Ndërlidhjet

Maturantët presin ligjin e ri


Këtë vit, nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës, të cilët do t’i nënshtrohen provimit të maturës shtetërore, në rast të miratimit të një projektligji që e rregullon këtë çështje, do të mund të diplomohen, edhe nëse ata nuk do të tregohen të suksesshëm në këtë provim.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, kanë treguar për Radion Evropa e Lirë se ky projektligj, ka kaluar në Qeverinë e Kosovës dhe është dërguar në Kuvendin e Kosovës për miratim.

Azem Guri, këshilltar politik në Ministrinë e Arsimit në Qeverinë e Kosovës, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se komisioni shtetëror i maturës i ka bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e testit, i cili do të fillojë më 6 qershor, pjesa e parë, dhe 20 qershor, pjesa e dytë.

Ai ka treguar edhe për ndryshimet që mund të jenë rreth provimit të maturës shtetërore.

“Ndryshim esencial që është në projektligjin e ri është se nuk parashihet pragu i kalueshmërisë, sikurse ka qenë deri më tani 50 për qind, ku maturanti ka qenë i obliguar t’i arrijë 50 për qind të pikëve dhe të shpallet i diplomuar. Kurse, në këtë projektligjin e ri, kemi paraparë që pikët e arritura në provimin e maturës i shënohen në diplomë dhe nxënësi shpallet i diplomuar”, sqaron Guri.

Ai ka sqaruar se nxënësit, të cilët do të aplikojnë nëpër njësitë akademike apo Universitetet do t'i numërohen 30 pikë nga suksesi i arritur në shkollën e mesme të lartë, 40 pikë të mundshme nga provimi shtetëror i maturës dhe 30 pikë të mundshme nga njësitë akademike në të cilat aplikon maturanti.

Sidoqoftë, pragu i kalueshmërisë ka qenë një element, i cili i sipas njohësve të arsimit, ka motivuar nxënësit për të mësuar në mënyrë që të arrijnë sukses dhe heqja e këtij pragu, sipas tyre, është një gabim i madh që po dëshirojnë ta bëjnë institucionet në Kosovë.

Eksperti i çështjeve të arsimit, Jonuz Salihu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, konsideron se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk duhet që t’i miratojnë këto ndryshime, pasi që sipas tij, shkon në dëm të arsimit dhe shoqërisë në përgjithësi.

“Besoj që ky është vendimi më i keq që ka mundur të bëjë një ministër. Unë besoj që parlamenti nuk do të duhej të votonte për këtë ndryshim sepse e minimizon shumë procesin e vlerësimit të jashtëm, pra vlerësimi i jashtëm më nuk është interesant për fëmijët".

"Ata qysh tani janë demotivuar me këtë paralajmërim të ministrit Arsim Bajrami. Unë pres që Kuvendi i Kosovës nuk do ta heqë pragun e kalueshmërisë, sepse nëse nuk ekziston ky prag, vlerësimi i jashtëm nuk ka kuptim më”, vlerëson Salihu.

Sipas Salihut, në asnjë vend në rajon apo në Evropë nuk kryhet niveli i arsimit parauniversitar, pa një vlerësim të jashtëm.

“Ky vlerësim do të duhej të bëhej në çdo nivel të arsimit, në klasën e pestë, në klasën e nëntë dhe në të 12 -tën. Nuk është e mundur që një nivel arsimor të përfundojë pa vlerësim të jashtëm, e sidomos niveli i arsimit parauniversitar. Me këtë do të dëmtohet shumë cilësia në arsim”, shton Salihu

Administrimi i provimit të maturës shtetërore në Kosovë, çdo herë ishte kritikuar. Nxënësit kishin arritur që të kopjonin gjatë testit.

Lidhur më këtë, Azem Guri nga Ministria e Arsimit, ka theksuar se kanë punuar në atë drejtim që të forcohet administrimi dhe gjithçka të rrjedhë mbarë.

Sistemi i arsimit në Kosovë, në raporte të shumta të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, ishte kritikuar se është në nivel jo të dëshiruar.

Kalueshmëria e provimit të maturës në Kosovë në vitin 2014 ishte 52.5 për qind, që ishte konsideruar një sukses nga zyrtarët e Ministrisë së Arsimit.

XS
SM
MD
LG