Ndërlidhjet

Rohani: Irani nuk negocion me Kongresin e SHBA-së


Presidenti Hassan Rohani
Presidenti Hassan Rohani

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha se Republika Islamike nuk po zhvillon negociata me Kongresin e Shteteve të Bashkuara për marrëveshjen potenciale atomike.

“Partner yni nuk është Senati apo Kongresi i Shteteve të Bashkuara, partner yni është grupi i njohur si P5+1”, tha Hassan Rohani, gjatë kësaj jave në qytetin verior iranian, Rasht.

Këto komente u bënë pak kohë pasi ishte arritur kompromis në Shtetet e Bashkuara, ndërmjet administratës së presidentit Barack Obama, dhe ligjvënësve amerikanë, që Kongresi të ketë rol në marrëveshjen eventuale ndërmjet gjashtë fuqive botërore dhe Iranit, lidhur me programin e tij atomik.

Legjislacioni i ri, me të cilin Kongresit të Shteteve të Bashkuara i mundësohet që të debatojë dhe votojë për çfarëdo marrëveshjeje atomike finale të mundshme me Iranin, është miratuar unanimisht në Komitetin për Marrëdhënie të Jashtme të Senatit të Shteteve të Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë ka sugjeruar se presidenti Barack Obama, nuk do ta shfrytëzojë të drejtën e vetos për versionin, i cili ka kaluar në komitetin e Senatit.

Sipas këtij legjislacioni, parashihet një periudhë e rishqyrtimit prej 30 ditësh nga ana e Kongresit dhe kërkohet që administrata e Obama rregullisht ta njoftojë Kongresin për bashkëpunimin e Iranit.

Komentet e presidentit iranian, Hassan Rohani, shënojnë reagimin e parë zyrtar ndaj votimit në Komitetin për Marrëdhënie të Jashtme të Senatit të Shteteve të Bashkuara.

“Çka thotë Senati, çka dëshiron Kongresi, kush janë pjesëtarët e linjës së fortë në SHBA, çka thonë mercenarët amerikanë në rajon?”, pyeti zoti Rohani, kanë raportuar mediat iraniane.

Ai konstatoi se “këto nuk janë probleme të qeverisë sonë dhe të popullit tonë”.

Hassan Rohani, në fjalimin në qytetin Rasht, e përsëriti kërkesën e Teheranit, që sanksionet ekonomike ndërkombëtare të imponuara kundër Iranit, për shkak të aktiviteteve të ndjeshme bërthamore, duhet të tërhiqen, kur të nënshkruhet marrëveshja finale atomike.

Në lidhje me këtë, ai theksoi:

“Bota duhet ta dijë , 5+1 duhet ta dijë, Senati amerikan, Kongresi, presidenti amerikan dhe qeveria, të gjithë duhet ta dinë se nëse përfundimi i sanksioneve nuk është në këtë marrëveshje, atëherë marrëveshje nuk do të ketë”.

Grupi 5+1 janë pesë shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca dhe Britania, plus Gjermania.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, deklaroi se presidenti Barack Obama, është “përgjegjës” për të dhënë siguri se Uashingtoni e respekton marrëveshjen finale për programin bërthamor iranian, pavarësisht dritës jeshile që Kongresi të ketë rol në këtë marrëveshje”.

Më tutje, Zarif theksoi:

“Sa i përket palës amerikane, amerikanët duhet ta mbajnë qeverinë e Shteteve të Bashkuara përgjegjëse. Pra, çfarëdo që ata bëjnë brenda me Kongresin e tyre, është problem i tyre. Sa na takon neve, ata duhet ta përfundojnë implementimin e sanksioneve, dhe ky është obligim juridik, që qeveria e Shteteve të Bashkuara duhet ta pranoj atë që parashihet në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

Zarif, po ashtu, tha se Irani do ta studiojë mirë legjislacionin amerikan “për të parë nëse ai i shkel ose i pengon kapacitetet e presidentit Obama, për t’i kryer obligimet, që ai duhet t’i marrë me Iranin”.

Irani dhe gjashtë fuqitë botërore arritën një marrëveshje atomike kornizë në Lozanë të Zvicrës më 2 prill.

Kjo marrëveshje hap rrugë për atë përfundimtare, me të cilën do të kufizoheshin aktivitetet bërthamore atomike të Iranit në këmbim për lehtësimin e sanksioneve.

Afati i fundit për arritjen e marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse është 30 qershori.(f.bujupi)

XS
SM
MD
LG