Ndërlidhjet

Shkollat me rregullore të mangëta sigurie


Shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë, nuk kanë ndonjë rregullore apo strategji të veçantë se si të veprojnë në raste të fatkeqësive eventuale natyrore apo edhe organizimeve, siç janë protestat e ndryshme, që ndodhin në afërsi të objekteve shkollore.

Zyrtarë të arsimit komunal dhe qendror, pohojnë se ekzistojnë rregullore dhe ligje që mbrojnë sigurinë e nxënësve dhe shkollave, por në këto dokumente nuk specifikohen masat për rastet e tilla. Andaj, u mbetet udhëheqësve të shkollave të reagojnë në këto lloj situatash, edhe pse infrastruktura e shkollave nuk është gjithmonë në nivelin e duhur, siç janë daljet emergjente.

Një problem i tillë kishte ndodhur në protestat e muajit janar të këtij viti, kur protestuesit ishin përleshur me Policinë e Kosovës, pikërisht para shkollës fillore “ Faik Konica” në Prishtinë , në kohën kur fëmijët ishin në mësim.

Drejtoresha e shkollës ‘’Faik Konica’’ nuk deshi të prononcohej lidhur me atë se si trajtohet kjo problematikë në raste të tilla.

Në Kuvendin Komunal të Prishtinës, drejtoresha e arsimit Arbërie Nagavci, thotë se nuk ka ndonjë rregullore të veçantë që fëmijët në shkolla të jenë të sigurtë në raste të fatkeqësive eventuale.

"Nuk ka ndonjë rregullore që e përcakton saktësisht, bile për fat të keq në shumicën e institucioneve shkollore nuk janë të përmbushura standardet infrastrukturore që janë të obligueshme me ligj, si daljet emergjente, qasja për fëmijët me nevoja të veçanta".

"Kemi bërë hulumtime të situatës në teren, e që është mbështetur nga UNDP [Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim], pastaj kemi hartuar një plan të veprimit që trajtojnë shkollat e sigurta. Në këtë drejtim kemi disa fusha që do të veprojmë, kahja në infrastrukturën fizike, bashkëpunimi me këshillat e prindërve, nxjerrja e rregulloreve të veçanta. Por, synojmë që në disa aktivitete varësisht prej kostos, të intervenohet menjëherë, e disa do të zgjasin më shumë si p.sh përmirësimi i infrastrukturës", thekson Nagavci.

Azem Guri, këshilltar i ministrit të Arsimit Shkencës e Teknologjisë, shpjegon për Radion Evropa e Lirë, se në këso rastesh, shkollat i kanë rregulloret e veta...

"Shkollat i kanë rregulloret e veta. Në kuadër të rregullores së brendshme të shkollave që janë miratuar në kuvendet komunale përkatëse, parashihet edhe siguria e nxënësve. Në Ligjin për arsimin parauniversitar, kjo çështje rregullohet me një nen për sigurinë e shkollave, ndërkaq në asamblenë komunale miratohen rregulloret e brendshme të cilat parashohin sigurinë e nxënësve në shkolla", ka shtuar Guri.

Për këtë çështje, flet edhe nëna e Vlora Sadikut, 10 vjeçare, e cila vijon mësimin në shkollën fillore ‘’Elena Gjika’’ në Prishtinë...

"Unë nuk e di se shkollat kanë ndonjë strategji që fëmijët t'i evakuojnë ose t'i mbyllin brenda objektit shkollor, derisa situata të qetësohet. Zakonisht kur ka protesta të paralajmëruara në qytet, une si nënë normalisht që brengosem për fëmijët që i kam në shkollë, por për shkak të angazhimeve të shumta që i kam në punë, shumë shpesh ka ndodhur që nuk kam pasur mundësi të dalë prej punës për ta marrë vajzën nga shkolla".

"Shpesh ndodhë që duhet edhe ndonjë familjar ta angazhoj në mënyrë që unë si nënë të jem e sigurtë që fëmija nuk do të dalë në rrugë, në situata kur fëmijët nuk duhet të jenë aty"

Sidoqoftë, përderisa institucionet lokale dhe qendrore nuk përpilojnë rregullore përkatëse u mbetet arsimtarëve, por edhe prindërve të koordinohen dhe reagojnë vetë në situatat kur siguria për fëmijët e tyre në shkolla dhe institucione arsimore nuk është e mjaftueshme.

XS
SM
MD
LG