Ndërlidhjet

Rusia e kritikoi ardhjen e ushtarëve amerikanë në Ukrainë


Rusia e ka kritikuar arritjen e afro 300 ushtarëve amerikanë në Ukrainë, që e kanë për detyrë t’i stërvisin trupat e Gardës Kombëtare të Ukrainës, duke thënë se prania e tyre mund ta destabilizoj situatën në këtë vend, që është i përfshirë nga konflikti.

Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, tha të premten se “pjesëmarrja e instruktorëve ose specialistëve nga vendet e treta në territorin e Ukrainës, ku konflikti i brendshëm ukrainas nuk është zgjidhur, mund ta destabilizojë situatën”.

Ministria e jashtme e Rusisë, ka tërhequr vërejtjen se stërvitja e planifikuar ishte “hapi i parë” për furnizimin e mundshëm të Ukrainës me armatim.

Armata e Shteteve të Bashkuara ka njoftuar për arritjen e trupave më 16 prill, duke thënë se do t’i stërvisë 900 pjesëtarët e njësive rezerviste të Ukrainës, që ishin mobilizuar në vitin 2014, me qëllim që vullnetarët dhe grupet proqeveritare, të futeshin në kontrollin e qeverisë së Ukrainës.

Operacionet e trajnimit po zhvillohen në rajonin perëndimor, Lvov, që është afro një mijë kilometra nga rajonet Donjeck dhe Luhansk, në pjesën lindore të Ukrainës, që janë nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Rusia. Këta separatistë luftojnë kundër forcave të qeverisë së Ukrainës.

Majori i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, Jose Mendez, tha se trajnerët amerikanë do të “udhëheqin klasët për funksionet luftarake dhe rritjen e profesionalizmit të personelit ushtarak”.

Trupat nga njësia e njejtë amerikane janë vendosur edhe në Poloni, Estoni, Lituani dhe Letoni, në vitin 2014, për t’i stërvitur forcat atje dhe për t’i eliminuar shqetësimet e atyre shteteve për shkak të intervenit ushtarak rus në Ukrainë.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan, Barack Obama, është shprehur se komuniteti ndërkombëtar duhet ta vazhdojë mbështetjen për Ukrainën dhe është angazhuar që BE-ja duhet t’i vazhdojë sanksionet ekonomike kundër Rusisë.

“Ne jemi pajtuar që komuniteti ndërkombëtar duhet ta vazhdoj mbështetjen për Ukrainën, me ndihmë të fuqishme, derisa ajo po ndërmerr reforma ekonomike dhe politike. Së bashku me partnerët ndërkombëtarë ne fuqishëm e mbështesin marrëveshjen e Minskut dhe jemi pajtuar që Rusia dhe Ukraina, duhet t’i plotësojnë të gjitha obligimet që dalin nga këto marrëveshje”, tha të premten vonë, Barack Obama, në konferencën e përbashkët për shtyp në Uashington, me kryeministrin e Italisë, Matteo Renzi, pas takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë.

Në këtë kuadër Obama është shprehur se “beson fuqishëm se Bashkimi Evropian duhet t’i vazhdoj sanksionet aktuale, derisa të shihet implementim i plotë i marrëveshjejve të Minskut”.

Nga konflikti në pjesën lindore të Ukrainës, prej prillit të vitit të kaluar, janë vrarë më se 6 mijë njerëz.

Përgatiti: Fatmir Bujupi​
XS
SM
MD
LG