Ndërlidhjet

Punësimi sezonal, në pritje të marrëveshjeve


Autoritetet në Kosovë ende nuk kanë arritur t’i finalizojnë marrëveshjet e premtuara për punësim sezonal të qytetarëve të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se disa marrëveshje pritet të finalizohen gjatë muajit maj të këtij viti dhe se nga këto marrëveshje pritet të punësohen një numër i madh i qytetarëve.

“Ende jemi duke punuar. Në fakt janë dy iniciativa të vogla. Janë dy iniciativa model një është me Gjermanin që është nënshkruar me Odën Ekonomike Gjermane dhe një është duke u punuar me një agjenci që merret me punësim në Kosovë. Këto marrëveshje kanë të bëjnë me shtetin e Gjermanisë. Derisa me shtetet tjera jemi në negociata presim që marrëveshjet t’i nënshkruajnë gjatë kësaj pranvere”, sqaron Abrashi.

Ministri Abrashi ka bërë të ditur se marrëveshje për punësim sezonal mund të nënshkruhen edhe me shtete që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, por që më këto shtete do të fillohet të negociohet, pasi që të nënshkruhen marrëveshjet që janë në proces.

Nga marrëveshjet të cilat pritet të finalizohen së shpejti, shton ministri Abrashi, do të mund të punësohen deri në një mijë qytetarë të Kosovës.

“Këtë viti do të shkojmë në modele. Do të jenë disa qindra, ndoshta deri në një mijë apo më shumë persona që do të punësohen. Ideja është që të kemi kontrata kornizë dhe të kemi marrëveshje me shtetet. Në këtë mënyrë do të tregojmë që ne i respektojmë marrëveshjet. Me kthimin e tyre, me marrjen e përvojave të mira besoj që për vitin e ardhëm do të hapim rrugë edhe për marrëveshje të reja dhe për punësim sa më të madh të qytetarëve”, tregon Abrashi.

Personat të cilët do të mund të punësohen në këto shtete për punë sezonale, sipas Abrashit, do të jenë të papunët të cilët janë të regjistruar në zyrat të punësimit në Kosovë dhe në disa marrëveshje do të jenë edhe tjera qytetarët që duhet do të aplikojnë për punë sezonale.

Papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë shoqërinë kosovare viteve të fundit. shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare është mbi 30 për qind.

Mundësitë për rritjen e numrit të të punësuarave në Kosovë janë shumë të vogla. Alternativa më e mirë nga ekspertët e ekonomisë ishte vlerësuar punësimi sezonal.

Disa të rinj të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se do të punonin punë sezonale kudo dhe në cilindo shtet ku iu ishte ofruar mundësia.

Ermali student i Universitetit të Prishtinës shprehet:

“Po, do të dëshiroja të punoj punë sezonale, është një gjë e mirë që të krijon të ardhura të mira me të cilat do të mundem pastaj t’i paguaj studimet. Puna sezonale për ne studentët është gjë e mirë pasi që mund të fitojmë edhe përvojë pune të cilën në Kosovë nuk po arrijmë ta marrim”, shton ai.

Ngjashëm, mendon edhe Merita, 20 vjeçe nga Prishtina.

“Po gjithsesi se është një ide e mirë nëse do të realizohej një punësim sezonal. Kisha shkuar nëse nuk më kishte penguar puna në studime”, thotë ajo.

Ndryshe, në Kosovë sipas të dhënave zyrtare, mbi 25 mijë të papunë brenda një viti hyjnë në tregun e punës, ndërkaq mbi 300 mijë të papunë janë të regjistruar në zyrat e punësimit në mbarë Kosovën, por që ky numër mund të jetë edhe më i lartë, sepse jo të gjithë të papunët regjistrohen në zyrat e punësimit.

XS
SM
MD
LG