile, kanë kërkuar në disa raste që emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk e kanë respektuar kodin e etikës dhe kanë treguar sjellje joprofesionale, të publikohen.

Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se në Kosovë kanë munguar mekanizmat e kontrollit të punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, e sidomos të cilësisë së punës së tyre. Por, sipas Musliut, "edhe me funksionimin e Zyrës së Prokurorit Disiplinor, nuk është tejkaluar kjo, ngase edhe në vetë këtë zyrë, ka drejtësi selektive".

"Deri më tash kemi pasur raste të cilat janë iniciuar në periudha të shumë mëhershme ndaj prokurorëve ose gjykatësve të caktuar dhe të cilat nuk janë trajtuar me kohë. Ndërkaq, kemi pasur raste të prokurorëve ose gjykatësve, të cilat janë iniciuar shumë më vonë dhe janë trajtuar nga kjo zyrë. Këtu kemi një drejtësi selektive, sepse nuk mund të trajtohen ndryshe-ndryshe prokurorët dhe gjykatësit ndaj të cilëve iniciohen rastet. Duhet të respektohen të gjitha dispozitat ligjore dhe të mos bëhet kjo zyrë për dikë nënë e për dikë njerkë", tha Musliu.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë, në vazhdimësi është kritikuar nga organizatat vendëse dhe ndërkombëtare si një nga sistemet me probleme të shumta në funksionim, përfshirë këtu edhe dukurinë e korrupsionit.

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që monitorojnë punën e gjykatave, kanë thënë se "mungesa e transparencës dhe llogaridhënies në gjyqësor, ka bërë që besimi i qytetarëve në gjykata dhe prokurori, të jetë i vogël".

XS
SM
MD
LG